Lidhur me këtë, ish-deputeti Braho tha se është një vendim i gabuar, pasi ai që e merr me koncesion Pallatin e Brigadave mund të bëjë disa investime dhe pas disa vitesh ka të drejtë ta privatizojë. Pra, sipas ish-deputetit socialist, Pallati i Brigadave mund të përfundojë edhe në një disko.

Pjesë nga intervista:

Regjistrimi i pronave
Braho: Turp i madh. Këtë punë ka bërë Zogu, se të paktën Enveri e shpërndau pronën te fshatarët, sipas parimit që toka i takon atij që e punon. Zogu pasurinë shtetërore e shpërndau te oligarkët apo feudalët e asaj kohe, ua fali edhe mjaft të tjerëve.


Këtë po bën dhe Rama. Pushteti po rrëshqet djathtas, por jo djathtas sipas parimeve ligjore, por sipas orekseve dhe frymëzimit politik që ka Rama, që nuk është për të mbështetur parimet e humanizmit social, që është karakteristik e partive të majta. Këto pronat po i merr një klasë e caktuar e borxhezisë së re, të cilët po e copëtojnë këtë vend keqazi, ndërkohë që mileti vuan për bukën e gojës. Është turp t’i heqësh 3 mijë lekëshin sot pensionistit. Këta po i grabisin dhe nuk po ndalen asnjë minutë në këtë grabitje galopante.

Pallati i Brigadave me koncension…
Pallati i Brigadave u ndërtua rreth viteve 35-40 dhe u konceptua si simboli i madhështisë së mbretërisë, të mbretit Zog në atë kohë, me fonde shtetërore e donacione të Italisë. Qe një vepër arkitektonike shumë e goditur, shumë e bukur. Ka një histori të asaj, sepse lidhet me periudhën e luftës. Atje qeveritë, në kohën e fashizmit, bënin mbledhjet. Madje në një mbledhje qeverie arriti të binte dhe një predhë topi e brigadave të partizanëve. Ky i jep me koncesion dhe pastaj përfundojnë në disko. Kam dyshim. Nëse e merr me qira apo me koncesion, ai kur të ketë bërë dhe disa investime, ka të drejtë edhe ta privatizojë. Më vjen keq që një vepër me vlera të përfundojë kështu. Të gjitha pritjet atje janë bërë. Ku do vejnë të futen pastaj? Në Surrel? Pastaj duhet të marrë leje nga koncesionari. Është një histori ende me të panjohura.

Legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore…
Te ky përdorimi vetjak ka parasysh edhe veten e tij, se ai fumator kanabisi e droge ka qenë në rininë e tij, e deri vonë. Por, le ta pijë, punë e tij. Ne jemi të papërgatitur për legalizimin e kanabisit. E para, ekonomikisht kjo përvojë, të cilën e kali Maqedonia, nga informacioni që kam unë është një sektor që ka dalë me humbje, nuk ka sjellë gjë. Por, kjo do masa të forta. Të lejosh kultivimin industrial, thotë ai, do të thotë të marrësh masa, të kesh një siguri të plotë. Se këtu për dy vjet, 2015-2017 këtu u bë nami, me qeverisjen e Ramës u bë nami, u kanabizua Shqipëria, dhe fitoi një kategori në atë periudhë. Ikën nga 300-400 milionë euro nga shitja e kanabisit, të atyre që e lejuan në bankat e Zvicrës. Në rastin konkret ne nuk jemi të përgatitur, me ligj, se duhet ndërtuar kuadri ligjor fillimisht. Është e parakohshme, e gabuar, në këtë fazë, dhe nuk ka përvojë pozitive. Përvoja maqedonase është skandal fare.