BallinaKryesoreSKANDALI/ Nga pagat e targat te publikimi i numrave të celularëve, si...

SKANDALI/ Nga pagat e targat te publikimi i numrave të celularëve, si i keqpërdorën patronazhistët të dhënat e shqiptarëve! Asnjë i dënuar

 Miliona të dhëna private të shqiptarëve janë bërë, publike ndërkohë që para drejtësisë nuk ka ende asnjë të dënuar. Patronazhistët mblodhën të dhënat sensitive të shqiptarëve, të cilat i keqpërdorën ato për qëllime elektorale. Çështja e patronazhistëve u publikua përpara zgjedhjeve të 25 prillit.

PS kishte një database me të dhënat e mijëra qytetarëve dhe preferencat e tyre partiake. Publikimi i tyre u bë shkak nga njëri skandal te tjetri me publikimin e të dhënave personale të qytetarëve shqiptarëve. Fillimisht publikimi i pagave, më pas targat e automjeteve dhe së fundmi dolën në shitje numrat celularë të shqiptarëve. 162 qytetarë të Qarkut të Tiranës, të përfaqësuar nga organizata rinore “GUXO”, paditën PS-në në SPAK për çështjen e zotërimit të paligjshëm të të dhënave personale për qëllime politike gjatë fushatës zgjedhore, të njohur gjerësisht si “patronazhistët”. Sipas hetimeve të deritanishme të SPAK për skandalin e “patronazhistëve”, keqpërdorimi i të dhënave personale të mbi 900 mijë shqiptarëve nga PS para zgjedhjeve të 25 prillit, nuk përbën veprën penale “korrupsion aktiv të zgjedhje”.

PAGAT

Pas keqpërdorimit të të dhënave private të shqiptarë nga patronazhistët e PS-së, më 22 dhjetor 2021 vendi u përfshi nga një tjetër skandal. Qytetarëve iu publikuan pagat e tyre, krahas së cilës tregohej edhe numri i kartës së identiteti dhe vendi ku ata punojnë. Pagat e mbi 637 mijë punonjësve në sektorin publik dhe atë privat kanë rrjedhur në rrjetet sociale duke bërë që çdokush të ketë akses në të dhënat personale të tyre. Lista e pagave, një dokument në formatin “excel” qarkulloi në “WhatsApp”, duke përbërë një shkelje flagrante të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë.

Kjo bëri që Prokuroria e Tiranës të nisë hetimet për Drejtorinë e Tatimeve nga dyshohej se mund të kishte rrjedhë informacioni. Rrjedhja e këtyre të dhënave rrezikon edhe vjedhjen e identitetit apo abuzimet në rrjetet financiare apo bankare para keqbërësve dhe hakerave.

Lista i përket muajit janar 2021, ku nga të dhënat rreth 40 mijë persona kanë të ardhura nga 100 mijë lekë deri në 2 milionë lekë në muaj, 59 të tjerë kanë rrogë nga 2 milionë deri në 4 milionë lekë, ndërsa 23 persona kanë pagë nga 4 milionë deri në 50 milionë në muaj. Qeveria mohoi që ky informacion të ketë dalë nga Ministria e Ekonomisë dhe se dokumenti që ka rrjedhur nuk ka të njëjtën paraqitje me dokumentin zyrtar që disponon kjo ministri, nuk përmban emrin e plotë dhe se është bashkim i disa copave të ndryshme. Për skandalin me publikimin e pagave reagoi edhe Presidenti Ilir Meta dhe Partia Demokratike.

TARGAT

Dy ditë pas publikimit të pagave, pikërisht më datë 24 dhjetor të vitit të kaluar, skandali veçse u thellua më tej pasi u publikua databaza me mbi 530 mijë targa të automjeteve të qytetarëve shqiptare, përfshirë dhe institucionet. Pas publikimit të rrogave, numrave të telefonit dhe të dhënave të tjera të qytetarëve, në rrjet qarkulloi një databazë me targat e shqiptarëve, duke sjellë rëndim të skandalit. Në një dokument në “Exel” dukeshin qartë të ndara me kolona, targat, modeli i automjetit, tipi, ngjyra e tij, numri i shasisë dhe emrin e personit që e ka në pronësi. Janë 530 452 qytetarë, të cilëve u janë publikuar të dhënat e automjetit të regjistruar në emrin e tyre. Në databazë listohet targat bashkë me emrin të cilit i përket automjeti që ka këtë numër identifikues. Është paralajmëruar se në ditët në vijim do publikohet dhe databaza e kredive. Po ashtu, në rrjetin ‘Whatssap’ qarkulloi dhe lista me numrat e telefonave. Kryeministri Rama deklaroi se të dhënat kanë rrjedhur nga individë të brendshëm dhe nuk kemi të bëjmë me një sulm kibernetik.

Tre milionë numra telefoni të shqiptarëve për shitje online

Pas publikimit të pagave të qytetarëve shqiptarë dhe targave të makinave, një tjetër skandal me të dhënat personale është publikuar. Bëhet fjalë për numrat e telefonit të 3 milionë shqiptarëve, që janë reklamuar në një faqe në internet për t’u shitur. Mjafton të kesh një kartë banke dhe në pak sekonda bëhesh posedues i tyre. 4.000 dollarë është çmimi për blerjen e 3 milionë të dhënave për numrat shqiptarë të telefonisë mobile. 1.500 dollarë nëse do të blesh të dhënat e 1 milion numrave, 1.000 dollarë për 500.000 numra dhe vetëm 350 dollarë për 100.000 numra.

Poseduesi i 3 milionë numrave telefonikë të shqiptarëve dhe shitësi i tyre përmes një platforme në internet është një person, i cili përdor emrin Munnaf Hossain. Sipas tij, lista që ai ka nxjerrë në shitje është e saktë, autentike, e freskuar me informacione korrekte shoqëruar me numrin e telefonit, emrin e personit dhe kodin postar. Për ta vërtetuar këtë, Munnaf Hossain ka publikuar në faqen e tij në internet si shembull një pjesë të kësaj database. Pas verifikimeve ka rezultuar se numrat janë në përdorim dhe u përkasin personave, emri të cilëve shkruhet në të djathtë të kësaj liste.

Mbetet e paqartë se si Munnaf Hossain ka mundur të sigurojë 3 milionë numrat e celularëve të shqiptarëve në një kohë kur ligji parashikon në mënyrë strikte se kush duhet t’i disponojë këto numra. Komisioneri për të Drejtën e Informimit ka reaguar pas publikimit të lajmit për një tjetër skandal të thyerjes të së drejtës të të dhënave personale, ku numrat e telefonit të tre milionë shqiptarëve janë reklamuar në një faqe në internet për t’u shitur. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale do të ndërmarrë një hetim administrativ, duke kërkuar bashkëpunimin e çdo institucioni përgjegjës për qartësimin e rrethanave të çështjes. Valentina Madami

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular