BallinaUncategorizedMundësi e dytë për regjistrimin e fëmijëve në klasën e parë, ja...

Mundësi e dytë për regjistrimin e fëmijëve në klasën e parë, ja afati kur do të rihapet e-Albania! Procedura që duhet ndjekur

Nuk ka mjaftuar as shtyrja e afatit të regjistrimeve në “eAlbania” për të përmbyllur procesin e regjistrimeve në shkolla për të gjithë nxënësit që ulen për herë të parë në banka apo ata që nisin gjimnazin

Të dhënat e para flasin për një nivel relativisht të ulët, më pak se 70 për qind të totalit të atyre që duhet të jenë në klasa. Për këtë arsye, Ministria e Arsimit ka vendosur të rihapë portalin “e-Albania” edhe një herë për t’iu dhënë një shans të dytë atyre që nuk kanë pasur mundësi të regjistrohen brenda afatit të paracaktuar.

AFATI I RI

Në zyrat e drejtorive arsimore ka mbërritur email-i për hapjen e regjistrimeve për klasat e para e të dhjeta në institucionet e arsimit parauniversitar nga data 15 deri në 25 gusht. Kjo është hera e tretë që hapen regjistrimet online. Me hakerimin e faqes qeveritare gjatë periudhës së parë, MASi vendosi të shtyjë procesin, por që me sa duket, nuk mund të quhet i përmbyllur. Të dhënat paraprake thonë se në klasat e para janë regjistruar vetëm 70 për qind e fëmijëve, ndërsa në klasat e dhjeta më pak se 60 për qind e nxënësve që mbaruan 9-vjeçaren. Ministria e lidh këtë me incidentin e faqes qeveritare.

“Për shkaqet që ne i dimë, janë marrë të gjitha masat për këtë proces. Ka dalë tashmë një shkresë e MAS-it për vijimësinë e regjistrimeve edhe në një fazë të dytë, nga data 15 deri në 25 gusht”, thotë Violeta Lleshaj, specialiste në sektorin e kurrikulës. Por nga ana tjetër, nuk duhet harruar se një përqindje e mirë nuk dëshirojnë/preferojnë që fëmija i tyre të frekuentojë shkollën pranë vendbanimit, kusht ky për regjistrimin online. Ndërkohë që sistemi nuk e njeh, ata presin një fazë të fundit, atë të regjistrimit fizik në shkolla. Në pamundësi për ta bërë këtë dhe për shumë arsye të tjera, jo pak prej tyre janë detyruar të dërgojnë fëmijët në institucione private.

LARG VENDBANIMIT

Faza e dytë iu jep mundësi edhe aplikuesve që preferojnë shkolla të tjera larg vendbanimit, sipas përfaqësues së Ministrisë. “AKSHI do të ndihmojë në hapjen e portalit, në aplikimin e çdo qytetari që ka dëshirë të regjistrojë fëmijën dhe do të bëjë depozitimin e çdo dokumentacioni ligjor që e justifikon aplikimin e fëmijës në zonën e banimit apo jashtë saj. Nëse institucionet arsimore kanë hapësira të mundshme për regjistrim jashtë zonës së mbulimit, të gjitha kërkesat do të kalojnë në zyrën arsimore vendore përkatëse.

Pas verifikimit të këtyre arsyeve legjitime të prindërve, me miratimin e zyrës vendore do të bëhet regjistrimi edhe jashtë zonës së banimit të prindërve”, sqaron Lleshaj, specialistja e kurrikulës në MAS. Ky është viti i dytë i regjistrimeve online për klasat e para e të dhjeta, por vitin e kaluar u aplikua si projekt pilot, ndërsa sivjet janë përfshirë të gjitha shkollat e vendit.

Edhe kjo fazë do të bëhet në sistemin “e-Albania”, ndërsa prindërit do të asistohen nga mësuesit dhe drejtuesit e shkollave për të realizuar procesin e regjistrimit. Në çdo shkollë do ketë stafe të dedikuara për të ndihmuar çdo prind që ka nevojë për ndihmë për regjistrimin online. Prindërit do të mund ta regjistrojnë fëmijën në vetëm një minutë, pa pasur nevojë të dorëzojnë dokumente shtesë, të presin në radhë apo të harxhojnë kohë dhe energji. Çdo prind apo kujdestar ligjor pasi të hyjë në llogarinë e tij në portal, duhet të plotësojë formularin e aplikimit, të përzgjedhë me saktësi njësinë administrative, rrugën dhe shkollën që shfaqet në sistem.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular