BallinaOP EDFestojmë Çlirimin, por a festojnë të çliruarit?

Festojmë Çlirimin, por a festojnë të çliruarit?

Nga Arian Galdini
Po bëjmë 32 vite që jemi ndarë në shumë parti dhe të harlisur nga liria, edhe jemi ndarë në Festime.
E kjo ndodh ngase ne kemi vuajtur për gjysëm shekulli detyrimin për të qenë të bashkuar rreth Partisë, ndërsa pas vitit 1990 kemi hyrë në një kohë të çartur kur na detyrojnë të jemi të ndarë rreth Partive.
Para vitit 1990 nuk ishim të lirë për të qenë të ndryshëm.
Pas vitit 1990 nuk jemi të lirë për të qenë bashkë.
Nuk jemi të lirë për të qenë bashkë, as sepse nuk na lënë, as sepse nuk e kuptojmë fuqinë e bashkimit në liri, as sepse nuk e dimë bukurinë e bashkimit në liri.
Tirania e transparencës, ka krijuar një industri pluraliste por edhe të mirëorganizuar të agjipropit të Partive Politike, të cilat fitojnë nga ndarja jonë.
Quhet tirania e transparencës sepse nëse dikur para vitit 1990, ne e kishim të ndaluar apo të përpunuar informimin nga Partia, sot pas vitit 1990 ne e kemi me shumicë, me tepri, fare të pafiltruar por gjithësesi të përpunuar nga Partitë Politike, informimin dhe opinionbërjen.
Si atëherë kur na ndalohej informacioni, ashtu edhe sot kur na mbyt informacioni, jemi në të njëjtën gjendje dramatike, jemi të keqinformuar ose të painformuar.
Mendjendriturit e shoqërisë kanë përzgjedhur të heshtin ose të flasin me frekuencën e partive politike.
Ndarja është interesi dhe rruga e fitores së Partive.
Ndërkohë që në demokraci të vërteta, ndarja është për konkurim mes qytetarëve, ndërsa bashkimi në liri është për fuqinë e qytetarit dhe të mirën e vendit.
Paradoksale është se edhe në Festime solemne ne ndahemi.
Ndahemi sepse edhe Festat që duhet të na bëjnë bashkë sepse janë Festa të të gjithëve, përdoren nga Aktorët Politikë, për ndarje dhe konkurim politik.
Fatkeqësisht, kështu ndodh.
Madje shëmtia ndarëse shkon deri aty saqë në Festime me Protokoll shtetëror, shfaqen foto të Diktatorit Enver Hoxha dhe brohoritet emri i tij.
Kjo lejohet vetëm për arsye elektorale.
E sigurisht që është e turpshme dhe tejet ndarëse.
Jetojmë në kohë kur në liri e ndërgjegje duhet të kërkojmë njeriun.
E si mund të lejojmë të lëvdohet sot Diktatori, a thua se ndër të gjallët mungojnë Njerëzorët që meritojnë lëvdatat tona?
Kaq të mjerë jemi?
Kaq poshtë kemi rënë?
Kaq pak kemi ecur në këtë çerekshekulli?
Duket sikur edhe pas 32 vjetesh demokraci e 78 vjetësh Çlirim, festojmë Çlirimin, por nuk kemi ende të çliruarit.
Jemi ende qytetare të pushtuar.
Na kanë pushtuar Ata që na Udhëheqin, ndaj edhe nuk dimë të jemi bashkë.
Ata që na Udhëheqin na duan të përçarë, për të na Sunduar.
Në vitin 1990 e gjithë Shqipëria e pothuajse të gjithë shqiptarët u ngritëm kundër Enver Hoxhës dhe enverizmit.
Të vetmit që e mbajtën mbi shpinë Enver Hoxhën, ishin një grusht nostalgjikësh dhe aparatçikësh të organizuar rreth organizatës Vullnetarët e Enverit.
Por këta ishin pakicë dërrmuese.
Më tutje ndodhën Protesta masive qytetare dhe sindikaliste për ta çuar deri në fund proçesin e demokratizimit.
Një shumicë e cilësuar e shqiptarëve, në dt 22 mars 1992, votuan jo vetëm për ndryshimin e pushteteve por edhe të Sistemit.
U bënë 31 vite tashmë, që shqiptarët votojnë për Parti Politike të cilat e kanë cilësuar Enver Hoxhën si Diktator dhe Diktaturën si Enverizëm mizor.
Ndaj është e habitshme dhe e turpshme, kjo lojë që bëhet sot me Enver Hoxhën?
Janë një grusht i vogël votash me nostalgjikë, veteranë, ish-kuadro të kohës së diktaturës dhe tek tuk të rinj të paditur.
Kjo pakicë ndonëse është në të drejtën e saj, kur hyjnë mes Ceremonive me Protokoll shtetëror, shndërrohen në një turp ulëritës për të gjithë ne. Enver Hoxha ishte një Diktator i pamëshirshëm dhe është përdhosje për ne, nëse lejojmë që ai të na shfaqet në realitetet tona sot në mes të përpjekjeve tona për të ndërtuar demokracinë.
Dështimi ynë si demokratë, nuk është suksesi i Enver Hoxhës si Diktator.
Turpi ynë si demokratë të këqinj, nuk e shplan e as balancon Turpin e Enver Hoxhës si Diktator i egër.
Janë të pakrahasueshme dështimet dhe turpet tona dhe të klasës sonë politike në përpjekjet për të ndërtuar demokraci, me krimet dhe paudhësitë gjakësore të Enver Hoxhës si Arkitekt i Diktaturës komuniste.
Barbaritë dhe Diktatorët e kanë vendin jashtë shoqërive të qytetëruara.
Kush vjen e hyn sot mes nesh duke lëvduar Diktatorin dhe Barbaritë, turpëron të sotmen dhe të ardhmen tonë, e njëkohësisht poshtëron të gjitha viktimat e Diktaturës dje.
Nëse këtë qëndrim që kam unë, do ta quajnë përdhosje ndaj figures se Enver Hoxhës, atëherë po them paraprakisht se jam i gatshëm që ta përdhos me gjithë fuqinë time që kam, barbarinë dhe Diktatorin.
Mendoj se përcaktimi si Luftë Antifashiste Nacional Çlirimtare është përcaktim propagandistik që e kanë sjellë dhe vendosur në ligjërimin tonë politik, historik dhe akademik, Partia e Punës dhe ideologët e saj. Lufta e Dytë Botërore kishte dy Kampe, atë Nazi – Fashist dhe atë AntiNazi-Fashist.
Rreshtimi i shqiptarëve dhe Shqipërisë në krahun e duhur, human dhe fitimtar të AntiNazi-Fashistëve është një ngjarje dhe vendim i jashtëzakonshëm për të cilin të gjithë duhet të ndihemi krenarë.
Jo vetëm Partia Komuniste, por edhe Mbreti Zog edhe Ballistët edhe Legalistët, ishin qartësisht të shprehur si Anti Nazistë dhe Anti Fashistë.
Pati pakica Kolaboracioniste, por Shumica ishin pastërtisht dhe vendosmërisht të rreshtuar kundër Nazi-Fashizmit.
Faktorët politikë, festojnë të ndarë sepse duan të përdorin simbolikat propagandistike të festimeve për një grusht vota.
Nuk janë ende në qasje përbashkuese.
Qasja përbashkuese korrekton më së pari termat me të cilat i referohemi Historisë, e paskëtaj e vendos Dinjitetin e të gjithëve në vend.
Me termat e gabuara ka vetëm ndarje dhe lojë politike për një grusht vota.
Dhe kjo është e trishtë.
Unë kështu e mendoj.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular