Një ekip kërkimor në Kinë ka publikuar analiza të mostrave të marra më shumë se tre vjet më parë nga tregu i lidhur me shpërthimin e COVID-19.
Tregu i ushqimeve të detit dhe kafshëve të egra “Huanan” ka qenë një pikë qendrore në kërkimin e origjinës së koronavirusit.
Por ky është studimi i parë i analizuar i provave biologjike të mbledhura nga tregu në vitin 2020, raportoi BBC.
Duke e lidhur virusin me kafshët e shitura në treg, ai mund të hapë linja të reja hetimi se si filloi shpërthimi.
Hulumtimi zbulon se tamponët që rezultuan pozitivë për virusin përmbanin gjithashtu material gjenetik nga kafshët e egra.
Disa shkencëtarë thonë se kjo është dëshmi e mëtejshme se sëmundja fillimisht u transmetua nga një kafshë e infektuar te një njeri. Por të tjerë kanë kërkuar kujdes në interpretimin e gjetjeve dhe mbetet e paqartë pse u deshën tre vjet që përmbajtja gjenetike e mostrave të bëhej publike.
Një teori tjetër është përqendruar në sugjerimin se virusi ka rrjedhur aksidentalisht nga një laborator në Wuhan.
Hulumtimi tregon se mostrat e marra nga zona ku kafshët po shiteshin kishin rezultuar pozitive për virusin. Por, studiuesit kinezë kanë thënë se zbulimet e tyre nuk ishin të mjaftueshme për të dhënë prova të sakta se si ka nisur përhapja.