Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit takimi do të mbahet në orën 07:30.
Lajçak vjen pas takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi që ndodhi më 2 maj mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar këto vizita dhe ka thënë se po bëhen për të përgatitur hapat e ardhshëm në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.
“Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së Lajçak, udhëton rregullisht në rajon dhe viziton shpesh Prishtinën dhe Beogradin, posaçërisht pas takimeve të nivelit të lartë në Bruksel, për të vazhduar përparimin në atë që është arritur apo për çfarë është pajtuar në Bruksel dhe për të përgatitur hapat e radhës”, tha Stano.
Më 2 maj në Bruksel palët ranë dakord për Deklaratën për të Zhdukurit ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit.
Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ekipi menaxhues, tashmë i shkarkuar, në përbërje të serbëve të zgjedhur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakic në kohën sa ishte zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti.
Drafti të cilin ditë më parë e publikoi Telegrafi, posedon 67 nene dhe është i ndarë në nëntë kapituj.
Kapitujt përfshijë: dispozitat e përgjithshme, çështjet e komunitetit, struktura organizative, anëtarësimi në Asociacion dhe marrëdhëniet ndërmjet komunave anëtare, asetet dhe të ardhurat, format e vendimmarrjes së drejtpërdrejtë, ndryshimet në statutin e Asociacionit, shpërbërja e Asociacionit dhe dispozitat tranzicionale dhe përfundimtare.