BallinaAktualitetPrapaskenat/Kreu i SPAK, përplasja mes amerikanëve dhe rilindasve

Prapaskenat/Kreu i SPAK, përplasja mes amerikanëve dhe rilindasve

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka bërë këtë të martë një postim të çuditëshëm i cili ka ngjallur shumë pikpyetje lidhur me mënyrën se si do të zgjidhet shefi i ri i SPAK. Znj. Kim, përmes një postimi në Twitter hodhi dyshime për manipulim dhe mungesë transparence në procesin që pritet të çojë në zgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sikur kjo deklaratë e fortë të mos mjaftonte për ta bërë më të qartë u kujdes një kronikë e “Zërit të Amerikës”. Organi zyrtar i Departamentit të Shtetit shkruajti fjalë për fjalë se ambasadorja “në Tëitter nënvizoi nevojën që procesi të jetë “transparent” dhe “i pa manipuluar” duke lënë të kuptohet për përpjekje të mundshme për ndërhyrje në përzgjedhjen e drejtuesit të ardhshëm”.

Po përse po i bie fort kambanave të alarmit ambasadorja? Gjithçka ka lidhje me mënyrën se si po procedohet për të zgjedhur shefin e SPAK. Në fillim të kësaj jave Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi tre kandidaturat, Altin Dumani, Edvin Kondili dhe Adnan Xholi dhe menjëherë pas kësaj ka filluar edhe loja e forcës midis pushtetit të Edi Ramës që do të vendosë njeriun e vet dhe ambasadës amerikane që do të ruajë së paku faqen e asaj që ka mbetur nga reforma në drejtësi. “Ky mund të konsiderohet pa frikë si një raun i tretë i ndeshjes midis perendimorëve dhe rilindjes për rangjet e larta të drejtësisë. i pari qe ai për shkarkimin e Elisabeta Imerit. I dyti për mbajtjen ose jo në burg të Alqi Bllakos. Tani konflikti është për shefin e ri të SPAK” tha për Lapsi.al, në kushtet e anonimatit, një burim nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. I preferuari i perendimorëve mendohet të jetë Altin Dumani, i cili ka marrë përsipër para tyre të shpjerë sa më lart të mundet dosjet e nxehta si ajo e inceneratorëve. “Ka një presion të butë mbi anëtarët e KLP-së për përzgjedhjen e tij”, tha burimi i Lapsi.al, i cili shtoi: “ambasadorët e dinë se ai është i vetmi që nuk është falur në zyrën me flutura për të marë bekimin”.

Nga ana tjetër duket se i preferuari i qeverisë Rama është Edvin Kondili, por rilindasit nuk do të ishin kategorisht kundër as për Adnan Xholin. Pikërisht duke ditur këtë lojë Yuri Kim shkruajti se procesi i përzgjedhjes: “duhet të jetë i pa manipuluar nga ata që kërkojnë të bllokojnë apo ndikojnë drejtësinë, nga ata që preferojnë mënyrat e vjetra dhe për rrjedhojë kundërshtojnë reformën në drejtësi”. Pra e gjithë beteja dhe presioni sot është zhvendosur mbi votat e anëtarëve të KLP-së të cilët duhet të zgjedhin më shumicë atë që do të duhet të drejtojë për tre vitet e ardhshme SPAK-un.

Por kjo nuk është përplasja e vetme mes amerikanëve dhe përfaqësuesve të drejtësisë. Paranteza e kësaj beteje u luajt pak javë më parë për fatin e ish deputetit socialist Alqi Bllako të arrestuar për çështjen e inceneratorëve. Në rangjet e larta ishin të shqetësuar pasi me zbulimin e lidhjeve me bosët e inceneratorëve dhe udhëtimet jashtë shtetit me ta, pozita e Bllakos po rëndohej. Ajo që thuhej rëndom ishte: “Ai është i dobët dhe mund të thyhet e mund të flasë, prandaj duhet nxjerrë me çdo kusht nga burgu”. Për pak kohë kjo strategji funksionoi dhe gjykata e shkallës së parë e çoi ish deputetin në arrest shtëpie. Në atë kohë Kim bëri disa vizitz në SPAK dhe deklaroi publikisht: “Ne jemi të vetëdijshëm se ka më shumë përpjekje për të joshur ose frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët, për të shtrembëruar drejtësinë, për të këmbëngulur në mosndëshkimin e të fuqishmëve, me fjalë të tjera, për t’i tërhequr në të kaluarën. Një një konferencë për drejtësinë Rama iu kundërpërgjigj me ironi në një takim ku ndodheshin të dy

Ai foli për ndërokombëtarë që nuk ndihen të huaj tek drejtësia por kanë luksin “të ndajnë në publik gëzimin apo hidhërimin e për vendimet e gjykatave”, gjë që ai vetë as nuk kishte luksin ta mendonte. “Një fjalim kritik mbetet i pakëshillueshëm sa imitimi i diplomatëve që emocionohen publikisht për vendimet e gjykatave” vijoi ai para se të braktiste sallën kur do të fliste Yuri Kim.

Pra kuptohet qartë se tani beteja është se cili do të ketë kontrollin mbi dosjet e nxehta dhe korruptive të pushtetit. Nga emri se kush do të zgjidhet drejtues i SPAK, do të arrihet të kuptohet edhe rezultati i kësaj përplasjeje që do të tregojë nëse amerikanëve i ka mbetur ende ndopak influencë mbi drejtësinë e re. ©Lapsi.al

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular