BallinaKryesoreSekti Rama, indiferencë dhe mungesë totale të skudit social

Sekti Rama, indiferencë dhe mungesë totale të skudit social

Nga Bujar Leskaj

Kanë kaluar 84 ditë nga krijimi me Akt Normativ nr. 5 më 12 mars 2022 i Bordit të Administrimit të Karburanteve dhe 78 ditë nga krijimi me Akt Normativ Nr. 7 më 18 mars 2022 i Bordit të Transparencës për Çmimet Bazë për produktet ushqimore).

Sikurse e kam theksuar dhe në shkrimin “Shuplaka e FMN ndaj sektit Rama” të datës 23 maj, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në deklaratën përmbyllëse të misionit të tij në Shqipëri më 19 maj 2022, kërkoi zëvendësimin e Bordit të Transparencës për ushqimet bazë me mbështetje qeveritare të mirë-orientuar për të varfërit dhe shtresat e ekspozuara, me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së çmimeve.

Sipas Bankës Botërore në Raportin e saj “Perspektiva e Tregjeve të Mallrave. Impakti i Luftës në Ukrainë në Tregjet e Mallrave” të 26 prillit 2022(https://openknowledge.worldbank.org/bitstream/handle/10986/37223/CMO-April-2022.pdf ), invazioni rus në Ukrainë ka sjellë një goditje historike në tregjet e mallrave, goditje e cila do të mbajë çmimet globale të larta deri në fund të vitit 2024.

I.   Skudi social në Evropë dhe mungesa dramatike e tij në Shqipëri

Bazuar në një prognozë të tillë, shtetet e Evropës Perëndimore, të rajonit tonë por edhe më gjerë në botë, kanë aplikuar vendosjen e një skudi(mburojë mbrojtëse) të mirëfilltë social, me programe të detajuara dhe të mirë-targetuara,  për të kanalizuar të gjitha të ardhurat shtesë të buxheteve të tyre për shkak të çmimeve të larta, në mbrojtje të të varfërve dhe të shtresave në nevojë.

Ndërhyrjet për vendosjen e skudit social janë përqëndruar në Bashkimin Evropian në dy drejtime. Së pari, duke realizuar indeksimin e plotë dhe të menjëhershëm të pagave me inflacionin korent. Së dyti, duke ndërmarrë programe të drejtpërdrejta të ndihmës sociale, nëpërmjet akordimit të një pagese me transfertë bankare për shtresat më vulnerabël.

Nuk ka domosdoshmëri të shikojmë paketat e drejtpërdrejta të ndihmës, të zbatuara anëtare të Bashkimit Evropian(për shembull nga Italia, qeveria e së cilës u kalon drejtpërsëdrejti 200 euro në muaj familjeve italiane me të ardhura modeste, që nga marsi 20222),  por mjafton t’i referohemi vendimit të fundit të prillit 2022 të qeverisë së Kosovës, e cila jep 100 euro në muaj për çdo punonjës të administratës shtetërore, për përballimin e rritjes së çmimeve, nga Programi i Ringjalljes Ekonomike.

Tek ne, sipas raportit të Ministrisë së Financave më 17 maj 2022 (https://www.financa.gov.al/permbledhje-e-performances-paraprake-4-mujore-te-te-ardhurave-dhe-shpenzimeve-2/) , janë 32 miliardë lekë të ardhurat shtesë në buxhetin e shtetit për periudhën janar-prill 2022, për shkak të rritjes së çmimeve, ose 277 milionë euro. Asnjë program për të mbështetur shtresat  dhe qytetarët në nevojë, ashtu si rekomandon FMN dhe si ka vepruar në muajt e fundit qeveria e Kosovës, pa përmendur masat sociale të qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi.

Tek ne, mbështetja me 3 mijë lekë në muaj e pensionistëve me pension të vogël ose kryefamiljarë, si dhe e familjeve në ndihmë sociale, e akorduar në mesin e marsit, në kuadër të Paketës së Rezistencës Sociale, e mbiquajtur jo pa arsye edhe Paketa e Lëmoshës Sociale, është krejtësisht e pamjaftueshme, pasi kostot shtesë të rritjes së ushqimeve bazë janë 2-2.5 herë më shumë se sa ndihma e dhënë. Sikurse e analizon saktë Instituti Shqiptar i Shkencave, një OJF serioze dhe profesionale, që menaxhon portalin e njohur www.opendata.al, të shtatë masat e ndërmarra si rezistencë sociale((i) indeksim i menjëhershëm i pensioneve, (ii) 3 mijë lekë për tre muaj, (iii) nafta pa taksa për fermerët, (iv)subvencioni i çmimit të transportit ndërurban, (v) afrimi me dy muaj i zerimit të taksës për pagat deri 400 mijë lekë në muaj, (vi) afrimi me dy muaj i rritjes së pagës minimale në 320 mijë lekë në muaj dhe (vii) 20 miliardë lekë për financimin e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël), përgjithësisht nuk janë masa të reja, por vijim i politikave të planifikuara që në fundvitin e kaluar me përgatitjen dhe miratimin e Planit të Buxhetit të Shtetit 2022. Pra, çfarë shitet për ndihmë sociale përfaqëson në fakt kontingjentim të kostove shtesë të planifikuara që në tetor 2021!

Indeksimi i menjëhershëm i pagave me nivelin mesatar të çmimeve të rritura ndjeshëm edhe tek ne, sigurisht që do të ndihmonte në zbutjen e inflacionit (duke zëvendësuar normat aktuale të pritshme të inflacionit), për të balancuar pritshmëritë e larta të tregut dhe të bizneseve në përgjithësi për normën e ardhshme të inflacionit. Nëse indeksimi i pagave do të kishte një nivel zbatimi automatik me shifrat e konfirmuara nga INSTAT (sikurse po ndodh në vendet e BE-së dhe në disa nga vendet e rajonit tonë), menjëherë dhe pa kompromis, kjo do të amortizonte çmimin e inflacionit dhe do të zbuste pasojat sociale edhe në Shqipëri.

Edhe në rajonin tonë, indeksimi i pagave minimale, që është bërë fakt nga vendimet e qeverive së fundmi, është bërë i ndjeshëm në Kosovë  me 47 % rritje, në Serbi me 9.4% rritje, në Malin e Zi me 202.7% rritje, Maqedoninë e Veriut me 18% rritje dhe në Bosnjë-Hercegovinë me 9.2%. Këto rritje të forta të nivelit të pagës minimale nga indeksimet e kryera, kanë sjellë në shtimin e efektivitetit të politikës stabilizuese anti-inflacioniste në vendet e rajonit. Tek ne që kemi ndër nivelet më të ulta të pagës minimale në rajon, rritja ka qenë vetëm me 6.6%!

II.   Vijimi skandaloz i menaxhimit me borde ose rrënimi i mëtejshëm i ekonomisë kombëtare

Me funksionimin e bordeve, tregu dhe ekonomia jonë kanë hyrë në masë të konsiderueshme në një nivel kombëtar të kufizimit të vendimarrjes së bizneseve, nga faza e e prodhimit deri te faza e tregtimit. Vendimet e bordit për karburantet kanë prekur të gjithë zinxhirin e furnizimit, ndërsa ato për produktet ushqimore bazë prekin zinxhirin e prodhimeve dhe tregtimit në ekonomi.

Efekti parësor që ka dhënë Bordi për Transparencën e çmimit të karburanteve, që nga ditët e para të funksionimit me vendimet e tij, është ai i kufizimit të xhiros dhe furnizimit me karburant në biznesin e sektorit në jo të njëjtën mënyrë. Janë favorizuar, përmes vendimeve të bordit, kompanitë e mëdha importuese dhe tregtuese të karburanteve, kurse bizneset dhe pikat e pakicës, të cilat kanë ndërtuar marrëdhënie kontraktore bazuar mbi planet e tyre, tashmë jane vendosur përballë një konkurrence edhe më të fortë se më përpara, duke rrezikuar falimentimin.

Vendimet e bordeve, ku nuk ka asnjë përfaqësues të organizatave serioze dhe të konsoliduara të shoqërisë civile në mbrojtje të qytetarit, si dhe kontrollet e çmimeve të caktuara nga bordet, kanë çuar në favorizime të bizneseve të mëdha pranë qeverisë, në të gjitha tregjet e menaxhuara prej bordeve. Konkurrenca në treg është bërë akoma më shumë e padrejtë për një segment të gjerë të pikave të tregtimit me pakicë të ushqimeve bazë dhe të karburanteve, duke sjellë përkeqësimin jo vetëm të treguesve të shitjes dhe të qarkullimit, por edhe të situatës së tyre financiare.

Ndërhyrja në vendimmarrjen e biznesit të shitjeve me pakicë dhe shumicë të ushqimeve bazë dhe të karburanteve do të ishte dramatike dhe do të linte pasoja afatmesme, edhe po të kishte qenë vetëm për 4 apo 6 javë, kohë e mjaftueshme për të neutralizuar të gjitha pasojat e efekteve psikologjike mbi rritjen e çmimeve nga kriza në Ukrainë. Neutralizimi i efekteve psikologjike mbi çmimet duhej të kishte bërë që bordet të shkriheshin me akt normativ të mbylljes, që në fund të muajit prill. Ato kanë vazhduar me efektet e tyre vrastare edhe për më shumë se një muaj që nga fundi i prillit, duke shkaktuar mungesa dhe përkeqësuar problemet e zinxhirit të furnizimit në tregjet e menaxhuara me borde.

Sidomos në tregjet e ushqimeve bazë, ku prania e kompanive të mëdha mbizotëruese është më e pakët, çmimet e caktuara nga lart kanë sjellë kufizime jo vetëm për produktet dhe bizneset që operojnë me to, por pasojat janë shtrire edhe tek furnizuesit e tyre, të cilët së bashku po ndeshen me probleme të likujditetit dhe pamundësisë për të paguar në kohë për furnizimet. Këto probleme po agrovahen çdo ditë që kalon me funksionimin e bordeve!

Qeveria e sektit Rama po tregohet tërësisht refraktare dhe e papërgjegjshme ndaj konstatimeve dhe sinjaleve të ardhura jo vetëm nga raportet e institucioneve prestigjoze ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore, por edhe ndaj (i) raporteve të institucioneve të pavarura mbikëqyrëse lidhur me situatën e tregut, (ii) analizave mbi marrëdhëniet e punës dhe informalitetit, (iii) raporteve të organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare të biznesit për nivelin e evazionit dhe ambientit të biznesit, (iv) raporteve të Bankës së Shqipërisë lidhur me situatën e monedhës kombëtare Lek në treg dhe këmbimit të tij, i ndikuar nga importi, si dhe (v) paqartësive të sistemit financiar që prej kohësh ka treguar probleme të kreditimit dhe rritjen e borxheve të brendshme midis bizneseve shqiptare.

Në kushtet e ekonomisë sonë me sistem financiar jo të zhvilluar, me sektorë ende në ristrukturim dhe me pamundësi të politikave subvencionuese, për shkak të mungesës së ndjeshmërisë ndaj qytetarëve në vështirësi dhe qasjes shkatërruese të qeverisjes Rama me koncesionet dhe PPP-të, në kushtet kur nuk mund të kërkojmë zgjidhje në vënien në funksion të plotë të institucioneve monitoruese dhe ligjzbatuese të rregullave të tregtisë së lirë në tregjet tona, për shkak të vijimit me kokëfortësi të mbajtjes së bordeve në sektorë jetikë të ekonomisë sonë, nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të asistojmë të pafuqishëm, për momentin, në rrënimin e mëtejshëm të ekonomisë kombëtare.

Këmbana e misionit të FMN-së në raportin e tij përmbyllës më 19 maj 2022, për të rindërtuar urgjentisht amortizatorët e politikës fiskale (“Një konsolidim fiskal afatmesëm i besueshëm dhe i bazuar në të ardhurat është tani edhe më vendimtar për të rindërtuar amortizatorët e politikës fiskale, të cilët janë dobësuar në masë të madhe”. (https://www.imf.org/en/News/Articles/2022/05/19/pr22161-imf-staff-concludes-a-staff-visit-to-albania ), jo vetëm nuk po dëgjohet nga sekti Rama në qeverisje, por po përqeshet e injorohet tërësisht, me ligjin e ri të Tatimit mbi të Ardhurat, i cili do të hidhet për diskutim publik këto ditë dhe targeton profesionet e lira, duke rënduar akoma dhe më shumë gjendjen e shtresës së mesme, e cila drejton konsumin, dhe duke e shtyrë atë edhe më fort të kërkojë rrugëdalje tek emigracioni, informaliteti dhe tek të korruptuarit e punonjësve tatimorë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular