BallinaAktualitetNdahet nga jeta Prof. Dr. Beshir Ciceri, Bujar Leskaj: Ishte ikonë e...

Ndahet nga jeta Prof. Dr. Beshir Ciceri, Bujar Leskaj: Ishte ikonë e mendimit shkencor ekonomik shqiptar

Nga Bujar Leskaj
Ndahet nga jeta Prof. Dr. Beshir Ciceri-ikonë e mendimit shkencor ekonomik shqiptar
Prof. Dr. Beshir Ciceri u nda dje nga jeta, duke lënë në pikëllim gruan, vajzat, nipërit dhe mbesat, por edhe të gjithë kolegët e tij dhe mijëra studentët që u formuan nga dijet e tij të gjera, të thella dhe të plota mbi Drejtimin Financiar dhe Drejtimin Financiar Ndërkombëtar.
Profesor Beshiri ka shërbyer gjithë jetën e tij si pedagog i shquar i Fakultetit Ekonomik dhe për mbi dy dekada mbajti detyrën e Shefit të Departamentit të Financë-Kontabilitetit pranë Fakultetit Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës, si dhe me vone drejtoi Departamentin e Finances.
Në këtë ditë homazhesh ndaj Tij, nderojmë me respekt edhe kujtimin e bashkëdrejtuesve të këtij Departamenti, të cilët nuk janë më, si Prof. Dr. Baki Berberi, Prof.Dr. Vjollca Karapici dhe Prof. Dr. Lavdosh Zaho.
Profesor Beshiri ishte ndër profesorët më të dashur dhe të vlerësuar nga studentët, si dhe një shok e mik i vyer dhe i paharruar për kolegët, gjithnjë i gatshëm të ndihmonte këdo dhe të ofronte bujarisht dijet e tij.
Janë me dhjetëra brezat e studentëve që ai ka formuar, duke udhëhequr një pjesë prej tyre në temat e diplomave, por edhe në qindra e mijëra këshillime dashamirëse dhe largpamëse për karrierën. Profesor Beshiri ka udhëhequr me dhjetëra doktoratura(ndoshta 100), duke u kthyer në një mentor të shquar dhe të palodhur të pedagogëve të rinj.
Kolana e librave të tij si autor i vetëm ose në bashkautorësi është e gjatë dhe domethënëse. Profesor Ciceri përfaqësoi një lëvrues të palodhur dhe të thellë të dijeve bashkëkohore në lëndët e Drejtimit Financiar dhe Drejtimit Financiar Ndërkombëtar, duke u shndërruar gradualisht në një ikonë të mendimit shkencor ekonomik shqiptar.
Ai organizoi me sukses dhe me punë të palodhur një sërë konferencash shkencore të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, si dhe konferenca shkencore të universiteteve të rretheve.
Ne vlonjatët i jemi mirënjohës për ndihmën e vyer në përgatitjen e kurrikulave të lëndëve ekonomike të Universitetit Publik “Ismail Qemali” të Vlorës, të themeluar nga ish-deputeti demokrat Prof. Abedin Elmazi, nga Prof. Vasil Mino dhe nga Rektori i parë Prof. Sezai Bazaj.
Për pak kohë, në vitin 1990, Prof. Dr. Beshir Ciceri kreu me përgjegjësi e ndershmëri detyrën e Drejtorit të Qendrës Studenti, duke qëndruar gjithnjë në krah dhe duke punuar për interesat e studentëve, dhe jo të rregjimit.
Pas vitit 1990, ai nuk u mor me politikë, por ishte më demokrat dhe më i denjë për jetën politike të vendit, nga shumë anëtarë të partive politike që lindën apo që u rithemeluan me pluralizmin. Profesor Ciceri qëndroi demokrat në mendje, zemër e veprim në çdo kohë e situatë.
Ai na la pas një emër e personalitet sa dinjitoz, aq të madh e të nderuar, një kontribut të pashembullt në formimin e ekonomistëve të lartë të vendit, si dhe një trashëgimi librash shkencorë ekonomikë me shumë vlerë.
Largimi i tij lë një boshllëk të parekuperueshëm jo vetëm tek familja e tij e shtrenjtë, por edhe tek i gjithë korpusi i mendimit të mirëfilltë shkencor ekonomik shqiptar.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular