BallinaAktualitet“S’ka shpëtim veç riedukimit”/ Shkelën rëndë rregullat e qarkullimit rrugor, shoferëve që...

“S’ka shpëtim veç riedukimit”/ Shkelën rëndë rregullat e qarkullimit rrugor, shoferëve që u hiqen pikët rinisin kursin për patentë

Me ashpërsimin e Kodit të ri Rrugor, që parashikon heqje të patentës për shkelësit e rëndë të rregullave të qarkullimit, janë paraqitur edhe rastet e para të shoferëve që humbën të gjitha pikët e patentës.

Ata u drejtuan dje pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor (DPSHTRR) për të rifituar lejen e drejtimit. Nga 13 shkelës në total, vetëm gjashtë prej tyre shfaqën interes për t’iu nënshtruar testit të teorisë dhe që të gjashtë ngelën. Kjo nënkupton automatikisht rikthimin në autoshkollë nga e para për t’iu nënshtruar në përfundim testit të teorisë e praktikës. Ndryshe nga të tjerët, nuk lejohet të bëjnë më shumë se tri gabime dhe sa i takon teorisë, sipas DPSHTRR, ata do të “përndiqen” nën një monitorim të rreptë edhe në vijim në rast të shkeljeve të përsëritura.

APELI I DPSHTRR

Vetë Drejtoria e Përgjithshme e Transportit bëri publike në rrjetet sociale rastet e para të humbjes së pikëve të lejes së drejtimit me qëllim për të apeluar drejtuesit e tjerë në qarkullim në respektimin e rregullave. “DPSHTRR priti 13 rastet e para, ku u paraqitën vetëm 6 aplikantë dhe që të 6-të u rrëzuan në testin e teorisë, çka i ridërgon ata nga e para në autoshkollë për t’u ripërgatitur dhe për t’u riparaqitur për testim brenda një afati 30-ditor. Humbësit e të gjitha pikëve të lejes së drejtimit, të cilët i nënshtrohen ritestimit, përfshijnë rastet më të rënda të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor si: përdorimi i alkoolit ose i lëndëve narkotike gjatë drejtimit të mjetit, kalimi i semaforit me të kuqe, thyerje e normave të shpejtësisë, parakalime të gabuara e të rrezikshme që kërcënojnë jetën e përdoruesve të rrugës”, citohet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, ku apelohen drejtuesit e mjeteve të sillen mirë në timon, pasi në të kundërt do të duhet të rifillojnë gjithçka nga e para. “Iu bëhet thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të respektojnë normat e qarkullimit rrugor sepse nëse do t’i humbin të gjitha pikët, do të rikthehen në autoshkollë dhe më pas nën monitorim të rreptë, do ta rifitojnë patentën vetëm nëse nuk kanë mbi 3 gabime në pyetësorin me 30 fjali, si edhe nëse kalohet testi i praktikës! Kjo kohë, angari e kosto mund të shmanget vetëm duke u sjellë korrekt në timon e duke mos rrezikuar veten dhe të tjerët në rrugë!”.

PROCEDURA PËR LEJEDREJTIMIN

Ata drejtues mjeti që humbin njëzet pikët që kanë ose iu hiqet direkt leja e drejtimit pas shkeljeve të rënda, do të duhet t’u nënshtrohen provimit teorik në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Testi i informatizuar nuk është si i pari, por i një lloji tjetër. Do të jenë në total 30 pyetje që do të duhet të zgjidhen për 30 minuta. Të gjitha pyetjet do të jenë nga kapitulli 5 i Kodit Rrugor “Normat e sjelljes” dhe për ta kaluar me sukses mund të bëhen deri në tri gabime maksimalisht.

Procedura që duhet të ndjekë një drejtues mjeti që humb pikët e patentës është të paraqitet pranë DPSHTRR-së ku ka vendbanimin për të bërë regjistrimin për provën e teorisë kundrejt një tarife prej 1500 lekësh. Pas dorëzimit të dokumentacionit, aplikanti pajiset me leje për regjistrim dhe hyrje në provë teorie, e vlefshme për 30 ditë nga data e lëshimit. Me fitimin e provimit, aplikanti merr lejen e drejtimit me 20 pikë. Nëse jo, hyn nga e para në autoshkollë për testin e teorisë dhe praktikës. Personat e interesuar mund të shkarkojnë online libërthin e shoferit për sigurinë rrugore, në të cilin gjejnë gjithë paketën e informacioneve që ata duhet ta dinë, ose e dinë, por nuk e zbatojnë.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments