BallinaIntervistaAmbasadori i Britanisë: Do të ndodhë shpejt, kush shkon ilegalisht në Angli...

Ambasadori i Britanisë: Do të ndodhë shpejt, kush shkon ilegalisht në Angli do të kthehet

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë Alastair King-Smith gjatë një interviste në emisionin “Opinion” ka shpjeguar masat e reja të qeverisë së vendit të tij për të ndalur fluksin e emigrantëve shqiptarë në kanalin e La Manshit.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu mbi ndryshimet që do të pësojë ligji, Ambasadori tha se ajo që sjell kjo marrëveshje është se kthimi i emigrantëve të paligjshëm do të ndodhë më shpejt. “Përpara kësaj, njerëzit mendonin se mund të qëndronin, tani jo më”, tha Ambasadori.

Pjesë nga intervista në emision

Blendi: Ambasador, dëshiroj t’ju pyes drejtpërdrejt për lajmet e ditëve të fundit, ato më interesantet që kanë të bëjnë me ligjin e ri për emigrantët në Britaninë e Madhe. Pas një telefonate mes kryeministrit tonë dhe kryeministrit tuaj flitet se ka një ndryshim në ligj. Çfarë do të thotë kjo? Çfarë ndryshimi do të pësojë ligji?

Ambasadori: E kam këtu komunikatën e përbashkët që kanë nxjerrë dy kryeministrat tanë dhe është me të vërtetë një komunikatë e fortë. Ka një sërë kapitujsh, por në mënyrë të veçantë do të na mundësojë të bëjmë dy gjëra për migracionin: së pari ta trajtojmë Shqipërinë si një vend të sigurt dhe së dyti, një Task Forcë e re e Përbashkët, çka nënkupton forcimin real të bashkëpunimit tonë operacional.

Blendi: Deri tani, Shqipëria, nuk ka qenë një vend i sigurt?

Ambasadori: Pra, ne kemi probleme me ligjin tonë sepse nuk ka një dispozitë për mënyrën e përcaktimit të vendeve si të sigurta, siç e kanë disa vende të tjera. Ne kemi një mekanizëm të ndryshëm dhe një proces legjislativ të ndryshëm. Ajo çka ofron ky ligj është rikonfirmimi i garancive që Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria kanë sipas detyrimeve ndërkombëtare. Kjo nënkupton faktin se edhe Britania e Madhe do të bëjë më shumë duke ofruar mbështetje, veçanërisht kur kemi viktima të trafikimit të qenieve njerëzore ose individë të tjerë që kthehen këtu, ne do të ofrojmë më shumë mbështetje dhe ndihmë, por bëhet fjalë për shumë më tepër se kaq. Kjo ka të bëjë me bashkëpunimin tonë në mënyrë operacionale.

Blendi: Çfarë do të thotë të bashkëpunojmë dhe funksionojmë së bashku?

Ambasadori: Natyrisht, është e rëndësishme të themi  që migrimi është një çështje globale. Nuk është diçka që mund të gjejë zgjidhje vetëm nga një vend. Pra, siç mund ta keni parë muajin e kaluar, ne kemi intensifikuar bashkëpunimin me Francën përmes një marrëveshjeje. Ne po punojmë me partnerë të tjerë evropianë dhe sigurisht që dëshirojmë të punojmë shumë ngushtë me Shqipërinë.

Blendi: Si do të punoni me Shqipërinë? Në cilin drejtim?

Ambasadori: Ne kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë mes Policisë së Shtetit Shqiptar dhe forcave tona, ato kufitare dhe të emigracionit në mbarë vendin tonë.

Blendi: Flitet se disa zyrtarë britanikë të emigracionit do të vendosen në aeroportin e Tiranës?

Ambasadori: Pra, mendoj se kjo është keqinterpretuar. Task Forca e Përbashkët është një përpjekje shumë më e gjerë, këtu dhe në Mbretërinë e Bashkuar, ne kemi njerëz që do të punojnë në MB, një njësi e re e dedikuar në MB që aktualisht po punon, veçanërisht për të përshpejtuar proceset, por do të kemi gjithashtu bashkëpunim më të gjerë dhe këtu. Pra, po, ne tashmë kemi bashkëpunim me Aeroportin e Tiranës dhe do të bëjmë më shumë, por shkon përtej kësaj, pasi policia juaj kufitare dhe e migracionit kanë një bashkëpunim të shkëlqyer me ne. Dhe ajo çka dëshirojmë të bëjmë është t’i mbështesim dhe të zgjerojmë kapacitetet e tyre dhe do të shihni shumë në këtë drejtim në ditët në vijim.

Blendi: Çfarë do të thotë që Shqipëria është një vend i sigurt për Britaninë e Madhe, për ligjin e MB-së? Cilat do të jenë pasojat pas këtij vendimi?

Ambasadori: Shikoni, ne shpresojmë që kjo në thelb do të thotë që njerëzit të kuptojnë që të mos i ndërmarrin këto udhëtime të paligjshme që janë shumë të rrezikshme. Do ta keni parë ngjarjen shumë të trishtueshme në Kanalin e La Manshit këtë javë, dhe me të vërtetë, jemi shumë të shqetësuar për humbjet e jetës që kjo ka sjellë. Natyrisht, ndiejmë keqardhje për të gjitha…

Blendi: Kishte shqiptarë?

Ambasadori: Pra ndiejmë keqardhje për të gjitha familjet dhe miqtë e atyre që kanë humbur të dashurit, nuk kemi ende konfirmim të kombësive. Ne kemi parë raporte për individë që kanë vdekur dhe, natyrisht, jemi shumë të shqetësuar. Ne do ju përditësojmë sa më shpejt që të mundemi.

Blendi: Tani, nëse njerëz nga Shqipëriado të hyjnë në territorin e Mbretërisë së Bashkuar, a do të kthehen në Shqipëri?

Ambasadori:Pra, nëse dikush shkon ilegalisht, sigurisht që do të kthehet. Ajo që sjell kjo marrëveshje është se do të ndodhë më shpejt dhe do të jetë më e qartë se këto rrugë nuk ju japin mundësinë të qëndroni në Mbretërinë e Bashkuar. Perpara kësaj, njerëzit mendonin se mund të qëndronin, tani jo më.

Blendi: Cili është ndryshimi mes të djeshmes dhe të nesërmes pas këtij vendimi?

Ambasadori: Pra, sigurisht, ne tani po punojmë shumë intensivisht për ta zbatuar, por jo gjithçka do të ndodhë menjëherë. Por disa gjëra do të ndodhin shumë shpejt. Tashmë kemi fluturime kthimi çdo javë dhe do ta intensifikojmë këtë dhe do t’i kalojmë këta numra të konsiderueshëm njerëzish që kanë shkuar ilegalisht dhe do të sigurohemi që ata të kthehen sa më shpejt në Shqipëri. Dhe nëse dikush shkon në të ardhmen, do të përballet me të njëjtën gjë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular