BallinaKryesoreMbi 1 miliard lekë në 9 muaj abuzime, qytetaret marrin me lista...

Mbi 1 miliard lekë në 9 muaj abuzime, qytetaret marrin me lista ushqime! Pse votova kundër marrëveshjes për portin!

Nga Flamur Hoxha
Fjala në Kuvendin e Shqipërisë!
Të nderuar qytetarë, kolegë deputetë!
Së pari dua të theksoj që jam i përgjegjshëm me qëndrim dhe votë, jam këtu që të bardhën mos ta bëj të zezë, por njëkohësisht edhe pse në opozitë, por edhe sikur të isha në pozitë, të zezën mos ta quaj të bardhë.
Jam dhe kam kontribuar për zhvillim, për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve, për shtetin dhe të pasurisë kombëtare, dhe njëkohësisht me vlerësim maksimal, me falënderim dhe mirënjohje për çdo sipërmarrës, investitor shqiptar dhe të huaj. Por dy fjalë mund t’i them për diferencën sipërmarrjes në këto dhjetë vite.
Ndërkohë që në 2013-n erdhët në pushtet me votë, premtuat model për sipërmarrjen e lirë, një model konkurrues me taksa të ulta, promovuat me të drejtë suksese të kësaj sipërmarrjeje në eksport, prodhim, agropërpunim, kulinari, me bletën e artë dhe ndërkohë menjëherë për dy tre vite, bleta e artë u shndërrua në grerëza apo grenza që ka pickuar ekonominë shqiptare me tendera, me PPP, pa garë, me çmim maksimal dhe më çmimet më të shtrenjta se vendet e rajonit. Ndërkohë, nuk duhet të jemi kaq naivë, ku sipërmarrja po vuan dhe është në krizë të falimentimit. Në krizë të falimentimit, sepse ju flisni për punësime, por harroni që nga 700-800 mijë, por shumë shpejt do arrijnë në një milion shqiptarë që do ti mungojnë Shqipërisë.
Ndërkohë që në momentet më të vështira të sipërmarrjes, në kohë krize, pandemie e tërmeti, e vetmja mundësi, ndihmë, që edhe ajo u ndërpre këtë vit, ishte instrumenti i garancisë sovrane, një instrument që në thelb i jepet sipërmarrjeve, të cilët nuk kanë pasur mundësi të performojnë drejt, të kenë kapital dhe të kenë kolateral në pasurinë e tyre, që do të thotë se sipërmarrja është e pafuqishme, sa nuk mund të marrë as kredi, për të mos folur këtu për çmim apo terma të interesit.
Është folur gjatë për buxhetin, për dyfishimin e buxhetit krahasuar me vitin 2013, por ndërkohë nuk morët parasysh asnjë amandament, qoftë vitin e kaluar apo këtë vit, të paktën për t’i lehtësuar barrën shqiptarëve; për të ulur TVSH-në për ushqimet e shportës, të cilën vendet e rajonit e kanë bërë me kohë; për të hequr taksën e qarkullimit, e cila ndikon te çmimi i karburanteve, që ju të gjithë e dini, se ka qenë, është dhe mesa duket do të mbetet më i shtrenjti në rajon, apo për të ndihmuar bujqësinë, blegtorinë, për të hequr TVSH-në për inputet dhe ndërkohë nga ana tjetër harroni të shihni atë që është më e rëndësishmja, korrupsionin, abuzimin dhe dëmin ekonomik.
Ndërkohë që flisni për dy miliardë investime në 20 vite, vetëm në 9 muaj, mbi një miliard abuzime. Ky është realiteti, nuk e them unë si deputet i opozitës. Asnjëherë nuk folët në këtë parlament. Si ka mundësi që mbi një miliard në nëntë muaj abuzime në këtë Shqipërinë e varfër, ku akoma është vendi i vetëm në rajon që po të shkosh në periferi, marrin ushqimet me lista.
Ky është zhvillimi i Shqipërisë me miliarda euro në letër në sirtar!
Të kthehemi te marrëveshja!. Pse jam kundër? Pse jam kundër marrëveshjes në tokën e ndotur, siç u tha, në portin e Durrësit, një port funksional, i gatshëm për këdo që ta kthejë nga një port me tragete dhe mjete të tonazhit të rëndë, në një vend parkimi jahtesh. Gjëja më elementare, me pak fonde mund të bëhej. Por në fakt mendoj se jemi të parakohshëm, sepse të diskutojmë apo të shohim, si ta bëjmë atë vend të pastër nga ndotja dhe mbeturinat, duhet të diskutonim dhe të zgjidhnim një hall më të madh, duhet të ishim në zgjidhjen e 80% të portit të ri, të ishte funksional, të ishte i certifikuar, që do i dyfishonte mundësitë financiare të të ardhurave të shtetit shqiptar. Shkojmë te zgjidhja e jahteve, shkojmë te një zgjidhje akoma më qesharake, shkojmë të zgjidhja e ndërtimit të apartamenteve.
Kjo marrëveshje në fakt, që ju e quani “marina dhe jahtet e Durrësit”, që në latinisht marina quhet deti, duhet të kishte një term tjetër, duhej të quhej, “pallatet dhe jahtet e Durrësit”. Me procedurë të përshpejtuar. Dy javë! Me përjashtim të taksave, ndërkohë që ndërtuesit i paguajnë si gjithë të tjerët. Pa transparencë, pa garë ndërkombëtare! Çudi, ta përcaktojmë fituesin dhe të përjashtojmë investitorë nga vendet e BE-së. Asnjë përgjigje nuk morëm për garantuesin financiar.
Leverdia ekonomike! Në fakt meqë një kolegu im, kishte edhe ai si unë 31 vite në sipërmarrje, për çdo njeri që të bëjë biznes, di të bëjë dy llogari të thjeshta, nuk mund t’i hyjë kësaj sipërmarrje, duke dhënë këtë aset dhe të pretendojë të marrë pas 20 vitesh 1/3 e asaj që posedon sot. E vërtetë, do punësohen njerëz, do ketë fatura, do ketë TVSH, do ketë tatim fitimi, është normale. Si kudo një subjekt është i detyruar të prodhojë, të faturojë, të qarkullojë, por ndërkohë ajo që sot, ka kohë në fakt që është meraku juaj, ai i amnistisë fiskale, që unë kam thënë do zhbëjë punën e 30 viteve të çdo sipërmarrësi shqiptar, ndoshta është një mënyrë tjetër, ajo e pastrimit të parave. Sepse në një investim të tillë, me 80 mln euro investim në fazën fillestare, e cila do të pasurohet më pas me 80 mln euro të tjera kredi, normalisht në 20 vite, duke qarkulluar kontrata në letër të shitjeve dhe duke favorizuar ndoshta me disa qindra mijëra euro, apo miliona euro blerje Durrësin e durrsakëve në një vendbanim të njerëzve, të cilët do të blejnë nënshtetësinë shqiptare.
Në përfundim për një projekt të tillë, që në zbatim do të duhet të kalojë shumë parlamente, se ne ndoshta do të jemi në jetën tonë të përditshme, nuk do të doja kurrë që mos të isha për zhvillimin. Do të isha pro një investimi serioz, transparent, me garë, që i jep investitorit strategjik atë që i takon dhe jo ndërtime në raste tërmeti, për të cilat ai duhet të favorizohet me ulje taksash. Vota ime do jetë kundër, sepse e di që ky projekt është një projekt, i cili nuk do të zhvillojë Shqipërinë në një zonë, ku sot është e zhvilluar, por do të t’i tregojë shqiptarëve, siç keni bërë në këto tetë vite apo dhjetë vite, sa kollaj jepet prona e tyre dhe nuk mbrohet sikur të ishte e çdo deputeti në këtë sallë.
Faleminderit.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular