BallinaEkonomiRaporti Vjetor/Bujar Leskaj: 5 sfidat e forta që Banka e Shqipërisë duhet...

Raporti Vjetor/Bujar Leskaj: 5 sfidat e forta që Banka e Shqipërisë duhet të ketë parasysh për t’i përballuar në të ardhmen e afërt..

Raporti Vjetor i Bankës së Shqipërisë jep një përshkrim të detajuar të reagimit të saj ndaj krizës së pandemisë gjatë vitit 2021 dhe rritjes së ndjeshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare në gjysmën e dytë të vitit 2021.Duke vlerësuar progresin e shënuar në forcimin e kapaciteteve profesionale, mbështetjen e proceseve të integrimit evropian, në fuqizimin e aftësisë për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në bankat e nivelit të dytë, në forcimin e sistemeve të brendshme të qeverisjes së institucionit dhe në rritjen e veprimtarisë së kërkimit shkencor brenda në bankën qendrore, dua të evidentoj disa sfida të forta që Banka e Shqipërisë duhet të ketë parasysh për t’i përballuar në të ardhmen e afërt..
Së pari, ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit, në respektim të mandatit të saj ligjor. Kjo qëndrueshmëri sot më shumë se kurrë është vënë në provë, për shkak të uljes së theksuar të nivelit të konsumit që pritet të vijë pas përfundimit të muajve të turizmit veror. Duke filluar nga gjysma e shtatorit 2022 dhe më tej, presioni i jashtëzakonshëm i çmimeve tejet të larta ndërkombëtare, jo vetëm të karburanteve dhe të energjisë elektrike, por edhe të ushqimeve bazë, do të detyrojë familjet dhe sipërmarrjet e vogla shqiptare të ulin ndjeshëm konsumin e tyre. Shenjat e para janë të dukshme në këtë periudhë të qeverisjes së disa tregjeve kryesore me borde të transparencës dhe këto shenja do të vijnë duke u theksuar në periudhën shtator-dhjetor 2022 e më tej.
Si rezultat, si të ardhurat buxhetore dhe treguesit makroekonomikë të inflacionit, raportit të këmbimit të monedhës kombëtare, nivelit të kredive bankare për ekonominë dhe kostos së parasë do të ndodhen përballë sfidës së ruajtjes së qëndrueshmërisë, me këtë ulje konsumi.
Së dyti, problematikat e vërejtura gjate vitit 2021 lidhur me parandalimin e pastrimit të parave, nënshkrimin elektronik, lidhjen e kontratave në distancë dhe promovimin e përdorimit të dokumenteve elektronikë dhe informacioneve të nevojshme gjatë aplikimeve online të qytetarëve pranë bankave.
Viti 2021 solli zbulimin e një skeme pastrimi parash në nivel të 18 milionë eurove, të sipërmarrësit italian Francesco Zummo, të dyshuar për lidhje me mafian italiane, pranë një banke të nivelit të dytë në Shqipëri, nëpërmjet transfertave nga kompani fiktive të naftës. Ky rast duhet të na shërbejë për një reflektim të thellë të të gjitha përpjekjeve të bëra nga institucionet ligjzbatuese të vendit, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, për të parandaluar pastrimin e parave nëpërmjet sistemit tonë bankar. Raporti 2021 i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave flet për dyfishim të numrit të rasteve të pastrimit të parave gjatë vitit të kaluar dhe sistemi ynë bankar nuk është imun ndaj kësaj dukurie.
Banka e Shqipërisë duhet të ndihmojë me të gjitha kapacitetet e saj në përballimin e sfidave të nënshkrimit elektronik, lidhjes së kontratave në distancë dhe përdorimin gjithnjë e më të dendur të dokumenteve elektronike nga sipërmarrësit dhe qytetarët gjatë aplikimeve të tyre online për kredi ose shërbime të tjera bankare. Të gjitha këto do të lehtësonin më tej digjitalizimin, jo vetëm të pagesave, por dhe të shërbimeve të tjera, si huadhënia dhe investimet, duke kontribuuar ndjeshëm në objektivin e përbashkët të formalizimit dhe rritjes së qëndrueshme të ekonomisë, në vite jashtëzakonisht sfiduese për vendin.
Së treti, pavarësisht uljes graduale të nivelit të kredive me probleme gjatë viteve të fundit, ngadalësimi i ritmeve të rritjes ekonomike dhe ulja e konsumit do të sjellin pashmangshmërisht në vështirësi në rritje për sipërmarrësit dhe qytetarët që t’u përmbahen detyrimeve kontraktuale në shlyerjen në kohë të kësteve të kredive që kanë marrë. Duke u bazuar në një eksperiencë të mirë të ndihmës së dhënë ndaj bankave të nivelit të dytë në ristrukturimin e mjaft kredive me probleme, Banka e Shqipërisë duhet jo vetëm të mbajë ritmin e deritanishëm, por të intensifikojë përpjekjet e saj për ndihmën konkrete ndaj sipërmarrjeve dhe qytetarëve në gjendje të shëndetshme apo premtuese ekonomike, por në vështirësi të përkohshme likuiditeti.
Së katërti, problem i mprehtë është kosto ende e fryrë e sistemeve të pagesave në tregun e bankave të nivelit të dytë, pra në shërbimin e transfertave bankare për qytetarët dhe sipërmarrësit. Mediat vijojnë të denoncojnë gati në nivel ditor pakënaqësi të sipërmarrësve dhe qytetarëve, jo vetëm për kohën e gjatë të përpunimit të një transferte bankare, por edhe kostot dukshmërisht më të larta të transfertave bankare, krahasuar me transferta identike në vendet e tjera të rajonit.
Së pesti dhe së fundi, por jo e fundit për nga rëndësia, gjykoj se Banka e Shqipërisë duhet të kontribuojë më shumë dhe më fort në përgjegjësitë që i ngarkon roli i saj ligjor i agjentit fiskal dhe i këshilltarit për qeverinë, në dritën e disa politikave fiskale të ndërmarra nga qeveria në kohët e fundit, mjaft të kontestuara nga komuniteti i biznesit dhe grupe të ndryshme të interesuara qytetarësh, si fermerët, profesionistët e lirë, etj.
Propozoj për bankën tonë qendrore përgatitjen dhe realizimin e një Strategji afatmesme 2022-2024 të Përballimit të Efekteve Kaskadë të Çmimeve Ndërkombëtare të Rritura mbi ekonominë tonë, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, si dhe me institucionet e tjera qendrore dhe ato të pavarura, me shoqërinë civile, mediat dhe me grupet e tjera të interesit.
Çmimet tejet të larta ndërkombetare të mallrave dhe shërbimeve, sipas parashikimeve profesioniste të ekspertëve të Bankës Botërore në vrojtimet dhe studimet e tyre të fundit, do të vijojnë të qëndrojnë të tilla deri në fund të vitit 2024. Për ne është e domosdoshme një punë e përbashkët, e filtruar përmes një strategjie koherente dhe një plani konkret veprimi. Kjo strategji të sherbejë si udhërrëfyesja e BSH në veprimet e saj për të nxitur kredinë bankare dhe konsumin, si dhe, njëkohësisht, për të mbajtur të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm parametrat kryesorë të performancës së tregut bankar dhe në tërësi atij financiar të vendit.

Bujar Leskaj

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular