BallinaIntervista“Kundër Mesit, do të jetë një stres i mirë”, Qazim Laçi: Ne...

“Kundër Mesit, do të jetë një stres i mirë”, Qazim Laçi: Ne nga Dibra e kemi zakon…

Ai mungoi në nde shjet e Kombëtares në muajin qershor për shkak dëmtimi, por Qazim Laçi thotë për “Panorama Sport” se është duke u rikuperuar dhe se në sfidat e radhës në shtator do të rikthehet për të synuar vendin e parë në grupin e Ligës së Kombeve.

Këtë herë Laçi do të marrë një të ftuar speciale, të dashurën e tij franceze, pasi, siç thotë ai: “E kemi detyrim ta sjellim të shohë Shqipërinë, sidomos ne nga Dibra”. Mesfushori flet gjithashtu për aventurën në ligën kryesore në Francë, si dhe për kundërshtarët me të cilët do të përballet.

E keni përfunduar fazën e rikuperimit nga dëmtimi, apo jo?

Nuk e kam përfunduar ende 100 për qind, po eci ngadalë, edhe ndeshjet nuk i kam bërë të plota. Marr disa minuta që të mos rrezikoj të shfaqet sërish dëmtimi, derisa të rikuperohem plotësisht. Në ndeshjet që kemi luajtur deri tani kam marrë 10 deri në 15 minuta lojë dhe avash-avash do të aktivizohem më shumë.

Tani rikthimi do të jetë edhe më i bukur, sepse do të luani edhe mes ekipeve më të mira në Francë, në një kampionat më të fortë.

Patjetër. E presim pak me stres, të them të vërtetën, pasi janë disa ekipe ndaj të cilave nuk kemi luajtur kundër, por besoj do të jetë një stres i bukur. Do të nisim kampionatin kundër Lionit, së pari për këtë duhet të gëzohemi, dhe të përgatitemi fort. Më pas si të shkojë ndeshja, shpresojmë për një sezon të mirë dhe me rezultate pozitive. Përveç faktit të arritjes për të luajtur në këtë kampionat, besoj do të jetë edhe e vështirë me kundërshtarë si Mesi, Nejmar, Mbape… Siç thashë, do të jetë një stres i mirë që ia vlen. Të luash pranë këtyre lojtarëve nuk ka nevojë të kesh stres për keq, sepse nuk humb asgjë, por vetëm përfiton gjëra.

Ju personalisht, besoj, mezi e prisni ndeshjen me lojtarë të këtyre niveleve, apo jo?

Patjetër, sidomos tani që edhe lojtarë të vendeve të tjera po vijnë në Francë, kampionati do të bëhet edhe më i fortë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm sepse këtë vit janë 4 ekipe që do të bien nga kategoria e parë. Nga viti tjetër do të ndryshojë skema e kampionatit, do të jenë 18 ekipe dhe do të bien 4 në kategorinë më poshtë. Kjo do të jetë pak më e vështirë për disa ekipe që nuk e kanë buxhetin të lartë.

Shumë lojtarë dhe shokë tuaj të ekipit kombëtar kanë ndryshuar skuadër këtë verë. Ju do të vazhdoni të qëndroni tek Azhakso?

Për momentin nuk kam plan për të lëvizur sepse kam akoma një vit kontratë, varet edhe nga sezoni. Unë kam 5 vjet që luaj me këtë ekip në kategori të dytë, ky është viti i 6- të, dhe tani që erdhi momenti që jemi ngjitur, nuk besoj se do të ishte ide e mirë për të lëvizur. Besoj që është mirë ta provoj edhe kategorinë e parë me këtë ekip me të cilin kam kaq vite që luaj.

I keni ndjekur ndeshjet e fundit të Kombëtares?

Po, i kam parë, por jo nga afër në stadium. Unë besoj se i kemi akoma shanset. Nuk morëm rezultatet që dëshironim, por kemi edhe vlerat, edhe shanset edhe cilësitë si ekip për të dalë në vendin e parë.

qazim laci

Si mund të dalim në vendin e parë?

Disa lojtarë sa kishin mbaruar sezonin, disa të tjerë nuk e kishin mbyllur ende dhe prandaj nuk ishin mbledhur të gjithë. Besoj se këtë herë, kur të mblidhemi të gjithë, siç e the edhe ti… ka shumë lojtarë që kanë lëvizur në ekipe të mira, niveli i Kombëtares do rritet edhe më shumë. Kështu që, do të kemi më shumë mundësi për t’i fituar ndeshjet.

Meqë jemi këtu, do të ktheheni në shtator në Kombëtare, a ju shqetëson fakti që në mesfushë është rritur konkurrenca?

Nuk është vetëm konkurrenca në mesfushë ose pozicioni, kur je në Kombëtare e ke konkurrencën, të gjithë lojtarët e meritojnë ftesën që kanë marrë. Nuk besoj se ka ndonjë lojtar në Kombëtare që thotë se është stabël në ekip, kjo nuk ekziston. Të gjithë lojtarët mundohen të japin më të mirën dhe maksimumin që Kombëtarja të arrijë sa më lart.

Tani në verë, duke qenë se kampionatet nuk kanë filluar akoma, vëmendje merr jeta private e futbollistëve. Çfarë mund të na tregoni diçka më shumë në këtë aspekt?

Unë jam në një marrëdhënie, kam gati dy vjet me një vajzë franceze, nga Azhakso.

E ka vizituar Shqipërinë?

Nuk e ka vizituar ende për shkak të pandemisë dhe nuk na është dhënë rasti, sepse edhe unë sapo mbarova operacionin ika direkt në Greqi për rikuperim me mjekun që kam aty, dhe nuk na u dha mundësia. Por shpresoj që ta vizitojë në ndeshjet e radhës të Kombëtares. E kemi për detyrim ta sjellim të shohë Shqipërinë, sidomos ne nga Dibra (qesh).

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular