BallinaKryesorePër bashkëpunim efektiv kulturor Kosovë-Shqipëri

Për bashkëpunim efektiv kulturor Kosovë-Shqipëri

Ibrahim Rugova, Presidenti historik i Kosovës dhe kolosi i kulturës dhe letrave shqipe, në një intervistë të tij në shkurt 1991 në gazetën “Drita”, duke ju referuar intelektualëve dhe rolit të tyre, theksonte se “Roli i intelektualëve në shoqëri dhe brenda një kombi është i rëndësishëm. Unë them se tek popujt e vegjël, edhe tek ne shqiptarët, intelektualët kanë luajtur një rol të rëndësishëm. Vetëm të marrim Rilindjen Kombëtare apo Romantizmin shqiptar. Ato i kanë udhëhequr intelektualët dhe ekziston edhe një mendim se intelektualët e kanë bërë shtetin shqiptar”

Duke ju referuar shkëmbimeve kulturore, Rugova vijon më tej se ”Natyrisht, me një komunikim më të madh, po hiqet ky kufi që na qëndron këtu, që dyzet e ca vjet, si një Mur i Berlinit…Atëhere do të krijohet edhe një qarkullim më i madh, në nivelin modern, bashkohor të popullit shqiptar”(Nga kolana e veprave të tij “Pavarësia dhe Demokracia”).

Nëse, sikurse e permend Rugova, pas vitit 1990, me proceset demokratike në mbarë Evropën dhe me rritjen e komunikimit, Muri i Berlinit ra jo vetëm fizikisht, por edhe në ndërgjegjen e qytetarëve, ende mes nesh, Shqipërisë dhe Kosovës, edhe pse deri tani mes të dy shteteve tona janë nënshkruar mbi 70 marrëveshje bashkëpunimi(shumica e të cilave janë vetëm në leter), na ka ngelur një Mur i Qelqtë dhe i Xhamtë, i cili duhet çmontuar nga të gjithë ne, në të dyja anët e ketij kufiri, që nuk duhet të ekzistojë

Në ndihmë të këtij procesi të heqjes së murit që ende kemi mes nesh, po jap modestisht disa ide për veprime dhe struktura ndihmuese.

I.  Një fond i veçantë pranë të dy Ministrive të Kulturës për aktivitete të përbashkëta

Dua ta nis këtë diskutim me një propozim konkret. Ende nuk kemi të gjeneruar nga buxhetet e shteteve të dy vendeve tona një fond special për produktet e përbashkëta kulturore, pavarësisht se ka fonde për tematika të ndryshme, që akordohen nëpërmjet thirrjeve për projekt-propozime.

Nuk kemi një dakordësim mes dy qeverive, që nga buxhetet e tyre të akordohet një fond vjetor i përbashket pikërisht për produktet e mësipërme, në fushat e (i) ruajtjes së trashëgimisë kulturore,  (ii) bashkëpunimit efektiv bibliotekar, (iii) atij të arkivave, (iv) të arteve vizive, (v) spektakleve teatrore dhe (v) filmave.

Ideja e një kalendari të përbashkët është shumë atraktive dhe ka funksionuar për një koordinim më të mirë të aktiviteteve kulturore individuale të dy vendeve tona, por ka ardhur koha që të kalojmë në një dimension tjetër, në atë të sinergjisë së produkteve dhe projekteve të përbashketa.

Deri tani, qasja nga strukturat tona shtetërore përgjegjëse të kulturës ka qenë më shumë sipërfaqësore dhe demostrative, për të prodhuar lajmin mediatik, pa shkuar në thelbin, në strukturën bazë dhe themelore të bashkëpunimit, e cila duhet të ketë një qasje të qëndrueshme dhe efektive.

Për këtë arësye, do të doja të vendosnim disa parime bazë si korniza.

Në rradhë të parë, në takimet e përbashkëta dhe përpjekjet për punë të përbashkët, duhet t’i analizojmë dhe shikojmë qartë problematikat që tashmë janë bërë kronike, të shtresëzuara dhe që lypin zgjidhje të shtrira në kohë. E kemi të domosdoshme të kryejmë ndryshime strukturore dhe të realizojmë një qasje të re në bashkëpunimin për kulturën, si më poshtë.

II.   Strukturë e përhershme zbatuese e strategjisë dhe politikave sinergjuese në kulturë

Që të realizojmë legjislacionin e unifikuar dhe Strategjinë e Përbashkët, si rruga e vetme që edukimi kombëtar kulturor të bëhet pjesë e qëndrueshme përbërëse e edukimit të brezave të rinj të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, na duhen struktura të përhershme dhe të qëndrueshme.

Do të propozoja, krahas krijimit disa kohë më parë të Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë, me koordinator Gentian Sala, një specialist i zoti që po punon me pasion, edhe krijimin e një Sekretariati të Përbashkët të veçantë për Kulturën, me dy-tre përfaqësues nga dy ministritë tona përkatëse të Kulturës, që të mblidhen mundësisht çdo muaj në Prishtinë ose Tiranë dhe të japin ide, bëjnë propozime dhe raportojnë Ministrave përkatës, e këta kryeministrave dhe opinionit publik, për progresin e arritur gjatë kësaj periudhe dhe vështirësitë e hasura.

Sekretariati kulturor duhet të jetë struktura bazë realizuese e këtij bashkëpunimi konkret, qe në epokën dixhitale të komunikimit, duhet të arrijë të shfrytëzojë të gjithë potencialin që afron sot teknologjia. Faqet në internet, ëeb-et dinamike virtuale kulturore dhe turistike të ndërthurura, duhet të jenë vula dixhitale e bashkëpunimit dhe kjo duhet të shtrihet në të gjitha fushat.

Ato kanë një ndikim të fortë tek publiku, sidomos ai i ri, që duhet të jetë targeti ynë parësor. Në këtë drejtim, deri tani nuk është bërë shumë, ose pothuajse asgjë, në një kohë që hapësira është e jashtëzakonshme, me kosto minimale dhe efektivitet maksimal.

Sekretariati i Përbashkët kulturor duhet të marrë parasysh dhe të analizojë të gjitha problematikat e akumuluara të bashkëpunimit tonë kulturor, duke ofruar zgjidhje. Po marr si shembull problematikën e librit shqip.

Problematikat e librit, si instrumenti më kapilar i dijes dhe edukimit, duhet të fokusohen me zgjidhje shteruese. Psh. trajtimi fiskal i librit ka qenë gjithnjë një temë debati mes botuesve dhe ligjvënësve në të dyja vendet tona, por kësaj here, ajo çfarë po shndërrohet si shqetësim në komunitetin e tyre, është taksa e vendosur për librin shqip, të botuar në Kosovë.

Pa i llogaritur shpenzimet doganore, është e qartë që kjo taksë dëmton integrimin e shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Ajo bie ndesh jo vetëm etikën e bashkëpunimit, por shkel edhe parimet e barazisë për të lehtësuar qarkullimin e librit shqip, gjë që favorizon librat e botuar në Shqipëri. Në thelb, vendosja e taksës së librit në Kosovë, është praktikë legjislative, ndaj për të  gjetur një zgjidhje, duhet lobuar mes dy Ministrive përkatëse.

Së dyti, libri i botuar në Kosovë mungon në bibliotekat e Shqipërisë. Lexuesi në Shqipëri, përpos Panairit të Librit ku paraqiten botuesit e Kosovës, e ka të vështirë të gjejë librin e botuar në Kosovë.Për këtë arsye nevojitet rregullime thelbësore në sistemin e ISBN bibliotekore.

Së treti, duhet kërkuar të ndryshohet tatimi mbi honorarin, pra tatimi mbi të ardhurat mbi krijimtarinë, i cili duhet të ulet nga 15% në 6%. Shoqatat e botuesve, në të dyja anët, kanë kërkuar që përveç shitjes së librit, TVSH të ulet ose të bëhet zero edhe për furnizimet e kryera në funksion të prodhimit të librit, si shtypshkrimi, energjia elektrike, etj. Edhe ky problem i zvarritur, në dukje i vogël, është kthyer në gangrenë të vërtetë që gërryen bashkëpunimin efektiv.

Ndonëse 20% duket më i lartë se 6% në tregun e librit, kjo përkthehet në një situatë ku kostoja totale e taksave ulet pak, ndërkohë që barra administrative e shtëpive botuese dhe librarive shtohet shumëfish.

Taksa zero per librin përdoret në Belgjikë, Danimarkë, Irlandë, Finlandë, Suedi dhe Mbretërinë e Bashkuar për veprimtari të ndryshme, duke përfshirë furnizimet e librave të shtypur, broshurave, gazetave, periodikëve, katalogëve dhe produkteve të ngjashme. TVSH me normë zero për librat e shtypur mund të gjendet edhe në vende të tjera të botës, si Meksikë, Ukrainë, Indi, Korenë e Jugut, Tajlandë, Malajzi, si dhe në shumicën e vendeve të Amerikës së Jugut.

Rritja apo ulja e barrës fiskale në varësi të librit është vetëm një nga shumë problemet që ka krijuar sistemi i ri, sipas botuesve. Barra administrative për mbajtjen e saktë të librave të shitjeve e të blerjeve dhe llogaritjes së detyrimeve të TVSH-së në shitje e TVSH-së në zbritje në blerje, janë një telash i ri për librarët dhe botuesit, të cilët jetojnë në një treg në përgjithësi të varfër dhe sidomos librarët, të cilët mbartin kostot më të larta, duke qenë kryesisht persona fizikë dhe biznese të vogla, në kufijtë e mbijetesës.

Botimi, shpërndarja dhe shitja e librit është konsideruar ndër vite një biznes i vështirë në Shqipëri, ku kostoja e librit është e lartë në krahasim me të ardhurat e pakta të popullsisë. Sektori i tregut të librit, një fushë që nuk ka të bëjë me mbijetesën, por me argëtimin, shfaq tendenca rënëse për sa kohë që ka kriza apo pasiguri. Shpeshherë, sipas botuesve, sa herë ka ngjarje politike apo çështje të ngjashme, lexuesit priren të mos shpenzojnë në atë që konsiderohet “jo thelbësore”. Këtë fakt, e vuan libri dhe pandemia e dëshmoi këtë. Një problematikë tjetër në treg, të cilën e pohojnë njëzëri botuesit, është mungesa e investimit në librari. Ato janë të pakta në Tiranë dhe Prishtinë, ende më rrallë (ose fare) në rrethe dhe rajone të tjera të Shqipërisë dhe Kosovës.

Botuesit thonë se libri, edhe pse për të investohet që të jetë cilësor nga ana e botuesve, është lënë në mëshirë të fatit. Me librari që po rëndohen nga amortizimi, duke mos pasur mundësi të mbajnë shumë libra, lexuesi humbet çfarë ka tjetër dhe nuk di ku të drejtohet apo e humb interesin rrugës. Në fakt, fluksi i lartë i vizitorëve në Panair dhe shitjet e shumta gjatë ditëve të tij, janë indikatori dhe treguesi kuptimplotë i gjendjes së keqe në të cilën gjendet sistemi kapilar i librarive të Shqipërisë dhe Kosovës dhe pa u përmirësuar ky sistem, nuk mund të flasim për kurfarë lloj bashkëpunimi konkret mes nesh në këtë fushë kyçe të kulturës.

III.  Legjislacion i unifikuar për kulturën

Legjislacioni i kulturës jo vetëm që është i pamjaftueshëm në vendet tona, por shpesh herë  kufizues. Diskutimet publike për ndryshimin e tij me komunitetin kulturor dhe artistik, me komunitetin e teatrit, muzikës klasike, me atë të ansambleve popullore, me artet pamore e komunitetin e librit dhe të botimeve, gjatë gjithë këtyre viteve kanë qenë sipërfaqësore dhe nuk kanë prekur thelbin e domosdoshmërisë që kemi për unifikimin e ligjeve tona për kulturën.

Është e qartë që asgjë nuk mund të bëhet pa u debatuar me aktorët e interesit, por ka ardhur koha t’ju largohemi diskutimeve thjesht të formës, që tingëllojnë si shoë, pasi nuk kanë sjellë veprim konkret pas përfundimit të takimit, ku janë shkëmbyer idetë dhe dhënë propozime.

Gjithshka është diktuar padrejtësisht nga lart, madje dhe në përplasje disa herë, me interesat e komuniteteve përkatëse.

Po marr një shembull. Aktualisht sistemi i menaxhimit është i centralizuar për të gjitha shërbimet që marrin institucionet e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore. Më tej, financimi i skemës së pavarur ka bërë dëme të mëdha, pasi ka  pasur skema korruptuese midis politikës dhe kulturës. Janë financuar projekte e pastaj është bërë marketing për parti politike.

Ne e kemi të domosdoshme një pikë tjetër nisjeje të sinergjisë mes dy vendeve tona në qasjen ndaj kulturës sonë kombëtare. E përdor posaçërisht këtë term, sinergji, për të treguar se kjo duhet të jetë domethënia e të gjiha përpjekjeve tona ligjore dhe institucionale: vlera e shtuar në kurimin e përbashkët dhe barazisë e lirisë së trajtimit ndaj pasurisë kulturore dhe produkteve kulturore të reja për të dyja vendet tona.

Pavarësisht se trumbetohet gjatë dhe të krijohet përshtypja se po bëhet shumë në përafrimin e kulturës, problemet janë të dukshme. Pa i hequr asgjë dobisë së llojeve të koordinimit që mund të organizohen bashkërisht, parësia duhet t’u vihet bashkëpunimeve konkrete dhe domethënëse.

Me ato ligje që kemi në sfera të ndryshme të kulturës, hasim në shumë burokraci dhe pengesa të panevojshme, në një kohë që ideja  nënë duhet të jetë ajo që i gjithë sistemi ynë i ligjeve të jetë i atillë,që të mundësojë një ambient ku mund të zhvillohen veprimtari të përbashkëta në mënyrë organike, të lirshme, duke ruajtur, bren da idese dhe temes se perbashket, individualitetin krijues të natyrshmë, autonom dhe të pavarura, per seicilën sferë korresponduese të kulturës në të dyja anët e kufirit.

Janë elitat ato që duhet të krijojnë një sistem të caktuar, periodik, të strukturuar mbi bazën e një dokumenti të formuluar qartë për bashkëpunime qenësore, midis instucioneve akademike, për projekte konkrete, me gjurmë afatgjate dhe të prekshme. Kështu, rishkrimi i vertetë, shkencor, i historisë sonë, i kulturës, ne rrafshin e gjuhes dhe mentalitetit tone juridik, por edhe të mendimit shqiptar të ndaluar nga rregjimi komunist, mund të jenë disa nga fushat ku mund të punohet më mirë, me një perspektivë kontribuese bashkëpunimi.

E gjitha kjo do të ndikonte fortësisht në paraqitjet tona përpara Bashkimit Evropian dhe sfidave të anëtarësimit në të, me një kushtetutë të përbashkët kulturore, juridike dhe përfaqësuese me të gjithë potencialitetin e lashtësisë, historisë, vlerave etike e juridike, kulturore dhe artistike që na takojnë.

Për këtë arsye, do të propozoja një dokument unik, të tipit Road-Map, një Strategji afatgjatë të Përbashkët pesëvjeçare Kosovë-Shqipëri të Zhvillimit të Kulturës 2022-2027, ku të planifikohet rishikimi jo vetëm i legjislacionit, por edhe i akteve të tjera që rregullojnë funksionimin e institucioneve publike, në mënyrë sa më të përshtatshme ndaj qëllimit sublim të sinergjisë kulturore kombëtare. Për ta konkretizuar, le të kujtojmë dhe përfshijmë në Strategji ligjin për sponsorizimiet dhe ligjin për librin, duke vendosur brenda legjislacionit të përmirësuar një kuotë fikse buxheti, ashtu siç e kanë edhe të gjithë shtetet e tjera të rajonit dhe më gjerë.

Ky dokument strategjik i llojit të Road-Map afatgjatë, do të ishte qasja e duhur e problemeve tona të mbarsura dhe të shtresëzuara, duke mbrujtur shpresë dhe krijuar perspektivë.

* Nga fjala në “Takimi i Prishtinës” datë 13 maj 2022, i organizuar nga “Gazeta e Alpeve”, një media PanShqiptare(Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe Sanxhak dhe Maqedoni e Veriut) dhe Komuna e Prishtinës.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular