BallinaUncategorized"Thellohet skandali i Flotës, i përfshirë dhe Kastrati", denoncimi i gazetarit: Qeveria...

“Thellohet skandali i Flotës, i përfshirë dhe Kastrati”, denoncimi i gazetarit: Qeveria e dha me koncesion Bazën e Sarandës

Nga Klodian Tomori
Thellohet skandali i Flotës
Qeveria e dha me koncesion Bazën e Sarandës
Hetimet e SPAK për privatizimin e Bazës Detare të Sarandës janë përqëndruar tek një kontratë qiraje mes Ministrisë së Financave dhe bashkimit të kompanive Kastrati dhe Concord Investment. Por një muaj para kontratës së qirasë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nënshkruar me të njëjtat kompani një kontratë 35 vjeçare koncesioni për ngritjen e një porti jahtesh dhe shërbimesh në territorin ujor të bazës.
Kontrata e koncesionit është nënshkruar në 23 qershor të vitit 2020. Sipas hartave bashkangjitur kontratës, porti i jahteve praktikisht bllokon daljen e Flotës në det, pasi parashikon ndërtimin e bankinave në të gjithë zonën bregdetare para bazës, sic ilustrohet nga vijezimet e shenuara me blu ne foto.
Edhe pse Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi nën sekuestro preventive territorin tokësor të Bazës Detare me argumentin se dhënia e saj me qira tek privatët ka cënuar operacionalitetin e Flotës, sërish Baza e Sarandës mbetet e paralizuar pasi kontrata e koncesionit për Portin e Jahteve qëndron në fuqi.
Tenderi
Tenderi për dhënien me koncesion të Portit Turistik të Limionit u shpall në 1 gusht të vitit 2019. Pas zhvillimit të procedurës, në 21 tetor 2019 Ministria e Infrastrukturës shpalli fituese të koncesionit ofertën e paraqitur nga kompania Marina Limion, që parashikonte një investim për 11 milionë eurosh për ngritjen e një porti jahtesh dhe shërbimesh në territorin ujor të bazës.
Kontrata është negociuar për gati 1 vit dhe në 23 qershor të vitit 2020 MIE ka nënshkruar me dy kompanitë fituese marrëveshjen e koncesionit. Nuk dihet nëse Ministria e Infrastrukturës ka kërkuar aprovimin e Ministrisë së Mbrojtjes për ngritjen e një porti turistik në zonën bregdetare të Bazës së Sarandës. Por koncesioni i portit ishte hapi i parë i një plani që parashikonte fshirjen totale të Bazës së Sarandës, pa e nxjerrë më parë nga Plani i Përhapjes.
Një muaj pas firmosjes së kontratës së koncesionit nga Ministria e Infrastrukturës, nje tjetër ministri, ajo e Financave nënshkroi një tjetër kontratë me të njëjtat kompani. Këtë herë për të dhënë me qira afatgjatë territorin tokësor të Bazës për të ndërtuar aty hotele dhe vila. Kontrata e qirasë u kallëzua në SPAK nga ish komandanti i Flotës.
Pas dy vitesh hetime, një javë më parë, me kërkesë të SPAK, Gjykata udhëroi bllokimin e kontratës së qirasë dhe vendosjen e Bazës në sekuestro preventive.
Por edhe pse baza është e sekuestruar, kontrata e koncesionit për Portin e Jahteve është ende aktive. Madje dy ditë pasi Gjykata vendosi në sekuestro bazën, Ministria e Infrastrukturës miratoi rregulloren e funksionimit dhe sigurisë të Portit që do të ndërtohet me koncesion ne territorin ujor të Bazës.
E gjithë qeveria në lojë
Gjatë këtyre ditëve, SPAK ka thirrur për të pyetur një sërë zyrtarësh të lartë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm për kontratën që dha me qira bazën e Sarandës. Kontrata e lidhur në korrik të vitit 2020 dha me qira afatgjatë 265 mije metër katrorë tokë, përfshirë 40 mije metër të bazës detare, tek dy kompanitë private për ndërtimin e një resorti turistik.
Të gjitha hetimet e SPAK janë përqëndruar tek kjo kontratë qiraje. Por skandali i Bazës është shumë më i gjerë dhe përfshin disa ministri njëherësh. Pasi përpara kontratës së qirasë, që ka bllokoi SPAK, qeveria e kishte dhënë me koncesion të gjithë zonën bregdetare të bazës duke bllokuar daljen e saj në det.
Ligji shqiptar nuk parashikon koncesion për pronat e ushtrisë. Kjo e bën edhe më të nxehtë çështjen e kontratës së koncesionit për ndërtimin e portit të jahteve në territorin bregdetar të bazës. Nuk dihet nëse hetimet e SPAK do të zgjerohen edhe tek kontrata e Ministrisë së Infrastrukturës. Por ajo që dihet është se në privatizimin e bazës së Sarandës janë përfshirë shumë ministri.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular