Të gjithë pronarët e bizneseve të vogla do të paguajnë tatim mbi të ardhurat personale

0
26

Ministria e Financave ka hartuar projektligjin paraprak të ri të tatimit mbi të ardhurat.

Sipas Financave, drafti përfundimtar do të jetë gati në fund të javës së ardhshme dhe do të fillojë konsultimet me grupet e interesit. Sipas Financave do të ketë ndryshime të ndjeshme në skemën e taksimit të biznesit nga ky variant paraprak.

Drafti ka ngjallur që në fillim shumë kundërshtime tek biznesit, teksa ka krijuar shumë paqartësi për mënyrën se si do të tatohen të vetëpunësuarit.

Në variantin final, norma maksimale e tatimit për të ardhurat nga punësimi ka mbetur në 23%, nga 28% që u rrit shkalla në draftin e mëparshëm për të ardhurat nga punësimi mbi 2 milionë lekë në muaj.

Drafti është i qartë në trajtimin e të ardhurave të  profesioneve e lira si të ardhura nga punësimi, duke i përjashtuar nga norma zero e tatimit mbi të ardhurat tatimpaguesit që furnizojnë shërbime profesionale.  Lista analitike e shërbimeve profesionale do të përcaktohet  me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Drafti përcakton se:

Neni 69

Për:

(i)              individët tregtarë dhe të vetpunësuar, si dhe;

(ii)            enitetet me të ardhura deri 14 milion lekë në vit,

Norma e tatimit mbi të ardhurat 0% do aplikohet deri në fund të vitit 202X. Norma e tatimit mbi të ardhurat 0 % nuk do aplikohet për tatimpaguesit e përmendur në gërmat (i) dhe (ii) më sipër, të cilët furnizojnë shërbime profesionale. Lista analitike e shërbimeve profesionale përcaktohet  me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Por, ndërsa norma e tatimit mbi të ardhurat për individët tregtarë dhe të vetpunësuar, si dhe enitetet me të ardhura deri 14 milion lekë në vit, mbetet zero, neni 24 i ligjit parashikon që do të tatojë dhë të ardhurat nga biznesi, duke e lënë evazive se kush dhe si do të tatohen. Ndërsa në ligjin e vjetër speficikohej se Tabela për tatimin mbi të ardhurat personale ishte për të ardhurat nga punësimi.

Neni 24

1)     Të ardhurat nga punësimi dhe të ardhurat nga biznesi për individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit tatohen me normat e mëposhtme:

Baza tatimore vjetore

Norma tatimore

0 – 2.400,000

13%

Mbi 2,400,000

23%

Ndërkohë, ndonëse neni 69 i draftit të ri specifikon që norma e tatimit mbi të ardhurat për subjektet deri në 14 milionë lekë është zero, Neni 14 i njeh të drejtën individit tregtar ose të vetëpunësuar nuk i kalon [10,000,000] Milionë Lekë në vit, ata kanë të drejtë që nga të ardhurat e biznesit, të zbresë shpenzimet e supozuara në një shumë të vetme, nga 35-90%,  pa mbajtur regjistrime në kontabilitet.

Neni 14

Regjimi i veçantë për individët tregtarë dhe të vetëpunësuar

1)     Nëse qarkullimi i individit tregtar ose të vetëpunësuar nuk i kalon [10,000,000] Milionë Lekë në vit, ata kanë të drejtë që nga të ardhurat e biznesit, të zbresë shpenzimet e supozuara në një shumë të vetme si më poshtë,  pa mbajtur regjistrime në kontabilitet.

a)     60 % të të ardhurave për veprimtaritë prodhuese;

b)     90 % të të ardhurave për veprimtaritë  e tregtimit me shumicë;

c)     70 % të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me pakicë të mallrave dhe transportit individual;

d)     60 % të të ardhurave për veprimtaritë bare, restorante, disko etj, të kësaj natyre;

e)     50 % të të ardhurave për veprimtaritë e shërbimeve, veprimtarite artizanale dhe atyre zejtare

f)      35 % të të ardhurave për individët e vetëpunësuar.

Aktivitetet sipas këtij paragrafi, përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar në Kodin e Veprimtarive Ekonomike.

Ministria e Financave nuk ka sqaruar ende se pse individëve tregtar ose të vetëpunësuar (përveç profesioneve të lira) u njihet e drejta e këtyre shpenzimeve, kur tatimi mbi të ardhurat për ta është zero!

Në nenin 13 përcaktohet se të ardhurat e një personi fizik nga çdo aktivitet i biznesit i çfarëdo lloji, duke përfshirë çdo aktivitet të individëve të vetëpunësuar ose tregtar. Si rrjedhojë, nga interpretimi i ligjit, sipas ekspertëve rezulton se ndonëse bizneset do të vazhdojnë që të kenë tatim zero mbi të ardhurat, në fakt të gjithë do të paguajnë tatim mbi të ardhura personale, pasi do iu zbriten shpenzimet e njohura sipas Nenit 14. Pasi t’u zbriten këto shpenzime, pronarët e të gjithë bizneseve në vend do të paguajnë 13% për të ardhurat vjetore deri në 2.4 milionë lekë dhe për të ardhurat mbi 2.4 milionë lekë, tatimi do të jetë 23%.

Neni 13

Të ardhurat nga biznesi

1)Të ardhurat nga biznesi përfshijnë, por pa u kufizuar vetëm në to, të ardhurat sipas paragrafeve “a” deri “j” në vijim, nëse nuk janë përcaktuar si të ardhura nga punësimi sipas Nenit 12 [Të ardhurat nga punësimi] të këtij ligji:

a.Të ardhurat e një personi fizik nga çdo aktivitet i biznesit i çfarëdo lloji, duke përfshirë çdo aktivitet të individëve të vetëpunësuar ose tregtar .

b. Të ardhurat nga interesi, dividentët dhe honoraret të cilat janë efektivisht të lidhura me biznesin.

c.Të ardhurat nga shitja e letrave me vlerë, të cilat janë efektivisht të lidhura me biznesin.

d.Të ardhurat nga dhënia me qera e një biznesi, pavarësisht se qeradhënia i përfshin të gjitha apo një pjesë të aktiveve të trupëzuara apo të patrupëzuara.

e.Të ardhurat nga shitja e cdo lloj aktivi dhe detyrimi të biznesit, përfshirë edhe shitjen e të gjithë biznesit.

f. Të ardhurat nga prodhimi bujqësor ose blegtoral.

g.Fitimi kapital i realizuar nga transferimi i aktiveve dhe pasiveve të biznesit në një riorganizim biznesi, sic përcaktohet në Nenin 46 [Rregullat e zbatueshme mbi riorganizimet e biznesit] të këtij Ligji.

h.Dhuratat, financimet apo subvencionet e marra nga një person në lidhje me biznesin e tij.

i.Çdo lloj tarife shërbimi.

j.Fitimet kapitale nga rivlerësimi i aktiveve të Biznesit kur këto aktive janë dhënë si kontribut në natyrë në kapitalin e një kompanie, qoftë në themelimin e saj apo rritjen e kapitalit.

2)     Të ardhurat vjetore të tatueshme nga biznesi, përcaktohen si shuma e përgjithshme e të ardhurave të biznesit, pakësuar me shpenzimet përkatëse të dokumentuara dhe të kryera me qëllim fitimin, ruajtjen dhe sigurimin e të ardhurave. Të ardhurat vjetore të tatueshme të biznesit duhet të llogariten në përputhje me Pjesën 4 të këtij ligji.

NË LINK MË POSHTË GJENI DRAFTIN E PLOTË QË U ËSHTË DËRGUAR BIZNESEVE PËR KONSULTIM:

Ligji për tatimin mbi të ardhurat – Draft/Monitor