BallinaKulture98 vite nga lindja/Bujar Leskaj: At Zef Pllumi,- simboli i dijes, qëndresës...

98 vite nga lindja/Bujar Leskaj: At Zef Pllumi,- simboli i dijes, qëndresës dhe kujtesës

Nga Bujar Leskaj
At Zef Pllumi,- simboli i dijes, qëndresës dhe kujtesës.
Sot ka ditëlindjen At Zef Pllumi. Ndonëse 15 vite më parë, në 2007 ai u nda nga kjo botë, vepra e tij është një jehonë buçitëse në ndërgjegjen e çdo shqiptari, një akuzë dhe një thirrje për katarsisin aq të nevojshëm për shqiptarët.
Me kryeveprën e tij “Rrno vetëm për me tregue” At Zef Pllumi dha një kontribut të jashtëzakonshëm, të pakrahasueshëm në rrëfimin e historisë së vërtetë, aq të dhimbshme të Shqipërisë nën regjimin komunist.
At Zef Pllumi ishte qëndresa përballë përbindëshve komunistë, ishte mëshira në dyluftim me krimet e torturat mizore, ishte falja përballë hakmarrjes, ishte dashuria përballë urrejtjes, ishte e mira përballë të keqes, ishte drita përballë errësirës, ishte dija përballë padijes vulgare.
Ai përfaqësonte qytetërimin përballë injorancës e mizorisë komuniste.
Ishte jeta përballë vdekjes, ishte drejtësia përballë padrejtësisë, ishte kujtesa përballë harresës, ishte liria përballë prangave.
At Zef Pllumi (Bogë, 28 gusht 1924 – Romë, 26 shtator 2007) ka qenë frat françeskan, publicist e shkrimtar memuarist shqiptar.
Kur qe 22 vjeç, më 14 dhjetor 1946 u arrestua dhe u dënua me tre vjet burgim që e vuajti pranë Burgut të Madh të Shkodrës dhe në kampet famëkeqe të Bedenit në Myzeqe, dhe Orman-Pojanit në Maliq.
Në vitin 1958 shugurohet meshtar. Më tej, për 12 vjet shërben si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh.
Më 1967 u arrestua dhe për 23 vjet vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme. 1967–1989, për 23 vjet rresht, u burgos përsëri dhe vuan dënimin në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë.
Ndërroi jetë më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli, Romë, dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.
Në Shqipëri vepra e tij u njoh gjerësisht pas vitit 1992.
Mua më vjen mirë që në cilësinë e Ministrit të Kulturës gjatë viteve 2005-2007 promovova veprën e tij edhe në Kosovë, që gjatë detyrës sime si ministër i kulturës u vlerësua me çmimin “Penda e Artë” dhe që pas propozimit tim Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2006 e dekoroi Pllumin me Urdhrin “Nderi i Kombit”..
Më shumë se një dekret presidencial për mua vlen vlerësimi i At Zef Pllumit, i cili shprehu mirënjohjen në një letër, të cilën më dërgoi pas marrjes së çmimit. (Më poshtë faksimilja e letrës.)
Në një speciale të gazetës “55” në 27 shtator 2007 kam shkruar: “Vepra e tij monumentale “Rrno vetëm për me tregues” e të tjera “Histori të shkrueme ” janë një sinor i përjetshëm, ato “dëshmojnë para botës se asnjë njeri nuk është i detyruar prej rrethanave të bëhet i keq, i ulët, të humbasë humanizmin e tij. At Zef Pllumi tregon me jetën e tij se edhe ne shqiptarët mund ta kalojmë provën e zjarrit, atë që ndan mënjanë arin e kulluar dhe ndan mënjanë skoriet e kombit. At Zef Pllumi, nxënësi i Fishtës, Harapit, Shllakut, mësuesve të përjetshëm të këtij kombi, sot më shumë se kurrë më ngjan me Diogjenin, filozofin grek, “atij s’mund t’i marrësh asgjë, pse s’ka asgjë të vetën dhe s’mund t’i japësh asgjë që i mungon, pse ai ka zemrën plot e përplot me dashuri!…”
At Zef Pllumi la një trashëgimi të jashtëzakonshme, veprat, jetën dhe mësimet e tij të vyera sesi njeriu nuk duhet ta humbasë kurrë shpresën, besimin dhe shpirtin, por të qëndrojë, te rezistojë dhe të mos i nënshtrohet asnjëherë të keqes.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular