BallinaKryesorePROFIL/”Jehona e Shqipes” zëri shqip gati 4 dekadash në kryeqytetin e BE...

PROFIL/”Jehona e Shqipes” zëri shqip gati 4 dekadash në kryeqytetin e BE dhe Sakip Skepi si histori suksesi!

Nga Mina HYSA
Shqiptarët janë një popull i zgjuar. Kanë ditur të spikasin me profesionalizimin e tyre, fal dhe guximit në sipërmarrjet në fusha të ndryshme kudo kanë shkelur, madje dhe në metropolet e Europës, Amerikës e më gjerë. Sipërmarrja e tyre ka qenë e ndryshme, por më të guximshmit dhe me një mision human dhe patriotik kanë qenë shqiptarët që kanë guxuar të ngrenë një media në gjuhën shqipe.
Rasti që do të sjellim në startnews.al sot, flet fjalë për një shqiptar të suksesshëm me origjinë nga Dibra i cili veç të qenit fisnik si njeri, me atë çfarë mundësoi në vitin 1986 në Bruksel, kreu dhe një akt patriotik, atë të zëdhënies së gjuhës shqipe tek bashkëatdhetarët tanë në Belgjikë e më gjerë, përmes një radioje e cila, ndonëse fillimisht u mendua si jetëshkurtër, tashmë po i ofrohet katër dekadave!. Më 21 shkurt 2023, në sheshin karakteristik 500 vjeçar “Grand Place” në Bruksel përfaqësues të elitës së komunitetit shqiptaro-belg u mblodhën në mjediset e qendrës kulturore “Shqipville” duke uruar: “Gëzuar Ditëlindjen! Ky urim i shoqëruar me mbresa dhe kujtime ishte për 37-vjetorin e Radios “Jehona e Shqipes”. Themeluesi dhe arkitekti i kësaj medie është një emër që për atë çfarë ka dhënë meriton vlerësimin, jo vetëm të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Belgjikë, për faktin se për ta ai nuk ka qenë dhe është thjesht pronari i një radioje, por një derë e hapur për çdo shqiptar, e radio mbetet një vikamë e madhe që dëgjohet në veshët e çdo bashkëpatrioti tonë, tek e cila marrin informacionet e nevojshme në gjuhën amëtare.
Quhet Sakip Skepi, me origjinë nga Blliçet e Dibrës! E kujt më mirë se një dibrani do t’i shkonte për shtat akti atdhetar i hapjes së një mediumi në gjuhën shqipe, i cili përveç ruajtjes së gjuhës shqipe do të përçonte më tej kulturën dhe ruajtjen e identitetit shqiptar në kryeqendrën e Europës, Bruksel! E sigurisht i frymëzuar nga familja, i brumosur me dashurinë për atdheun në shtëpi, mbajtur mbi shpatulla peshën e historisë së zonës nga vinte si Dibra dhe mbiemrit të një familje patriotike, Sakip Skepi do ia dilte të ishte dhe mbetet një histori suksesi dhe referencë për shqiptarët në Belgjikë!
Ai për çfarë ka arritur dhe ka dhënë e ka skalitur emrin e tij për mirë, ndaj meriton falenderime dhe përgëzime. Institucionet e Shqipërisë zyrtare dhe jo vetëm, por dhe të shtetit të Kosovës dhe të qeverisë së Maqedonisë për pjesën shqiptare, duhet ta konsiderojnë Sakip Skepin dhe veprën e tij si pjesë së historisë së rrugëtimit shqiptar ndër vite dhe sigurisht vlerësuar të paktën moralisht me medalje, sepse Sakipi materialen as e njeh, sepse është mësuar vetëm të japë! Të shkruaj një profil për këtë personalitet është sa kënaqësi aq edhe përgjegjësi për të mundur të konstatosh dhe pohosh kontributin e dhënë nga ai prej gati 4 dekadash!
“Jehona e Shqipes” zëdhënia shqiptare në kryeqendrën e BE!
20 Shkurti 1986 do të ishte një gur i rëndësishëm për “murin” e madh shqiptar mediatik në kryeqendrën e Bashkimit Europian, Bruksel. Atë ditë mori udhë një projekt shumë i rëndësishëm i arkitektit Sakip Skepi. Radio “Jehona e Shqipes” do të niste transmetimin në gjuhën shqipe, me miratimin e Ministrisë së Kulturës së Rajonit të Brukselit.  Që nga ajo ditë Radio “Jehona Shqipes” u kthye në zërin e shqiptarëve. Dëgjohej kudo. E diela në 105.4 FM lëshonte nga Belgjika valë që më në fund bashkonin!.
“Kur mbusha 27 vjeç, mua më dhimbte shpirti tek shihja që komuniteti shqiptar këtu në Belgjkë ishte aq i përçarë, po aq sa më vinte inat që të tjerë komunitete si; ai italian, grek, arab, ishin aq të unifikuar, e mbanin fort kulturën e tyre” – thotë Sakipi. Prandaj ai trokiti në Ministrinë e Kulturës në Bruksel dhe kërkoi hapësirë radiofonike. Mundi ta marr këtë mbështetje fal këmbënguljes shumë të madhe dhe argumentuese ku Sakipin e këshilluan që të drejtohej tek Radio Panik, ku nga Brukseli u fol për herë të parë shqip. Emocionet ishin të pafundme, por garanci për vazhdimësinë e projektit nuk kishte. Grupi nismëtar i hapjes së Radios, ishin; Sakip Skepi i cili mund të konsiderohet si pionieri i kësaj nisme së bashku me të ndjerin Idriz Basha si dhe Gani Sheta, Ali Islamaj, Durak Duraku, Avni Islamaj, Naim Likaj. Projektit iu bashkua dhe bashkëshortja e Idriz Bashës, Kimete Basha –Mitrovica.
Ky grup idealistësh dhe patriotësh nisi të reduktohej pasi secili kishte nevojat për të përballuar jetesën, ndërsa Sakipi nuk do të dorëzohej. Pjesë e rrugëtimit të historisë së radios që ka punuar më shumë si periudhë kohe në radio veç themeluesit Skepi janë politologu Kolë Gjeloshaj, i cili iu bashkua radios në shtator të vitit 2000, ndërsa më e reja është gazetarja Ledja Canaj. Kur në Shqipëri u hapën kompanitë e para celulare “Jehona e Shqipes” pati angazhuar një gazetare nga Tirana dhe po ashtu edhe një gazetar nga Prishtina. Vështirësitë në këto 4 dekada ishin të mëdha dhe të ndryshme! Radio si projekt dhe urë komunikimi mes shqiptarësh në emigracion u duk se do ishte jetëshkurtër, punë muajsh, por “Jehona e Shqipes” sapo festoi 37 vite transmetim.
“Duke mos patur asnjë kontakt me shtetin amë, detyrimisht na lindi ideja e ngritjes së një ure komunikimi e ku më mirë se me radio do ta mundësonim një gjë të tillë. Për ne ishte një kohë e vështirë. Kishim nevojë që të shpreheshim dhe radio ishte mënyra më e mirë dhe me u interesu nga afër për vendin tonë, dhe mbi të gjitha, për ruajtjen dhe përçimin e kulturës sonë. Ishte fat për ne që autoritetet belge, na përkrahën”- thotë pionieri, themeluesi i kësaj radioje, dibrani fisnik Sakip Skepi.
Në kuadër të vështirësive me të cilat është përballur, Sakip Skepi kujton një episod kur Sigurimi i Shtetit në Bruksel ka tentuar në vitin 1987 të prishte radion me antenat e tyre që i kishin vendosur atje! Transmetimi i radios kishte trazuar regjimin në Tiranë sepse iu shkoi zëri deri në Shqipërinë komuniste. Në vitin 1988 kishin mbërritur në Bruksel nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë për t’i vënë kyçin asaj radioje që po u prishte punë. Sigurisht nuk ia arritën as me kërcënimet, as letrat anonime, as telefonatat e as ofertat e nëndheshme politike. Sakip Skepi i ka refuzuar të gjitha. “Jehona Shqipes” ishte radio e fuqishme, dëgjohej e komentohej gjithandej duke qenë e pavarur.
Sakipi, është një qytetar model, një intelektual i mirfilltë, një administrator dhe profesionist i zoti. Duke qenë një njeri me zemër të madhe dhe mendjehapur, radion “Jehona e Shqipes”  e ka kthyer në një markë të spikatur shqiptare në mes të kryeqytetit europian. Radio ka shërbyer për shqiptarët edhe për të shijuar muzikën, si dhe tema në emisione të ndryshme për artin, kulturën dhe letërsinë shqipe.
Sakip Skepi është i vendosur që të mos heqë dorë nga radioja! “Le të fryjnë sa të duan erëra moderne, le të vijë interneti e kush të dojë tjetër. Unë jam i bindur se “Jehona Shqiptare” do vazhdojë të ketë jetë e frymë dhe mbetet besnike e dëgjuesve të saj dhe udhërrëfyese e tyre” thotë ai.
Në këtë përvjetor të 37-të u nderua dhe kontributi i bashkëpuntorëve të parë dhe aktivë të “Jehona e Shqipes” disa prej të cilëve janë bërë personalitete të nderuar të diasporës në Belgjikë – i ndjeri Idriz Basha, ish ambasadori ynë në Belgjikë me bashkëshorten Kimete Basha – Mitrovica, Durak Duraku, ish zyrtar në Ministrinë e Brendshme Federale, Ali Islamaj, deri më 2018 për dy dekada drejtor i Shkollës së Mesme Profesionale të Turizmit dhe Hotelerisë, Gani Sheta, Avni Islamaj dhe Naim Likaj.  Radio ka qenë dhe do të jetë radio jo politike, por Kombëtare. “Jehona e Shqipes” është në rrjetet sociale Facebook, Instagram si dhe kanalin në Youtube si edhe ka bashkëpunim me disa radio në Shqipëri.
Kush është Sakip Skepi?
Sakip Skepi ka 56 vite që jeton dhe banon në Belgjikë. Ishte i vogël kur prindërit e tij u arratisën nga Shqipëria komuniste si shenjë proteste ndaj një regjimi vrastar i cili kishte izoluar Shqipërinë. Ishin 7 familje ku përbënin 26 veta që më 11 maj 1958 organizuan superarratisjen më të madhe ndodhur ndonjëherë në veri të Shqipërisë. Shqipërinë e la 5 vjeç, Arratisja u bë nga bjeshkët e Dibrës e përfundoi në ish-Jugosllavi. U nisën më 11 maj, kur kishte ende borë e ushtarët nuk ngjiteshin deri lart. Babai i tij e njihte mirë terrenin sepse ishin bjeshkët e tyre. “Rojet e kufirit na pikasën. Filloi breshëria e mitralozëve. Plumbat ranë mbi borë e fatmirësisht nuk kapën asnjë. Ishte shumë ftohtë. Humbëm rrugën dhe u ndalëm. Nga frika se mos hynim sërish në kufirin shqiptar nëpër errësirë, pritëm derisa u zbardh e u dorëzuam pastaj tek autoritetet jugosllave, që pasi na mbajtën 8 javë në një kamp, na njohën statusin e refugjatit dhe ne kemi jetuar afër 10 vite në ish-Jugosllavi e më pas erdhëm në Belgjikë” – thotë Sakip Skepi. Pas qëndrimit gati 10 vite në rrethinat e Shkupit familja e Sakip Skepit do të zhvendosej në Bruksel nga muaji nëntor i vitit 1967. “Në Belgjikë, rinia ishte, si e gjithë të tjerëve. Në shkollë, në sport dhe me shokë. Në shtëpi flisnim vetëm shqip, me prindërit. Bisedat e shumta i bënim për vendlindjen. Në fakt, kur u arratisëm lamë dy motrat e mia atje, se ishin të martuara dhe nuk i merrnim dot. Nuk dinim çfarë bëhej me to. Nga Shqipëria mund të vinte një letër në 4-5 vjet, për raste shumë të rralla. Prindërit e kanë vuajtur shumë mungesën e tyre. Nëna mbylli sytë pa i parë më kurrë!. Kështu, malli për vendlindjen ishte shumë i madh”- thotë z.Skepi themeluesi i radio “Jehona e Shqipes”.
Sakipi nuk e ka të lehtë t’u kthehet atyre viteve. Nëna dhe babai i dhanë një të ardhme tjetër, një jetë të lirë. Por Shqipëria mbeti pengu i tij, që se la të qetë derisa më në fund e pa të lirë  në vitin 1991. “Nuk doja që të kthehesha në Shqipëri si turist. Në 12 maj 1958 ne jemi dorëzuar në ish-Jugosllavi, në 12 maj 1991 unë kam shkelur në Shqipëri si një nga misionarët e “Mjekëve pa kufij”-thotë Sakip Skepi.
Si e gjeti Shqipërinë post-komuniste?! E rrënqethën radhët e gjata për qumësht në tre të mëngjesit, po aq sa do ta tmerronin pamjet e spitalit distrofik të fëmijëve, prej nga filloi misioni shëndetësor. Tani, pas shumë vitesh, Shqipëria është sërish shtëpia e tij, ku Sakip Skepi shkel sa herë e merr malli.
Kujtojmë që dëshira e të nxënit të sa më shumë dijeve bëri që Sakip Skepi të mbaronte studimet, për Ekonomi –Fiskalitet dhe të niste nga puna. Në vitin 2005 nisi punën duke u marrë me imobilare dhe sigurimin e Kredive Bankare pasi dhe është diplomuar dhe për sigurimin e kredive.
Por dashuria e parë për Sakipin mbetet radio prej së cilës nuk hoqi dorë në asnjë moment, madje përkushtohet sa më shumë që të mbetet një zë i fuqishëm për shqiptarët në Bruksel dhe mbarë Belgjikën!
“Jehona e Shqipes” një dritare për politikanë, artistë, sportistë dhe gazetarë. Vlerësimi nga mediat e huaja
Në radion “Jehona e Shqipês” të ftuarit e nderit kanë qenë për të folur shumë personalitete. Para vitit 90, pretendenti i fronit Shqiptar Leka ZOGU I e kishte si një dritare të tijën. Ndër personalitete e intervistuar në radio ndër të parët nga mikrofoni i Sakip Skepit është edhe Presidenti i nderuar i shqiptarisë Ibrahim Rugova i cili ka dhënë disa intervista, pa harruar që radio si dritare ka qenë edhe për të tjerë si; Rexhep Qosja, profesor Zekria Cana, Femi Aganin si dhe Anton Çetën dhe shumë të tjerë nga Kosova. Ndër të intervistuarit janë edhe personalitete shumë të respektuar, si Mentor ÇOKU dhe Sami Repishti etj. Radio “Jehona e Shqipës” ka bashkëpunuar regjisoren Liria Begeja në realizimin e filmit të parë, me tematik shqiptare jashtë vendit “ Prill i Thyer” në Korsikë, me artistë të ardhur nga Kosova dhe Franca. Radio ka siguruar 110 Figurantë nga Belgjika dhe Franca. Pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri shumë  personalitete, të artit e politikës kanë kaluar sa në studio, ose nëpermjet telefonit. Disa prej tyre janë: Ismail KADARE ; Dom Simon Jubani, Dom Lush Gjergji (Prift dhe themelues i Shoqatës bamirëse në fund të viteve ‘80 “Nanë Tereza” në Kosovë) Timo Flloko, Mirush Kabashi, Arif Vladi, Liri Rasha, Merita Halili, Zef Deda, Tefta Radi, Saimir Kumbaro, Isa Qosje, regjisor nga Kosova dhe shumë e shumë të tjerë. Me shembjen e Murit të Berlinit, në studion e radio “Jehona e Shqipes” kanë qenë përfaqësues të televizioneve të njohur perëndimore, si televizioni kryesor belg “RTBF” si dhe veprimtaria e radios në gjuhën shqipe është pasqyruar disa herë në edicionin e lajmeve qëndrore. “Nder shumë të madh na ka bërë edhe Televizioni francez “TF1 “( Televizioni Numër 1 në Europë). Ata na erdhën në studio dhe dhanë kronikën mbi radion tonë në edicionin qendror të lajmeve në orën 20h dhe 23h. Radio ishte i vetmi burim, për ta që të sillnin lajme nga Shqipëria për zhvillimet politike. Mos të harrojmë se Shqipëria ishte e fundit që ra nga blloku komunist”  – thotë Sakip Skepi. Autoritetet Belge e kanë respektuar dhe e respektojnë Radion. Për çdo fushatë zgjedhjesh (sepse dhe në Belgjikë ka shpesh zgjedhje) shkojnë politikanë të rangut të lartë për të promovuar politikën e tyre. Në Belgjikë tani ka një diasporë të madhe shqiptare dhe ata kanë nevojë për votat e tyre. Edhe sot që flasim në radio “Jehona Shqipes” vazhdojnë të hyjnë e dalin çdo të diel gazetarë, shkrimtarë, politikanë, ambasadorë, artistë, biznesmenë.
Radioja vazhdon me mision kulturor, pa shkëputur kurrë fijet nga aktualiteti shqiptar, që çdo të diel flet shqip në Jehona Shqipes, e cila mbetet ajo që ka qenë këtu e 32 vjet të shkuara, pavarësisht se në Bruksel gjërat ndryshojnë ditë për ditë. E diela jo!
StartNews.al i uron radios “Jehona e Shqipes” jetë të gjatë dhe sa më shumë suksese Sakip Skepit.

Sakip Skepi me nenen dhe babanin

Foto e fundit e Sakipit me babain ne Bruksel

Me Kimete Bashën, me të cilën drejtoi emisionin e parë, dhe Safet Kryemadhin


 

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular