BallinaOP EDShefqet Meko: Ne, të diplomuarit e “Shkollës se Dakos”...

Shefqet Meko: Ne, të diplomuarit e “Shkollës se Dakos”…

Nga Shefqet Meko
-Duke kujtuar Dhjetorin në Janar-
Për mendimin tim, “Dhjetori i vërtetë” ka filluar në ILB, aty tek “Shkolla e Dakos”. Aty ishim ne. Për “Udhëheqjen në Tiranë” ne ishim “dora e dytë” që nuk kishin se ç’të na bënin, sepse ne ishim një “Shkëlqim pune”. Ne e deshëm shkollimin, dhe ishim gati të gjithë me “nota 10-ta” ndaj Kryetarët e the Sekretarët në rrethe, nuk kishin rrugë tjetër veçse të na çonin tek “Shkolla e Dakos” si “persekutim” i ëndrrave tona dhe hakmarrje ndaj vullnetit tonë të pathyeshëm… Ishte “dënimi” pa gjyq që na bënin, sepse nuk kishin rrugë tjetër. Djemtë dhe vajzat e tyre shkonin në Univesitetin e Tiranës, aty ku shkonte “Ajka komuniste”… Ne, bij partizanësh të ndershëm, me “cene të vogla”, me “njolla të murrme” në biografi, me baballarë të mirë, ne që patëm merituar dhjetat e shkollës së mesme, tek shkolla e Dakos, e ndienim përçmimin , por nuk kishim as forcë, as guxim t’u jepnim “shuplakë fytyrës”. Ne morëm atë që na dhanë,por nuk ju dorëzuam fatalizmit. Ne ishim studentët më të shkëlqyer të kohës. Ne ishim “të pagjumët” e Kodër-Kamzës… Dua të përulem me mall dhe drithërime njerëzore për të gjithë ata që kapërcyen portat e “Qytezës së Blertë”. Falë talentit krijues të Rexhep Dodës, pasionantit të arkitekturës natyrore të kohës, ne ishim studentë në një qytezë-maket bukurie, për të cilën, Spasse Thanasi, boton libra përvitshmëm. Ne ishim të bindur se ndiqnim ëndrrën tonë, ne dëshpëroheshim më shumë me veten, se sa me sistemin që e bënin “Ata të Tiranës”. Ne ishim “palca” që ata nuk na “krimbën” dot kurrë. Sepse ne vinim për të mbijetuar. Unë isha një nga ATA… Një cikërrimë krahasuar me brezat që bënë “Historinë e ILB-së” me shkëlqim dhe përkushtim intelektual, me shpresë se “ditë më të mira do vinin”. Nuk mundem të përmend emra sepse kjo ese nuk do kishte dot fund…
Kujtoj dhjetorin, tani në janarin e përgjumur në borë e qesh me veten time, këtu në Minneapolis. Jam një oqean dhe disa liqene larg Tiranës së dashur. Tiranës ku ëndërruam, dashuruam dhe u drithëruam nga puthjet e para.
Asnjë nuk e ka dashur Tiranën më shumë se ne “Të shkollës së Dakos”. Ne përherë ishim ndryshe, sepse çdo provim ne e merrnim me punë, djersë, netë pa gjumë dhe të uritur, por përsëri, lexonim, marroseshim pas leksioneve dorëshkruar dhe librave voluminoze në mesnatat e gjata në atë “Kodër Magjike”.
Kam qënë mes tyre. E shkuara më shfaqet si “Lokomotivë”e sikur fuqishëm më shtyn të shkoj përpara. E shkuara e “Diktaturës së Proletariatit” është “motorri” im që nuk më le në rrugë, sepse ishte “Koha e punës” edhe pse e dhunshme dhe pa shpërblimin e merituar… Unë nuk kam nostalgji, por kujtime që nuk mund t’i fshij nga memorja, sepse janë “kujtimet e mia”, është “rinia ime”, është “ëndërrimi im i burgosur” që e dua tmerrësisht si pjesën time…
Shkolla e Dakos, ajo qytezë e bukur në verilindje të Tiranës, ishte “internimi” i butë i intelektualizmit shqiptar që kurrë nuk u vlerësua, as atëhere, as sot, as nesër… Aty flinin ëndrrat. Aty kishte përsonalitete që hanin vakte të ditës “me lata” studenti, si puna ime…
Më dhemb më shumë se gjithshka “rracizmi” shqiptar ndaj Shkollës së Dakos. Më dhimben ato vite, më dhemb edhe sot. Ata, na përbuznin…Unë e dija. Edhe Ju, edhe Ne…Të gjithë e dinim se sa na urrenin sepse ne ndërtonim karrierat tona mbi Punë, Talent, Lodhje… Ata, djemtë e ish-komunistëve, ish-sekratarëve të parë, ish-drejtorëve, ata ishin “Studentë në Tiranë”…Ne të tjerët, diku, “tutje qendres”, të disiharruar, të disinëpërkëmbur, të disishpërfillur… Vetëm rektori i asaj kohe dukej sikur rezistonte për vete dhe për ne, në “dritëhijet” e postit që ja “kishte besuar Partia”…
Ne e dinim se Ata nuk na deshën, sepse ne e kërkonim shkëlqimin tek Puna, Pagjumja, Këmbengulja dhe Vetvetja…Pinjollët e “klasës udhë qheqse” ishin duke studjuar për Juridik, Letërsi, Filozofi etj., tek Korpusi Qëndror…
Ne duronim. Ne kishim një shpresë se ishim më të mirë se ata që na kishin çuar në “periferi të Tiranës”. Unë kam njohur sa e sa talente që erdhën aty sepse “Nuk kishin shans tjetër”. Këtë mund ta dëshmojë shumë emra tashmë të njohur të aktualitetit shqiptar që e kam të pamundur t’i radhis të gjithë…
Ne ishim “Poli i harruar” i Diktaturës së Proletariatit. Por unë kam dëshmuar zgjimin që ndodhi aty. “Shkolla e Dakos” ishte e para të revoltohej në dhjetor dhe më herët. Por revoltën tonë na e “vodhën” trashëgimtarët e komunsitëve dhe të sekretarëve të Parë dhe Kryetarëve të Komiteteve, fëmijët e drejtorëve dhe diplomatëve të kohës, apo spiunët e tyre…. Fëmijët e tyre ishin atje tek “Korpusi Universitar”, ne ishim “periferia”. Ata na vodhën revoltën tonë në mënyrë të mistershme. Sepse unë e di: Revolta e Vertetë anti diktaturë ishte në Qytezën e Blertë…Aty së pari në kohë zboresh ne “Manifestonim Shpirt Lirie” sepse ishim bashkë me “Tironsit” me ata që koha i sillte tek ne si “Të pa dëshiruar” tek Korpusi… Në ILB për herë të parë janë bërë “mbrëmje moderrne”, madje edhe “Vallzime Nudo” në taracat e konvikteve…Ne “provincialët” ishim bashkuar me “Tiransit e persekutuar” dhe ishim kthyer në “zjarr”…
Ata, në Tiranë përherë kanë dashur ta shuajnë zjarrin tonë. Ishte shpirit i tyre përbuzës ndaj karakterit dhe qëndresës tonë. Ata nuk e deshën qëndresën tonë. Sepse ne të “Shkollës së Dakos” gati të gjithë kemi qënë qëndrestarë të Punës, Pasionit, Vullnetit…Ne, edhe pse vinim nga cepe të ndryshme, ishim aq të ngashëm sepse në themelin tonë qëndronte puna, talenti, rezultati “pa mik”. Ne ishim të “pagjumët e kohës”. Nuk flas vetëm për vete. Flas dhe shkruaj për të gjithë ata që “flinin mbi libra” dhe bënin dush “Një herë në javë”…Ata, të gjithë dua t’i mbështjell në krahët e mi dhe t’u them: Jeni Heronj! Krenar të jem dë shmitar i heroizimit Tuaj.
Ne të “Shkollës së Dakos” kemi qënë të “përbuzurit” e Kohës që shkoi. Të abuzuarit e gjithë kohëve. Unë dëshmoj këtë “pafytyrësi” shqiptare. Në këtë këtë stinë dimri, sjell në mendje çaste, momente dhe të vërteta dhimbëse. Me sytë “nga e shkuara” kuptoj më mirë vetveten se sa shumë isha indoktirunuar nga “Propoganda e kohës”. Unë isha pjesë e saj dhe nuk di të shpjegohem. Thjesht mund të them: “Nuk i bihej murit me kokë…”
Ata “Të Tiranës” përherë kanë vjedhur shpirtin e vërtë të protestues të “Shkollës së Dakos”.Në fakt shumë shpërthime kanë filluar nga shkolla e Dakos. Mjafton të kujtojmë një fakt: Aty filloi protesta së pari. Protestën tonë e vodhën “Djemtë e komunistëve”. Ata ishin mjeshtra. Ata mbeten të tillë. Askush nuk flet për një takim revoltues të Studentëve të ILB-së me ish-kryeminsitrin Çarçani. Aty studentja më e guximshme e kohës Alma Haxhiu ja tha në sy kyeminisitrit: “Zoti kryeministër. Një fjalë popullore thotë “Sa ke këmbët, shtrije jorganin”, por me sa duket “Jorgani socialist” kaq është…Ku t’i shtrijmë këmbët?…” Skënder Gjinushi, ish-ministër i Arsimit, u përpoq ta korigjonte. Ajo thjesht këmbënguli: “Kaq është ‘jorgani socialist’. Le ta parojmë…”Ajo ishte zë dhë sja e parë e revoltës, por askush nuk e përmend. A thua ajo vajzë eshtë “Pishtare e Demokracisë” apo i është vjedhur revolta e shprehuar më qartë se kurkush?…
Unë nuk frikem të pohoj se kam qënë “vegël e partisë”…Nuk mund të isha ndryshe. Ishte kohë kur “Idelogjia e partisë ishte ideologji sunduese”. Shumë llafallagë që “të vrisnin për partinë” tani nuk permendin asnjë funksion të asaj kohe. Unë nuk kam frikë të pohoj, sepse mbetem i sinqertë dhe nuk kam dashur të kap asnjë post “duke sharë”… Ata që shanin e deshën demokracinë?!… Çfarë ironie….
Revolta e para-dhjetorit i ka rrënjët në ILB. Unë e dëshmoj këtë nga larg. Është një dëshmi e dhimbëshme kur sheh se si janë përmbysur raportet dhe se si “partia që na zgjoi” është kthyer në parti e “200 Petritave”… Edhe “vala e dytë” e revoltës që përfundoi duke rrëzuar “Monumentin” aty tek shkolla e Dakos filloi… Aty. Në ILB kishte revoltë të heshtur. Kur dritat shkëputeshin dhe ne mbeteshim në errësirë, protestat filluan aty së pari…
Ata që “pushtuan” tribunat në Dhjetor, për fatin tonë të keq nuk ishin “ilimunistët shqiptarë”. Perifrazimi më i thjeshtë është se ata ishin “të besuarit e pushtetit” që më vonë u bënë si “ Ali Baba me 40 hajdutë”…
Dhjetori i “etheve virale” shkoi dekada më pare. Sërish unë e kujtoj në janar, ka shumë pikepyetje, por pikëpetja më e madhe është: U revoltuam apo na “vodhën” revoltën?….Mbase 20 Shkurti që po afron do na “zgjojë” për të rrëfyer “të vërtetat e censuruara”, edhe pse disi vonë.
Shefqet Meko
Minneapolis, Janar 2023
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular