BallinaKryesoreReforma territoriale, Bujar Leskaj: Të bazohet në këto dy parime. Ja 4...

Reforma territoriale, Bujar Leskaj: Të bazohet në këto dy parime. Ja 4 shtyllat ku dështoi reforma e vjetër dhe objektivat e PD

Nga Bujar Leskaj
Ne votuam shtyrjen e afatit për reformën territoriale, por druaj se drejtuesit kryesorë të Partisë Socialiste nuk do të tregojnë seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e duhur për këtë reformë kaq të rëndësishme, duke deklaruar se do qëndrojë kjo ndarje ekzistuese territoriale e administrative, etj, etj…
Në rast se është kështu atëherë përse u ngrit ky Komision?
Të gjithë e dimë se në të gjitha shtetet e botës Reforma Territoriale Administrative kërkon një konsensus, substancial, kërkon mirëkuptim të pozitës dhe opozitës. Në rast se ne i ngremë komisionet për të kaluar radhën, vazhdojnë edhe punën për gjashtë muaj apo më shumë dhe ju në tetor vazhdoni me të njëjtën teori, me të njëjtën megalomani që shfaqët kur realizuat reformën e 2014-ës, atëhere ju nuk bëni gjë tjetër veçse nëpërkëmbni të drejtat e qytetarëve shqiptarë, së pari dhe së dyti, në mënyrë indirekte, fyeni edhe deputetët e të gjitha forcave politike që janë anëtarë të këtij komisioni.
Ndarja territoriale administrative, e cila është në thelb të reformës territoriale bazohet në dy parime:
Parimi i parë është identiteti kulturor e tradicional i njësisë administrative, pra, lidhja organike e qytetarëve me territorin.
Parimi i dytë janë aftësitë ekonomike, financiare dhe të burimeve njerëzore të një njësie administrative që të realizojë funksionet e saj në lidhje me territorin dhe me banorët.
Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që me gjithë dëshirën e mirë dhe nevojën që shtronte koha në vitin 2014 për reformën, kjo reformë administrative territoriale dështoi duke shkaktuar pasoja të rënda për funksionimin dhe stabilitetin demokratik, ekonomik e shoqëror të njësive administrative vendore, veçanërisht të zonave të caktuara, kryesisht të atyre njësive vendore, të cilat në mënyrë mekanike ju bashkuan bashkive.
Sot, pas tetë vitesh shohim se reforma territoriale e 2014-ës ishte thjesht një ndarje administrative elektorale e kryer në mënyrë të njëanshme.
Me këtë reformë ne bëmë hapa pas, duke shkelur në mënyrë flagrante nenet kushtetuese të autonomisë vendore të decentralizimit si edhe Kartën Europiane të autonomisë vendore.
Kjo reformë ka shfaqur tashmë pas tetë viteve katër shtyllat kryesore ku dështoi:
1. Dështoi në rritjen e efiçencës ekonomike të njësive të reja.
2. Solli centralizim të pushtetit të kryebashkiakeve duke shkatërruar decentralizimin dhe forcimin e vetëqeverisjes vendore.
3. Goditi përfaqësimin e qytetarëve në bashkëqeverisje, demokracinë vendore dhe llogaridhënien.
4. Dështoi në nxitjen e zhvillimit ekonomiko- social dhe zbutjen e varfërisë.
Për fat të mirë në PD deputetët që janë anëtarë të komisionit të drejtuar nga zonja Dhurata Çupi, por edhe deputetët e tjerë të inkuadruar në një grup pune të drejtuar nga z. Bylykbashi dhe specialistë e drejtues me përvojë si z. Ylli Asllani kanë arritur në një emërues të përbashkët.
Pra PD, si forcë politike e përgjegjshme opozitare është në të njëjtin qëndrim përsa i përket nevojës, përsa i përket ndarjes së re territoriale duke kërkuar shtimin e numrit të bashkive, nga 61 të shkojë në 92 ose 95 bashki dhe disa përmirësime të tjera.
Objektivat e draftit të PD janë:
1. Rritja e përfaqësimit qytetar në vetëqeverisjen vendore.
2. Shkurtimi i distancës së qytetarëve me intitucionet e njësive vendore dhe shërbimet publike, pra lehtësimi i shërbimeve ndaj tyre.
3. Krijimi i bashkive asimetrike, të profilizuara, të cilat kanë funksione dhe shërbime publike të njëjta, si dhe përqëndrim të ndryshëm në planifikimin e territorit.
4. Dyfishimin e financave vendore nëpërmjet ndarjes së taksave dhe shtimit të granteve.
5. Përfaqësimi i çdo njësie administrative në Këshillin Bashkiak me këshilltarë të zgjedhur nga votuesit e njësisë.
Sot u bëj apel të gjithë deputetëve dhe drejtuesve të lartë të PS që të mos ta kompromentojnë, mos të luajnë me këtë reformë kaq të rëndësishme, mos të luajnë edhe me dinjitetin deputetëve anëtarë të komisionit.
Deputetëve anëtarë të komisionit të reformës do t’u kujtoja nenin 70, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Ky nen e thekson që deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues.
Nuk ka më mirë që në këtë ndarje të re, në këtë reformë që ne duam të realizojmë deputetët t’i flasin ndërgjegjes së tyre, të kontaktojnë me popullin.
Po ju përmend shkurtimisht, projektin që ne si PD kemi për në Qarkun Vlorë.
Në qarkun Vlorë krahas bashkive ekzistuese ne mendojmë, duke bërë edhe një rikonfigurim territorial, bazuar në traditat, historinë e kulturën, të cilat i përmenda më parë, të shtohet bashkia e Orikumit, të shtohet bashkia Ksamil, të shtohet bashkia Amantia, e cila do të përfshijë njësitë administrative të Lumit të Vlorës me qendër në Kotë, të shtohet bashkia e Topalltisë me qendër në Novoselë, e cila do të përfshijë gjithë zonën e Topalltisë dhe, natyrisht, bashkia Vlorë me këtë konfigurim të ri konsolidohet, lehtësohet nga ato pjesë që nuk i ka menaxhuar dot dhe bashkia Vlorë do të jetë qyteti i Vlorës së bashku me Zvërnecin, Kaninën, Nartën dhe Babicën e Madhe. Po kështu Bashkia Sarandë.
Po kështu te bashkia Himarë kemi një ndryshim, kemi një konsolidim të bashkisë Himarë dhe në përbërje të saj të gjitha fshatrat e Bregdetit.
Ndërkohë kemi një propozim që bashkia Delvinë, ky qytet i vjetër e historik të ketë një dalje në det.
Gjithashtu u bëj thirrje të gjithë deputetëve të shkojnë në qarqet e tyre për të diskutuar haptazi për reformën dhe domosdoshmërinë e saj me popullin.
Theksoj respektin që kam për të gjithë deputetët anëtarë të Komisionit të Reformës Administrative e Territoriale, për të dy bashkëdrejtueset e këtij komisioni dhe do t’u kërkoj të mos thyhen nga presionet partiake.
Kjo reformë nuk duhet të realizohet për qëllime politike, por të korrigjojë gabimet që u bënë në 2014, në respekt të të gjithë qytetarëve shqiptarë.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular