Fituesi i Big Brother Vip Albania, Luiz Ejlli ka postuar një foto krah kandidatit të Partisë Socialiste për Shkodrën, Benet Becin.
“Për pak shihemi në Shkodër, e dini vet ju”- thotë Luizi në një video të postuar në Instagram pas fotos me Benet Becin.
Këngëtari e ka falënderuar publikisht Becin edhe gjatë qëndrimit brenda shtëpisë së Big Brother, pasi sipas tij ai e ka ndihmuar në një moment të vështirë të jetës së tij, duke e punësuar në kohën kur Beci drejtonte KESH.
“Kur nuk të ndihmojnë ata që mendon se i ke pasur afër, si mund të pretendosh të të ndihmojë dikush vetëm pse është shkodran. Personi në fjalë quhet Benet Beci, një familje shkodrane që unë e njoh shumë mirë, dhe e kam marrë në telefon. Ma ka hapur telefonin direkt. I thashë çfarë ke mundësi ndonjë vend pune, unë do ta bëj. Më ka ndihmuar, më ka futur në punë direkt dhe i jam mirënjohës gjithë jetën” – ka thënë Luizi.
Teksa tre ditë na ndajnë nga zgjedhjet vendore të 14 majit, Benet Beci ka surprizuar në sondazhin e fundit të realizuar nga Top Channel në bashkëpunim me “Angi Richerce”. Në ndryshim nga sondazhet e kaluara duket se fushata e socialistit Benet Beci ka funksionuar dhe ai ka fituar 3.2 përqind nga hera e fundit duke dalë në krye me 50,2 përqind ndërsa kryebashkiaku Bardh Spahia ka rënë me 3,2 përqind duke shkuar në 49,6 përqind. Shifrat janë pothuajse të barabarta gjë që tregon se gara e Shkodrës do jetë me fotofinish. Kjo bashki është drejtuar nga PD e Berishës që pas komunizmit dhe vetëm në një rast, pushteti i Berishës nuk është përfillur, në zgjedhjet e vitit 1994 kur kandidati i së djathtës shkodrane, një formacion i përkohshëm pa PD, mundi kandidatin zyrtar të PD në atë kohë./ Top Channel