BallinaOP EDPër Fitimin dhe doktorët e tjerë – përkushtimi i të cilëve nuk...

Për Fitimin dhe doktorët e tjerë – përkushtimi i të cilëve nuk shpërblehet

Për Fitimin dhe doktorët e tjerë – përkushtimi i të cilëve nuk shpërblehet
***
Për të shkruar rreshtat e mëposhtëm jam menduar shumë. Sepse doja që faktet që do të përmendja të mos interpretoheshin në “konflikti të interesit”, pasi me Fitimin jemi nga i njëjti fshat dhe pothuajse edhe bashkëmoshatarë… Por sot, “konflikti i interesit” më thotë që të tregoj të vërtetën time për Fitimin dhe mjekët e tjerë, që po për “konflikt interesash” po fyhen e nëpërkëmben publikisht e “ligjërisht”.
*
Kur katër vjet më parë u rrëzova para punës sime në një nga gropat e “fshehta” në rrugë që linte hapur bashkia, i pari që më erdhi në mendje ishte Fitimi. Ndërkohë që po shkonim drejt spitalit të traumës me një makinë të një komshiu (ambulanca nuk erdhi sepse nuk kishte nga futej), Fitimin e telefonuan familjarët e mi. Kur shkuam në spital, m’u duk sikur isha në shtëpinë time…
Fitimit i dhashë të gjithë të drejtat e mia si pacient për të vendosur për mua, që nga analiza më e zakonshme e deri të operacioni. Aty në sallën e operimit, ndërsa thithja narkozën, atë e kisha te koka…
Më urdhëroi të numëroja dhe me tha që “të rrija i qetë sepse çdo gjë do të shkonte mirë”.
– E di që do të shkojë gjithçka mirë, se të kam ty këtu…
Kur u zgjova, ai ishte aty…
Dhe si për mua, ai ka qenë edhe për qindra e mijëra të tjerë në gjithë këto vite që ka ushtruar profesionin e mjekut.
Sa e sa herë e kam telefonuar duke u interesuar për një mik, për një shok, një të njohur… Kurrë nuk ma mbylli telefonin…
Rritur edhe unë, në një shoqëri që ndjehet borxhli ndaj mjekut, pasi u bëra mirë dhe fillova te riec me këmbët e mia, e telefonova disa herë për të dalë diku, familjarisht, për një drekë a një darkë. Por gjithmonë e kam gjetur të zënë, që po hynte në sallë apo sapo kish dal nga salla, në shërbim a roje, dhe nuk e gjetëm dot kurrë kohën për t’ia shpërblyer…
Kohët e fundit, i kam parë shpesh dyert e spitaleve të Tiranës. Dhe i kam parë doktorët, të cilët nga njëra anë përpiqen të kryejnë mirë detyrën e tyre, në shërbim të të sëmurëve, dhe nga ana tjetër janë nën presionin e “gabimit” administrativ, që mund ti fusë në qorrsokakët e veprimeve “antiligjore”. Sepse në çdo qoshe do të gjendet “njeriu i ri”, që është gati të të bëjë rezil në rrjetet sociale ose të të spiunojë te drejtori i ri i partisë.
Rreziqet për mjekët janë rritur. Ndërsa çdo ditë ndeshen me raste mjekësore gjithmonë e më të panjohura – pandemia, p.sh., janë nën presionin e një shoqërie që e ka gati fletë-rrufenë. Ose një polici që mund të të verë prangat për “mos kallzim krimi”. Doktori e operon dhe e shpëton jetën e një njeriu që ka ngrënë plumbin nga krimi i rrugës, por ai rrezikon burgun sepse nuk e ka denoncuar rastin në polici…
Do të doja të falenderoja sot plot doktorë që më kanë qëndruar pranë, pa ndihmën e të cilëve zor se do t’ia kishim dalë. Ibrahimin për çdo ndihmë e këshillë, Ilirit që e ka ngritur telefonin në 2 të natës, Agronin që më ndihmoi ti jepnim gjak një të sëmuri, Aliun që kujdeset për sytë e mi, Sinanin, Verën, Luftimen, Arianin, Ahmetin, Blerimin, Hysniun e plot e plot të tjerë, mjekë e infermierë, fjala e mirë e të cilëve dhe shërbimi ndaj nesh në çdo kohë, ka qenë një ndihmë e madhe e paçmueshme… Nëse kjo ndihmë do të ishte konvertuar në para, unë do të isha një borxhli i tyre. Asnjë shumë parash nuk mund ta shpërblejë mundin dhe sakrificat e tyre.
E di që ka prej jush që nuk kanë pasur të njëjtën përvojë në spitalet tona. Por, në qoftë se ne do të vazhdojmë të sillemi me mjekët, siç po sillet policia dhe shoqëria me to, nuk do të jetë e largët dita që për shëndetin tonë do të kujdese militantët e partisë në pushtet dhe nuskat e hoxhës së katundit…
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular