BallinaBotaMinistria britanike e Mbrojtjes: Rusia është në dilemë se ku duhet të...

Ministria britanike e Mbrojtjes: Rusia është në dilemë se ku duhet të përqëndrohet në Ukrainë

Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi sot se Rusia duket se e ka të paqartë se cilat rajone në Ukrainë përbëjnë një kërcënim më të madh për trupat e saj. Ndërkohë luftimet kanë vazhduar edhe në fundjavë pavarësisht nga një armëpushim 36-orësh i shpallur nga Moska. Zona ku po zhvillohen luftimet më intensive është qyteti i Bakhmutit.

Në një postim në rrjetin social “Twitter”, duke iu referuar të dhënave të zbulimit, Ministria britanike e Mbrojtjes tha: “Mënyra se si Rusia ka punuar në përmirësimin e mbrojtjes tregon që komandantët rusë janë të shqetësuar me rrezikun e sulmeve ukrainase në dy zona: në rajonin verior të Luhanskut, ose në Zaporizhia”.

“Vendimi se cilit prej këtyre kërcënimeve i duhet përparësi”, thuhet në raport, “është një nga dilemat qendrore për planifikuesit operacionalë rusë”. Kjo sipas zbulimit britanik është tregues i dilemave me të cilat po përballen trupat ruse.

Sulmet me artileri tronditën qytetin lindor të Ukrainës, Bakhmut të shtunën, pavarësisht deklaratës së presidentit rus Vladimir Putin për një armëpushim 36-orësh për të respektuar Krishtlindjet ortodokse.

“Qyteti ynë dikur ka qenë kaq i bukur. Kudo kishte trëndafila, lule…Ishte i pastër, gjithçka ishte në rregull”, tha 75 vjeçarja Olha, banore e Bakhmutit e cila nuk arriti të përfundojë mendimin për shkka të shpërthimeve që filluan ndërsa ajo po jepte një intervistë për agjencinë Reuters.

Ky qytet, i cili dikur kishte 70,000 banorë, tani është një vend kryesisht i braktisur. Ata pak njerëz që kanë mbetur, janë nën kujdesin e vullnetarëve humanitarë, kryesisht nëpër tenda të ngritura për të ofruar ngrohje, ujë dhe ilaçe

“Kur presidenti rus thotë se ka armëpushim, në fakt është e kundërta: nuk ka armëpushim. Ata kanë kryer një mori bombardimesh. Një ditë ka granatime, ditën tjetër është më qetë. Ne as që haxhojmë kohë më, të bëjmë llogari se kur ka, e kur ndalin sulmet me granata”, thotë vullnetari ukrainas, Vasyl Liesin.

Një nga banoret e pakta në qytetin e Bakhmutit, Olha, gjithashtu nuk i beson zotimit të Moskës për armëpushim të përkohshëm.

“Është shumë e qartë për mua që rusët po na mashtrojnë me armëpushimin. Çfarë mund t’u them tjetër?! Nëse dikush bën një premtim, ai duhet ta përmbushë atë”, tha Olha e cila tha se mashtrimi i Moskës me armëpushimin, po bëhet që të marrë nën kontroll Donbasin.

Rusia bombardoi dhjetëra vende përgjatë vijës së frontit gjatë armëpushimit, tha shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura ukrainase. Rusia tha se ata po i përgjigjen sulmeve që u nisën nga forcat ukrainase.

“Ju po i dëgjoni shpërthimet. Teksa ndodheshim tek një pikë tjetër, brenda 15 minutave na goditi një raketë. Përpos dëmeve, sulmi vrau një person dhe plagosi katër. Një vullnetar lokal humbi një gjymtyrë dhe u evakuua. Po kështu edhe disa të tjerë janë plagosur rëndë”, tha vullnetari ukrainas, Vasyl Liesin.

Rusia filloi sulmin kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022, duke nisur një luftë që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka zhvendosur miliona ukrainas, si brenda ashtu edhe jashtë territorit të vendit.

Me armë dhe mbështetje financiare nga aleatët e saj, Kievi ia ka dalë të sprapsë Rusinë nga një pjesë e territorit të saj, por beteja të ashpra po zhvillohen në lindje dhe jug të Ukrainës./VOA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular