BallinaKryesoreHISTORI SUKSESI/15 vjeç u largua nga Shqipëria, sot administron 8 restorante në...

HISTORI SUKSESI/15 vjeç u largua nga Shqipëria, sot administron 8 restorante në SHBA. Ilir Gjoka rrëfen sakrificat e jetës!

Shqiptarët janë popull i zgjuar, punëtor, por iu është dashur të sakrifikojnë shumë. Këta njerëz vitalë, jo vetëm në vitet e para të pluralizimit, por në mënyrë sistematike, fatkeqësisht edhe sot, janë detyruar të braktisin vendlindjen, sofrën familjare në kërkim të një jete më të mirë.
Që te jemi të qartë, nuk ka patur urdhër dëbimi, por, politikat e qeverisjeve shqiptare në këto 32-vite të tranzicionit kanë qenë të atilla saqë qytetari i gjendur në kushte të vështira ekonomike, pa shpresë, beqar apo familjar, ka marr udhën për në emigracion ashtu dhe kuturu pa ditur se ku po shkon!.
Janë me qindra mijëra. S’ka statistika fikse, po besohet se shumica e shqiptarëve sot ndodhet jashtë Shqipërisë të vendosur kryesisht në vendet fqinje Greqi, Itali, por shumë janë dhe vendet e tjera të Europës, SHBA, Kanada, Ausrali etj. E dhimbshme, por statistikat e fundit të Eurostat flasin për rreth 110 mijë shqiptarë që jetojnë në Francë e Gjermani, gati trefishim nga viti 2015. Kujtojmë këtu dhe eksodin e fundit për në Britani të Madhe përmes kanalit të La Manshit duke rrezikuar jetën edhe familjarisht të dhjetra mijëra shqiptarëve të cilët sot janë kryefjalë e politikës britanike për dëbim. Këto janë fakte që duhet të jenë një këmbanë për klasën politike. Shqipëria është një vend i bekuar nga perëndia, ndaj njerëzia duhet ta bëj, ta zhvillojë, që emigracioni të mos jetë zgjidhja e vetme, por dhe pse jo, vëllezërit dhe motrat tona t’i kthejmë të vijnë në vendlindje!
Rasti që do sjellim sot në startnews.al, është një histori suksesi arritur me mjaft sakrifica të një qytetari shqiptar i cili dashurinë për atdheun e ka në gjak, ia ka injektuar dhe fëmijëve, por gjithçka që ai ka arritur ia ka dhënë dhe mundësuar një tjetër vend, atdheu i tij i dytë Shtetet e Bashkuar të Amerikës (SHBA). Ndonëse i vendosur vonë në Teksas, pasi provoi të emigrojë fillimisht në vendin fqinj Greqi, personazhi i shkrimit profil të pautorizuar të medias sonë, në një bisedë informale flet me dashuri për Amerikën, sipas tij tokën e bekuar, vendi që i dha atë që donte për të cilën kishte sakrifikuar që nga fëmijëria; mundësi të barabartë për të konkurruar dhe qenë i suksesshëm dhe jo xhelozinë, por dashurinë për njeriun e punës!. Në sytë e qytetarëve amerikanë ai ka parë gëzim, i kanë shprehur mirënjohjen për mbështetjen që iu ka dhënë në kohë krizash si dhe është falenderuar e nderuar nga autoritetet me medalje! Për suksesin e arritur tek bashkëqytetarët me të cilët jeton në Teksas, nuk ka identifikuar fare xhelozi pavarësisht kombësisë, por ka marr veç vlerësime, falenderime, bekime, por dhe mbështetje të amerikanëve dhe çdo shtetasi tjetër më shtetësi amerikane duke frekuentuar masivisht biznesin e tij të shtirë në një zinxhirë restorantesh tashmë!
Quhet Ilir Gjoka, nga Kashari i Tiranës! Vitet ia ka “ngrënë” emigracioni dhe pavarësisht sakrificave sërish me fizikun, energjinë që komunikon, pasionin për punën të ngjan me një të ri që po skicon projektet për të ardhmen. Iliri, është i realizuar, por në kokën e tij gëlojnë vetëm ide dhe projekte të reja njëra prej të cilave starton këto ditë!
Nga Shqipëria ka të ngjizur dhe kujton vetëm ato momentet e fëmijërisë së vështirë rritur kryesisht në diktaturë, pafajësisë së moshës dhe dashurisë së prindërve, sepse situata në të cilën gjendej vendi ynë pas rënies së komunizmit ku diskutohej për t’u ushqyer dhe asgjë më shumë, e detyroi që të braktisë votrën familjare. Të tjerat i ka arritur jashtë kufinjve shtetërorë, me mundë, djersë, sakrificë të madhe, me besim guxim dhe përkushtim të madh!
15 vjeç lë Shqipërinë drejt Greqisë! Nga punëtor krijon biznesin e tij!
Si shumica e shqiptarëve, Ilir Gjoka pa konsensusin familjar vendosi të ndërpresë shkollën e mesme dhe të largohet në kërkim jo vetëm të një jete më të mirë për veten, por dhe kontributit që mund të jepte për familjen. Ishte viti 1992, kuptohet situata në të cilën gjendej Shqipëria e rrjedhimisht edhe Tirana kur djaloshi 15-vjeçar do të merrte një vendim jo të lehtë: Të ikte ilegalisht drejt Greqisë. Iku me shpresën se do të gjente një punë ku fal të ardhurave të saj të bënte çmos që gjendja ekonomike e familjes së tij të ndryshonte! Është një realitet ky i prekshëm për të gjithë. Iliri mban mend ato momente të vështira, rrënqethëse për të, teksa përmes një lugine pranë Kapshticës, në kohë dimri aspak e favorshme, me bukë dhe pa bukë, me ujë dhe pa ujë, pas disa ditësh në këmbë mbërrin në Veria ku qëndroi dhe punoi një vit!
Sakrificat e Ilirit nuk ishin të vogla kjo fal dhe moshës. Jo gjithçka do të shkonte siç ai dëshironte, por nuk do të dorëzohej as dhe në një moment. Në Veria ku sapo mbërriti fillimisht ai kujton se nuk iu jepnin shtëpi dhe flinin ku të mundnin!.
Me lekët e para që mora bleva pantallona, këpucë dhe ndonjë rrobë tjetër. Për t’u larë shkova tek një stan dhish dhe përdora zorrën e ujit nxehur nga dielli. Pasi bëra pak dhrahmi që t’i kisha në xhep u largova për në Athinë, drejt portit të Pireut ku mora tragetin dhe zbrita në ishullin Rodos”– thotë Ilir Gioka!.
Sakrificat nuk kishin të sosur për të. Ja zbriti në Rodos, po ku do të shkonte?! Aventura në kërkim të një vendi pune me pagesë më të mirë brenda vendit fqinj vazhdonte si një fjalëkryq! As i shkonte ndërmend të dorëzohej. Brenda vetes kishte besim dhe kurajo që të vazhdonte para, çdo kthim pas për të ishte i papranueshëm! Ishte i qartë në synimet e tija! Me të zbritur në Rodos do të përballej direkt me vështirësinë. Askush nuk e priste atje! Duke ecur dhe parë vërdallë gjen një ambient dhe fle në kartonë që shtronte për 1 muaj! Kujton që një gjirokastrit e mbajti në shtëpi për një muaj tjetër ku dhe shpreh mirënjohjen e tij në këtë rast. Punë kishte në ndërtim! Kujton momentin kur një punëdhënës grek e kishte marr për të hapur një kanal të cilin Iliri e kishte hapur për 2 orë!. Greku i cili kishte të punësuar 2 shtetas turq dhe 4 grekë ishte impresionuar nga ajo çfarë kishte pare, pasi kishte tjetër pritshmëri dhe e kishte paguar mirë atë ditë, e kuptohet ditët e tjera edhe më mirë. Kjo vetëm fal punës dhe djersës së Ilir Gjokës! Të qenit punëtor, korrekt dhe i sjellshëm bëri që punëdhënësi grek të pyeste Ilirin ku flinte e duke marr informacionin e duhur se nuk kishte ku të flinte, punëdhënësi grek i mori një shtëpi me qera dhe madje shpesh darkash e merrte Ilirin dhe shëtisnin me të! Në Rodos Iliri punoi disa vite në ndërtim, por ka bërë disa punë në ato vite njëherësh si; ngarkim-shkarkim fruta-perimesh, punë në supermarket, kamarier, punonjës në Fasfood etj, pra disa punë duke fjetur pak gjumë dhe rritur të ardhurat dhe mbërritur deri tek momenti që do të guxonte të hapte vet një biznes në Rodos.
Ishte pikërisht ky kulmi i suksesit të tij në Greqi, kur Ilir Gjoka do të hapte një minimarket fruta perime, shumicë, pakicë, ku do të fuste dhe të tjera produkte si vajra djath kackavall etj.
Ishte viti 2004 kur do të merrte udhë kjo sipërmarrje e Ilir Gjokës e mbështetur dhe nga familja, veçanërisht bashkëshortja! Me guximin, besimin dhe energjinë që e karakterizonte, Iliri 3 muajt e parë do të angazhonte gjithë familjen dhe rezultati erdhi menjëherë, suksesi qe i garantuar ku më pas fal rritjes së biznesit mori në punë edhe 7 persona të tjerë!. “Bleva dhe 3 furgona për shpërndarje në restorante dhe minimarkete dhe kisha shumë punë. Furnizoja në shtëpi deri në 500 familje greke në ditë dhe mbi 1500 restorante 2 herë në javë”- thotë Iliri.
Hapja e biznesit në Rodos ishte kulmi i arritjes së Ilir Gjokës në Greqi, por do të ishte dhe zhgënjimi më i madh për të me kalimin e viteve, do të ishte mbyllja e një kapitulli në shtetin helen pas 17 vitesh dhe jo me dëshirën e tij! Më saktë do ta “detyronin” të largohej drejt SHBA!
“Përballë meje në rrugën “Kanada”, hapet një supermarket i madh, e kishte nipi i ish kryetarit të bashkisë së Rodosit. Unë kisha shumë punë, por ai përmes mekanizmave të pushtetit më luftoi për arsye konkurrence duke përdorur dhe metoda rraciste përdorimin e faktit se unë jam shqiptar ku çdo ditë bashkia më sillte policinë e me gjobiste me pretekset nga më të ndryshmet; pse ke lënë arkën këtu, etj. Dhimbje ndjeu Iliri për çfarë i ndodhi, por nuk kishte rrugë tjetër. Në kushtet e pabarabarta që ishte e nuk përballej dot, të niste nga fillimi një biznes sërish në Greqi në të njëjtat rrethana sipas tij ishte e pamundur, ndaj kishte vendosur ta mbyllte me Greqinë. Por për ku?!
Amerika, atdheu i dytë i Ilir Gjokës! Toka e bekur që i mundësoi suksesin!
“As e kisha menduar, por një ditë u detyrova të shkatërroj gjithçka në Greqi. Nisa familjen për në  Shqipëri dhe vet mora vizën në Athinë për të mbërritur në SHBA”- rrëfen Ilir Gjoka, jo i penduar pas asaj çfarë e priti dhe arriti siç thotë ai, në tokën e bekuar amerikane!
Pra, ishte viti 2009, ku Iliri do të mbërrinte në Teksas. Aty ndryshe nga Greqia e priti një mik 4 ditë në shtëpinë e tij dhe më pas mori një banesë me qera.
“Edhe në Teksas të SHBA në fillim po kërkoja mbijetesë. Pyesja për çdo lloj pune. Njoha një djalë nga Tropoja që kishte një restorant, Xhemal Neza quhej dhe u futa të punoja partime në restorant. Më pas i bleva restorantin dhe ai u largua. Punova 5 vjet pa dal nga restoranti, ndërkohë kisha tërhequr dhe familjen. Pas 5 vitesh hapa biznesin e dytë, prapë restorant. Sot kam 8 restorante dhe numri i të punësuarëve ka shkuar deri në 100 veta”- thotë në mënyrë telegrafike Iliri pa mburrje. E gjitha sipas Ilir Gjokës ka ardhur me një punë të jashtëzakonshme, me djersë, shumë pak orë gjumë dhe me besimin e plotë që do ia dal duke pasur krah dhe familjen!
Ndryshe nga Greqia, në Amerikë Iliri pa ndryshimin, atë që ëndërronte, kërkonte dhe dëshironte: Të ishte i barabartë bazuar mbi aftësitë dhe jo rracën dhe kombësinë, për të arritur suksesin bazuar mbi punë dhe ndershmëri!.
“Njerëzit janë shumë të mirë dhe të dashur këtu. Fal ngrohtësisë së tyre, qasjes së barabartë mes njëri-tjetrit, mundësive të krijuara më bënë që shumë shpejt të mos ndihesha emigrant. Më kanë bërë të ndihem si në Shqipëri. E them me gojën që Amerika është atdheu im i dytë!”- thotë Ilir Gjoka! E ndërsa ka bekime dhe falenderime, Ilir Gjoka përveçse një qytetar i përgjegjshëm, taksapagues i rregullt, nisi të sillet si një amerikan i vërtetë, por me zakon dhe zemër të madhe shqiptari që i gjenden njëri-tjetrit në të mirë e të keq. Rasti ishte për të treguar bujarinë shqiptare në fatkeqësinë natyrore që ndodhi me Tornadon në Tekas ku vetëm 2 orë më pas Ilir Gjoka kishte bërë gati 600 vakte që në mëngjes për t’i çuar atje ku nuk kishin ushqim, drita dhe shtëpi duke e bërë këtë gjë për disa ditë rresht!
I njëjti solidaritet i Ilirit në ndihmë të qytetarëve në Teksas ishte edhe në periudhën e Covid 19! Nga restorantet e tij janë shpërndarë ushqime për 3 javë për familjet në nevojë duke iua çuar qendrave komunitare ose dhe shpërndarë në rrugë për shumë njerëz që humbën punën dhe familjet prisnin t’u paguhej çeku! Për këtë njerëzit e vlerësuan dhe propozuan si dhe u votua “Njeriu i Vitit” ku mori dhe titullin “Hero i qytetit” si dhe Ilir Gjoka mori dhe dekoratë nga Kongresi e cila iu dorëzua në restorantin e tij nga Sekretati i Shtetit të Teksasit James White , Kryetari i Bashkisë Judy B. Cochran dhe Prokurori i qytetit Sydney Murphy si dhe kongresmeni Brian Babin!
“U ndjeva shumë mirë me vlerësimin, Ishte një emocion i veçantë! Media i bëri publicitetin e duhur. Më motivuan të bëj edhe më shumë. Pas kësaj qytetarët e Teksasit më përkrahin edhe më shumë, madje tani në shenjë respekti dhe konsideratë presin në radhë tek restorantet duke qenë se unë iu jam gjendur dikur”-thotë Ilir Gjoka.
Familja mbështetje më e fortë e suksesit. Krenar
për fëmijët që po spikasin në shkollat amerikane!
I rritur mes vështirësive duke qenë se u largua i vogël nga Shqipëria, për të ardhur deri tek suksesi, një mbështetje e madh për Ilir Gjokën ka qenë familja. Sot ai ndihet krenar për bashkëshorten si dhe fëmijët Xhorxhina, Xhoana, Xhosef Gjoka duke qenë se ata po spikasin në shkollë në Teksas. Vajza e Ilirit, Xhorxhina Gjoka, para pak ditësh ditën e diplomimit është konfirmuar ndër 7 studentet më të mira të Universitetit ku studioi!
Ilir Gjoka i cili ka bërë çmos duke sakrifikuar shumë për të qenë pranë familjes nuk e fsheh gëzimin dhe entuziazmin e diplomimit të së bijës ndër më të mirat e universitetit. Në rrjetin social facebook ai shkruan: -“Postimi i vonë, por jam shumë krenar për vajzën time që u diplomua Summa Cum Laude me diplomën e saj Bachelor në Shkencat Shëndetësore si studente para infermierisë. Nga 750 studentë që u diplomuan me të ajo ishte ndër 7 më të mirat. Lutem që ajo të ketë një të ardhme të suksesshme dhe gjithçka që ajo ëndërron”. Kjo arritje e Xhorxhinës nuk duhet konsideruar vetëm personale dhe familjare e Xhorxhinës dhe familjes Gjoka, por edhe një krenari shqiptare. Eshtë një tregues se si gjaku ynë arrin të spikas dukshëm pavarësisht vendndodhjes së familjes shqiptare.
Iliri kujton dy momente të vështira; largimin 15 vjeç nga Tirana pa mirëkuptimin e familjes duke qenë se ishte i vogël dhe përballja me sakrifica në Greqi, si dhe largimin nga Greqia drejt SHBA derisa sa u stabilizua. Nuk ka ndonjë pishmanllëk, por merak të vetin ka faktin se për të arritur deri këtu i është dashur të harxhoj shumë kohë, e ndoshta i ka hyrë në hak familjes. “Me familjen nuk kam harxhuar kohën e duhur, por më kanë mirëkuptuar. Jam krenar duke parë arritjet e fëmijëve si ekselentë dhe madje sot më vinë në ndihmë edhe tek biznesi!”- thotë Ilir Gjoka. Nuk ka ditë që nuk falenderon për trajtimin që i bëhet në Teksas dhe që nuk thotë: Zoti e bekoftë Amerikën, por Iliri ka dhe një falenderim shpirti, zemre për prindërit që i konsideron më të mirët në botë që e rritën dhe edukuan më këtë dashuri për njerëzit dhe punën! Fëmijët janë krenaria e Ilir Gjokës dhe po bën çmos të iu ofrojë çdo mundësi. Apeli për ta është: Studioni, mësoni, shkëlqeni që të jeni mendje të ndritura.
Duke qenë një histori suksesi në atë çfarë ka arritur Ilir Gjoka ka një apel për çdo bashkëpatriot të tij teksa thotë: “Punoni me nder, mos u dorëzoni, suksesi nuk arrihet përnjëherësh, por nëse do jeni të qartë çfarë kërkoni, të punoni dhe keni besim në vete, do të ia arrini”.
  

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular