BallinaKryesoreRegjistrimet në çerdhe e kopshte, dokumentet që duhen për nëntë kategori!

Regjistrimet në çerdhe e kopshte, dokumentet që duhen për nëntë kategori!

Prindërit që kanë vendosur të dërgojnë fëmijët në një nga çerdhet a kopshtet publike në kryeqytet duhet të veprojnë që tani. Ata duhet të bëjnë gati dosjen e dokumenteve brenda këtij muaji, pasi në fillim të muajit qershor hapen aplikimet për regjistrimin e të vegjëlve në çerdhet e kopshtet e Tiranës.

Sidoqoftë, nuk mjafton me kaq. Duke qenë se kërkesa për t’i frekuentuar institucionet parashkollore publike është shumë herë më e lartë se sa kapacitetet, ka një listë prioritare kategorish, të cilët pranohen të parët e shpesh janë ata kryesues.

Pjesa e mbetur e vendeve plotësohen me fëmijët e familjeve të zakonshme, që kanë të dy ose njërin prind në punë.

NJOFTIMI

Drejtoria e Përgjithshme e çerdheve dhe kopshteve në Bashkinë e Tiranës, përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare dhe në institucionet e saj, komunikon afatin për regjistrime. Është java e parë e muajit qershor, nga 6 deri në 10, kur do të kryhen pranimet e aplikimeve për vitin e ri 2022- 2023, si dhe kushtin e vetëm (përpos dokumenteve) që dosja të pranohet.

“Aplikimet zyrtare për regjistrimin e fëmijëve në çerdhet e Bashkisë Tiranë do të kryhen pranë çdo çerdheje në datat 06-10 qershor 2022, nga ora 09:00-14:00. Kopshti i përzgjedhur nga prindërit duhet të jetë në njësinë administrative ku aktualisht ndodhet vendbanimi i fëmijës”.

NGA ÇERDHJA NË KOPSHT

Gjithë “lufta” bëhet për të zënë një vend në çerdhe. Ata që i kanë të regjistruar në krye të herës, e kanë më të lehtë, pasi kalimi bëhet direkt për në fazën pasuese të jetës së një fëmije. Një gjë e tillë pohohet edhe në njoftimin e Qendrës për Zhvillimin dhe Edukimin e Fëmijëve, e cila tregon rrugën që duhet të ndjekë çdo prind për të bërë kalimin nga një cikël në tjetrin. Edhe afati është më i gjatë, deri në fundin e muajit qershor.

Praktikisht, fëmijët që janë në çerdhe konsiderohen edhe nga drejtoresha e kopshtit si numër potencial për në kopsht.

“Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve, ju bën me dije se fëmijët që kanë frekuentuar çerdhen në sezonin 2021- 2022 dhe që mbushin moshën 3 vjeç, deri më datë 15 shtator 2022, do të regjistrohen automatikisht në kopsht. Për këtë, kërkohet bashkëpunimi juaj duke deklaruar pranë çerdhes ku fëmija ka frekuentuar, kopshtin në të cilin dëshironi të regjistroni fëmijën”, citohet në njoftimin që iu kujton prindërve se kanë afat deri në datën 24 qershor për të bërë deklarimin.

KANË PRIORITET

Të parët që regjistrohen dhe që përbëjnë shumicën dërrmuese në çdo institucion parashkollor janë nëntë kategori nga shtresa vulnerabël, për shkak të përparësive që iu jep vendimi i Këshillit Bashkiak nr.158, datë 26.12.2019 “Për miratimin e sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”.

Për më tepër, ata as nuk paguajnë për shërbimin që marrin, pasi mbulohet nga Bashkia. Bëhet fjalë për nëntë kategori të cituara në VKB, por edhe njoftimin e drejtorisë, të cilët duhet të dokumentojnë statusin e tyre në listën e dokumenteve të aplikimit, për të përfituar.

Më konkretisht: fëmijët me statusin e jetimit, fëmijë të familjeve ku kujdestari ligjor ka statusin e jetimit, fëmijë me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike dhe me sëmundje të rënda, sipas raportit të komisionit mjekoligjor, fëmijë ku kujdestari ligjor është me aftësi të kufizuar mendore dhe fizike me sëmundje të rënda, fëmijë të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, fëmijët e familjeve monoprindërore ku kujdestari ligjor e ka pagën nën nivelin e asaj minimale të miratuar me aktin ligjor përkatës, fëmijët e familjeve ku kujdestari ligjor i fëmijës është i divorcuar ose i ve, fëmijë të familjeve të pakicës rome dhe egjiptiane dhe fëmijët e vendosur në kujdestari nga familjet kujdestare (vërtetuar me dokumentacionin përkatës).

Për secilën prej tyre ka një listë dokumentesh (sipas tabelës përbri shkrimit) që duhet t’i bëjnë gati prindërit deri në datën 6 për t’i dorëzuar në drejtorinë e kopshteve dhe çerdheve. Nëse jo, nuk do të ketë një fazë të dytë dhe shanset për ta regjistruar këtë vit janë zero.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular