BallinaOP EDProtestat, humbja e opozitës dhe kundërrevolucioni parandalues

Protestat, humbja e opozitës dhe kundërrevolucioni parandalues

PËLLUMB NAKO

Zgjedhjet e tanishme për pushtetin lokal u humbën përsëri nga opozita. Shkaqet janë të shumta, shumë më të thella se pretendimet e saj për vjedhje e manipulim, tashmë të përsëritura dhe pa bereqet. Edhe versionet e analistëve, po ashtu, nuk po munden të japin ndonjë profil konkret për të kuptuar sjelljen e shoqërisë shqiptare në një proces zgjedhor. Rregullat duket sikur janë përmbysur, pushteti në vend të konsumohet me kalimin e viteve, rritet. Në këtë atmosferë është e natyrshme që zërat për dorëheqje të lidershipit politik opozitar, sa vijnë e shtohen. Mungesa e një gjenerate të re politikanësh e me mendësi tjetër, po njihet si përgjegjësi e klasës së vjetër politike që nuk shkulet nga karriget. Kjo mungesë e të rinjve në politikë, të aftë për të ndërruar profilin e atyre aktualë, faktikisht duket si utopi, të paktën në këto kohë. Kjo sepse në rrugëtimin e tij për t’u kthyer nga një politikan i ri dhe pak i njohur, në një politikan të përgjegjshëm dhe i gatshëm për të marrë fatet e vendit në dorë, për të riun në politikë, nuk ka rrugë të re. Ajo mbetet e njëjtë dhe është në duart e dukshme dhe të padukshme të të njëjtëve aktorë që kanë financat e duhura, mjetet e duhura propagandistike dhe po ashtu profesionistët e njëjtë, ndikues të opinionit publik.

Por, duke i rikthyer edhe një herë te zgjedhjet e humbura, opozitës i duhet të shohë drejt e në sy një realitet të ri social që ka filluar të përvijohet prej vitesh në vendin tonë. Për të njohur këtë realitet kërkohet skaner dhe jo qëndrime që refuzojnë të konstatojnë se çfarë ka ndodhur. “Opozita nuk ndezi”, por jo vetëm kaq. Ajo nuk krijoi dot as përmbysjen. Fjalët banale të Kryeministrit se “shqiptarëve nuk u ngrihet”, u vërtetuan. Nervi i protestës duket i përgjumur. Dhe ky është problemi më madhor që shfaqet si pikëpyetje në realitetin social të vendit tonë aktualisht. Regjimet hibride të bazuar mbi propagandë cilësore jo vetëm nuk krijojnë mundësitë për zgjedhje të ndershme dhe të besueshme, por janë në gjendje që njëkohësisht të ngordhin nervin e protestat së një popullate gjithmonë e më të polarizuar në ekonomi, në të drejtat sociale, edhe në të drejtën për drejtësi.

Nëse opozita ka probleme si brenda vetes dhe në besueshmërinë e saj, përse shoqëria shqiptare nuk është në gjendje të protestojë masivisht kundër padrejtësive dhe skandaleve qeveritare për të krijuar alternativa të tjera politike? Vetëm manifestime të tilla proteste mund të mundësojnë lindjen e një lidershipi të ri politik në kushtet kur vendi ynë është i dominuar nga polarizimi social.

Arsyet janë komplekse dhe të lidhura ndërmjet tyre ku tallavaja gjatë fushatës nuk luan rrol thuajse fare. Ajo ishte një shfaqje relaksuese e dikujt që e dinte se do të fitonte. Por, në kontekste të kësaj natyre, ato që nuk duhen nënvleftësuar janë disa mekanizma të përdorura nga fondacionet me donatorë të huaj dhe që përbëjnë bazën e lindjes së një fenomeni social, i cili ka kohë që po ndërtohet në mënyrë graduale në vendin tonë. Efektet e këtij fenomeni i përgjigjen ekzaktësisht thënies së mësipërme banale të Kryeministrit. Ky fenomen mund të quhet “kontestimi parandalues” si varianti soft i “kundër revolucionit parandalues” lindur në fillim të shekullit të kaluar në Evropë. Fenomeni aktualisht ka marrë forma të reja, më pak të vrazhda dhe është mjaft i pranishëm, sidomos në vendet në tranzicion me demokraci hibride.

Më konkretisht, “kontestimi parandalues” është i lidhur ngushtë me ndryshimet që pëson shoqëria si rezultat i rolit të OJFve në formë shoqatash në përgjithësi dhe në atë të fondacioneve në veçanti. Të gjitha këto të mbledhura nën termin “shoqëria civile” apo “shoqëria e hapur”. Në thelb, gjithë veprimtaria e këtyre institucioneve joqeveritare ka krijuar në mënyrë konkrete një shtresë sociale në formë rrjetesh, të cilat, siç dihet nga të gjithë, veprojnë në shumë ose në fushat kyçe të jetës të shoqërisë sonë shqiptare duke zotëruar në shërbim të tyre persona të përgatitur mirë në të gjitha drejtimet. Nëpërmjet aksionit të tyre, i cili merr një pasqyrim të gjerë të medies vizive, duke u mbivendosur si përfaqësuese të interesave publike, ato krijojnë mundësinë për të qenë në gjendje të paraprijnë kontestimet e popullatës në vijim. Ato i orientojnë këto të fundit në drejtimet që i mendojnë më të domosdoshme dhe më oportune. Një strategji e tillë bën që publiku i gjerë, gri apo jashtë ndikimeve partiake, të jetë i zhveshur nga një lidership përfaqësues tij, me ngjyra lokale. Në kontekstin konkret, kjo do të thotë që përveç mëkateve të saj, edhe për këtë motiv, opozita të mbetet brenda radhëve të militantëve. Kurse pozita, nga ana e saj, jo më kot i trupëzoi dhjetëra e qindra aktivistë të shoqërisë civile brenda radhëve të saj.

Në tërësi mund të pranohet se jemi përballë një rrjeti të gjerë e të dendur me OJF-sh dhe fondacionesh të financuara në mënyrë dërrmuese nga të huajt dhe që kthehen jo vetëm në mbrojtëset e interesave të shoqërisë shqiptare, por vendosen edhe në krye të thuajse çdo lloj kontestimi të tyre për probleme nga më themeloret. Duke u vetëvendosur në krye të kontestimeve të organizuara po prej tij, mbarë rrjeti i OJF-ve dhe i fondacioneve merr automatikisht lidershipin dhe përfaqësimin e pakënaqësisë së popullatës për një gamë të gjerë problemesh që e shqetësojnë. Aksioni i tyre kontestues, protestat e tyre nuk lejojnë as akumulimin e pakënaqësisë deri në një shpërthim të pakontrolluar sepse manifestimet e organizuara prej tyre, e shfryjnë mllefin e popullatës. Madje, kjo e fundit e sheh veten të përfaqësuar në pakënaqësitë e saj, njëlloj si te parlamenti, delegim i pushtetit sovran. Pra këtu qëndron edhe roli i fondacioneve të shoqërisë civile ku efektet sociale janë të njëjta me ato të vaksinës të individi apo “të shpërthimit të kontrolluar”. Mjafton të përmendim këtu jo pak përfaqësues të shquar të shoqërisë civile të cilët kanë mbështetje të gjerë propagandistike dhe bëhen të dukshëm në mjaft medie elektronike, në mbrojtje të njerëzve të thjeshtë dhe në anatemime të qeverisjes. Le të marrim disa shembuj më konkretë. Në vendin tonë, kur reforma në drejtësi ishte ende në fazën e parë, atë të diskutimeve dhe ku kishte zëra pro dhe zëra kundër, në mbarë median u shfaq drejtuesi i fondacionit “Shoqëria e Hapur”. Ai deklaroi se “populli e kërkon dhe ne do ta bëjmë reformën në drejtësi”. Me këtë deklarim ai tregoi se njihte pakënaqësinë e popullsisë shqiptare në raport me drejtësinë e vendit. Me daljen publike mundësoi fillimisht vendosjen e fondacionit që drejton në krye të pakënaqësisë popullore ndaj drejtësisë së dikurshme. Në të njëjtën kohë, nëse gjërat do të përkeqësoheshin deri në kontestime demonstrative, nëpërmjet njoftimit për reformë, ai i çmontoi ato. Por rasti më tipik mbetet manifestimi i shoqërisë së hapur ku të pranishëm ishin një numër OJF-sh. Gjatë këtij tubimi u ushtrua trysni mbi parlamentin shqiptar për të miratuar reformën në drejtësi. Ai ka të njëjtën logjikë me një kontestim parandalues kur përveç asaj që u tha më lart, shoqëria civile në këtë rast edhe e orienton pakënaqësinë popullore. Raste të kësaj natyre të manifestimeve të OJF-ve janë të panumërta. Në vendin tonë aktualisht është epoka e OJF-ve të cilat kanë marrë në mënyrë vullnetare delegimin e pakënaqësisë popullore për çdo aspekt të shqetësimeve të tij, duke parandaluar kontestimet masive, të dhunshme ose jo, për të mos prishur statusquo-në.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular