Në Kryesinë e Kuvendit punonjësit e protokollit kanë pritur më kot që në zyrën e tyre të shfaqej dikush me zarf të dorë për të regjistruar një emër si kandidat për kreun e shtetit. Asnjë prej palëve politike, maxhoranca apo opozita nuk kanë shfrytëzuar momentin që të përcjellin një kandidaturë. Një hap i cili siç duket nuk u hodh për t’i dhënë një shans negociatave për gjetjen e kompromisit politik e për të arritur në një emër të pranuar për palëve.

Të premten u zhvilluan negociatat e para mes negociatorëve të maxhorancës dhe dy grupeve parlamentare të opozitës, Aleancës për Ndryshim dhe Demokraci për Integrim, por pa prodhuar asgjë konkrete, përveç vullnetit për të vijuar negociatat. Ndërkohë të premten mungoi takimi mes shumicës dhe kreut të grupit kuvendor të PD-së Enkelejd Alibeaj.

Pavarësisht se në seancën e së hënës pasdite nuk do të ketë asnjë kandidaturë, Kuvendi është i detyruar të respektojë procedurat. Kështu, mëngjesin e së hënës, në orën 9 do të mblidhet Komisioni parlamentar i Ligjeve për të konstatuar mungesën e një kandidaturë dhe për të hartuar raportin përkatës, i cili do t’i kalojë seancës së posaçme plenare.

Kushtetuta e bën të qartë se “votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat”.
Pas këtij momenti, Konferenca e Kryetarëve është e detyruar të mblidhet për të vendosur datën se kur do të zhvillohet raundi i dytë u votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Në ditët e ardhshme pritet që intesiteti i kontakteve politike formale e jo formale të jetë i lartë, për të gjetur mundësisht një kandidaturë që të kënaqë pritshmëritë, në mos të të gjithë, të një pjese të madhe të deputetëve, për të pasur një President Republike të zgjedhur me votat si nga shumica ashtu dhe nga pakica parlamentare.