BallinaKryesoreVendimi i vrasjes u zbulua vetëm 10 vite më parë/ Si u...

Vendimi i vrasjes u zbulua vetëm 10 vite më parë/ Si u ekzekutuan në fshehtësi dy ish-të burgosurit e Qafë Barit

Në Shqipëri u përkujtua të dielën revolta e të burgosurve të ish burgut te Qafë Barit e 22 majit të vitit 1984 dhe dy prej organizatorëve të saj, Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, të cilët, pas shtypjes me dhunë të revoltës, u ekzekutuan në fshehtësi. Vendi i ekzekutimit u zbulua vetëm 10 vite më parë. 30 vjet pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri ende nuk dihet vendvarrimi i më shumë se 4 mijë të ekzekutuar gjatë diktaturës.

Ish të burgosur politikë dhe familjarë të tyre përkujtuan të dielën revoltën e të burgosurve të Qafë Barit të 22 majit të vitit 1984, që së bashku me atë të burgut të Spaçit, tronditën regjimin komunist të kohës. Ata bënë homazhe në vendin ku u ekzekutuan dhe u varrosën në fshehtësi Sokol Sokoli dhe Tomë Ndoja, dy prej organizatorëve të revoltës së Qafë Barit. Vetëm dhjetë vite më parë, pas shumë kërkimesh nga familjarët, trupat e tyre u gjetën të groposura në mjediset e ish antenave të Radio Shkodrës, rreth 4 kilometra nga qyteti, që dyshohet se është një nga vendekzekutimet e shumta, ku fshiheshin gjurmët e krimeve të komunizmit. Drejtuesi i shoqatës për integrimin e ish të burgosurve politikë, Besim Ndregjoni, thotë se shoqëria shqiptare nuk duhet të mbetet vetëm në kujtimin e tyre.

“Kemi ardhur të përkujtojmë dy viganë të lirisë, dy djem të rinj, Sokol Sokolin dhe Tomë Ndojën, të cilët, në vitin 1984, me revoltën e Qafë Barit, si kundërshtarë të atij regjimi, sakrifikuan jetën e tyre në moshë të re, nën tortura çnjerëzore të xhelatëve të komunizmit. Por, këta viganë sot nuk duhet të mbeten vetëm në përkujtim”.

Pjesëmarrësi në revoltën e Qafë Barit, Hysen Haxhiraj thotë se kushtet çnjerëzore të punës në ish-burgun e Qafë Barit, detyruan ish të burgosurit të ngriheshin në revoltë.

“Morën jetën e dy djemve të mrekullueshëm, njëri nga Dukagjini e tjetri nga Tropoja, vetëm e vetëm për vagonat e bakrit që i donin këta për të marrë floririn”.

Bedri Blloshmi, ish i burgosur i Qafë Barit, është autor i librit “Revolta e Qafë Barit dhe terrori komunist 1943 – 1990”. Në këtë libër ai sjell dëshmi të dhunës që shoqëroi shtypjen e revoltës së të burgosurve të Qafë Barit.

“Në këtë revoltë u dënuan 12 veta, dy u pushkatuan dhe dhjetë të tjerë u dënuan me dënime të ndryshme, 25, 24, 23 vite dhe ua shtuan dënimin”.

Megjithëse kanë kaluar 30 vite nga rrëzimi i komunizmit në Shqipëri, shumë prej familjarëve të të pushkatuarve me gjyq dhe pa gjyq, vazhdojnë të kërkojnë trupat e të afërmve të tyre. Simon Miraka, nga Autoriteti për Informim i Dosjeve të ish Sigurimit, thotë se janë të pakta gjurmët që çojnë në vendin e ekzekutimit të tyre.

“Deri tani, në dosjet që ne kemi shfletu, janë 5 vjet që unë jam anëtar i Autoritetit, nuk kemi gjet skica, harta të këtyre ekzekutimeve. Kemi mbledhur dëshmi të njerëzve, familjarëve të tyre, që na kanë dhënë informacione dhe, shpresojmë që shumë shpejt do të dalë një VKM dhe do të fillojnë gërmimet sipas informacioneve që kemi marrë”.

Pas 30 vitesh, gjurmët e krimeve të komunizmit thuajse janë fshirë, terreni dhe infrastruktura kanë ndryshuar, politikanët kanë humbur interesimin e viteve të para, ekzekutorët dhe dëshmitarët kanë ndërruar jetë në pjesën më të madhe dhe, bashkë me to, janë fshirë edhe gjurmët e vendekzekutimeve dhe vendvarrimeve të kundërshtarëve poltikë.

Besim Ndregjoni thotë se “prandaj sot, Sokol Sokoli dhe Tomë Ndoja nuk janë të qetë, sepse kanë edhe 6 mijë bashkëluftëtarë të tyre që nuk j’u kanë gjetur eshtrat./VOA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular