BallinaSocialeSpitali Fier/ Problem me sistemet, pacientët në radhë të gjata për vizitë...

Spitali Fier/ Problem me sistemet, pacientët në radhë të gjata për vizitë te mjeku specialist

Sipas statistikave të publikuara në vitin 2022, Qarku i Fierit rezulton qarku i dytë pas Tiranës me popullsi më të madhe, përkatësisht 278,413 banorë.

Duke qenë se ka një dendësi të madhe  të popullsisë edhe nevojat për vizita tek mjeku specialist janë të mëdha. Por në Fiks Fare mbërrijnë çdo ditë denoncime të shumta për radhët e gjata që duhet të presin edhe pse shkojnë me rekomandim nga mjeku i familje. Madje, përveç këtij rekomandimi, duhet të lënë ora e ditë tjetër për të kryer vizitë tek mjeku specialist.

Një pensioniste nga Fieri ankohet se nuk po mundet të vizitohet dot tek mjeku specialist edhe pse ka ndjekur gjithë procedurën e nevojshme. Shkak është radha e madhe. “Mora rekomandimin nga mjeku i familjes në një copë letër dhe u paraqita tek poliklinika për vizitën tek specialisti, por pash që kishte mbi 150 veta në radhë me të njëjtin orar dhe ditë si unë“, thotë e moshuara. Ajo tregon se ka shkuar 3-4 ditë resht dhe radha ka qenë po e njëjta madje në rritje. Ajo ngre dhe shqetësimin se përveç orarit dhe fashës orare që i jep mjeku i familjes, ajo në poliklinikë duhet të marrë një tjetër orar dhe ditë për vizitë.

Fiksi u paraqit vetë në Poliklinikën e Specialiteteve Fier për  të parë nga afër situatën. Ditën e parë gazetarët hasën një radhë të gjatë në poliklinikë ku numri rendor që trërhoqën mbante shifrën 156. Me këtë numër paraqiteshe në recepsion për të prenotuar aty vizitën me fashën orare dhe ditën për tek specialisti, edhe pse ishin të pajisur më një të tillë bashkë me kodin e prenotimit nga mjeku i familjes.

Ditën e dytë gazetarët e Fiksit u paraqitën sërish në poliklinikë dhe këtë ditë ata ishin të 174-tit në radhë.  Gazetarja pyet rojën nëse janë rregulluar sistemet dhe vetë roja thotë se as kanë për t’u rregulluar. Nëse nuk e bëjnë që nga mjeku i familjes të shkojnë direkt tek mjeku specialist.

Fiksi paraqitet edhe ditën e tretë rresht ku është e njëjta situatë. Pyesin një nga punonjëset në recepsion dhe ajo pohon se në këtë mënyrë kanë kaluar edhe 2000 pacientë në ditë. “Sistemi nuk ka punuar, sot u rregullua. Mjeku i familjes nuk ka akses fare të japi rekomandim, thjesht jep kodin  dhe prandaj duhet të kaloj tek ne  që t’i lëmë orarin për tek specialisti. Kjo pasi tek specialisti nuk hapet fare kodi i mjekut të familjes përveçse këtu tek ne” shprehet punonjësja.

Pra sistemet ndërmjet tyre nuk janë të aksesuara dhe kjo bën që të krijohen radhë të gjata dhe sorrollatje për pacientët.

Fiksi pyeti për këtë problem pranë Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor Fier. Arbër Arapi drejtori i institucionit tha se problemi ekziston dhe janë në dijeni  por që po punojnë për ta zgjidhur si situatë dhe për t’i dhënë shërbim pacientëve sa më shpejt.  Kurse nëndrejtori i Spitalit Rajonal Fier doktor Ramadan Çepelja thotë se sistemet e mjekut të familjes dhe mjekut specialist nuk janë koordinuar , ndaj duhet patjetër që pacientët të kalojnë nga recepsioni për  të lënë vizitën me specialistin. Kjo ndodh pasi sistemi i brendshëm i poliklinikës nuk është vendosur në funksion. Zgjidhje problemi do të marr vetëm me vendosjen e sistemit online ku palët e përfshira të kenë akses të plotë. “Vetëm kështu zgjidhet përfundimisht ky problem“, përfundon nëndrejtori i Spitalit Rajonal Fier.

E deri sa kjo të bëhet realitet, pacientët do duhet të presin në radhë me ditë e orë të tëra.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular