BallinaOP EDPensionet e emigrantëve, pasojat e mungesës së marrëveshjes me Greqinë

Pensionet e emigrantëve, pasojat e mungesës së marrëveshjes me Greqinë

Ardi STEFA

Çfarë po bëhet me pensionet e emigrantëve shqiptarë në Greqi?

Çfarë bën shteti ynë për të mbrojtur të drejtat e shtetasve të tij e, më konkretisht, njohjen reciproke të kontributeve të tyre të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

Pra, a e ka në vëmendje shteti ynë, që shtetasve shqiptarë që kontribuojnë në Greqi të mos u digjet asnjë sigurim?

Njohja e pensioneve me Greqinë është një çështje e lënë në kalendat greke, d.mth. në një të ardhme e cila është shumë e largët, apo po kryhen bisedime?

Nëse po kryhen bisedime apo është përmbyllur faza e parë e tyre, duke treguar vullnet për të përmbyllur marrëveshjen së shpejti, siç pretendohet: cilat janë rezultatet?

Dhe, në analizë të fundit, përse nuk ka një informim të gjerë të publikut për këto marrëveshje.

E, pra, problemi është shumë kompleks. Pavarësisht përparimeve në marrëveshjen për njohjen e pensioneve me Greqinë dhe dakordësinë në parim, ende ka shumë pika, të cilat duhen diskutuar dhe duhen zgjidhur, në mënyrë që të mos humbasin vitet e punës dhe kontributet e shtetasve shqiptarë në Greqi.

Në muajin prill të këtij viti, drejtuesit e Sigurimeve Shoqërore të dy shteteve kanë mbyllur diskutimet teknike në Tiranë, për t’i hapur rrrugë njohjes së viteve të punës së emigrantëvë shqiptarë në Greqi, si një prej komuniteteve më të mëdha të diasporës shqiptare.

Në shtator të vitit 2022, bisedime janë bërë edhe në Athinë, dhe nëse marrëveshja do të arrihet shpejt, Greqia bëhet shteti i 15-të për mbulimin e sigurimeve shoqërore.

Projektligji për pensionet i paraqitur marsin e kaluar në Parlamentin grek parashikon uljen me 30 vite qëndrimi për të përfituar pension kombëtar nga 40 vite që ishte.

Emigrantët shqiptarë kanë qenë kontribues të rregullt në skemat e sigurimeve shoqërore greke për shkak se pagesat e sigurimeve lidheshin detyrimisht me marrjen e lejeqëndrimeve, qëndrimin e tyre të ligjshëm, pun ësimin dhe përfitimin e të drejtave që rridhnin nga kjo.

Sipas shifrave vlerësohet se janë mbi 700 mijë shqiptarë, të cilët kanë punuar pas viteve 90 në Greqi. Nëse marrëveshja realizohet, shqiptarëve do t’u njihen vitet e kontributeve të sigurimeve shoqërore, duke përfituar kështu pensionin me formulën e përbashkët.

Deri tani qeveria shqiptare ka negociuar me 14 shtete në fushën e sigurimeve shoqërore, duke lidhur marrëveshje përfundimtare me 13 prej tyre.

Çfarë ndryshon në dhënien e pensionit kombëtar për emigrantët shqiptarë?

Deri më tani, pensioni kombëtar për emigrantët nga Shqipëria dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik kushtëzohej me qëndrimin e tyre në Greqi prej 40 vitesh. “Megjithatë, kriteri i vendbanimit rezulton objektivisht i pamundur për të plotësuar dhënien e masës së plotë të pensionit kombëtar grek për emigrantët që kanë marrë shtetësi greke, pasi kufijtë e vendeve të tyre të rezidencës u hapën në vitin 1990, në rastin më të mirë.

Me dispozitën e propozuar, e cila është e vlefshme nga data 1 janar e këtij viti dhe për një periudhë kalimtare 10-vjeçare, e cila skadon në vitin 2032, kërkesa është 30 në vend të 40 viteve të qëndrimit, në mënyrë që emigrantët të marrin një pension të plotë kombëtar. Më pas, ky kufi rregullohet gradualisht çdo vit.

Sipas autoriteteve greke pensioni llogaritej në raport me sa vite qëndrimi kishin mbetur prej 40 viteve që ishte kriteri kryesor. Ky hark kohor tashmë është ulur edhe për faktin se ardhja e emigrantëve në Greqi pas vitit 1992 dhe marrja e kartës së emigrantit të ligjshëm në vitin 1998, nuk mund të kushtëzohej me 40 vitet të qëndrimit në Greqi para vitit 2038.

Përfaqësuesit e shoqatave të emigrantëve kanë kërkuar një pension të plotë kombëtar ku kriteri i viteve të ulej në 20 vite të qëndrimit të ligjshëm në Greqi, dhe jo 30 sa ç’është përcaktuar në projektligj.  Partia e Majtë Radikale – SYRIZA ka kërkuar pagesën e pensionit kombëtar për emigrantët nga Shqipëria dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik që kanë 15 vite qëndrim të përhershëm.

Aktualisht qeveria greke parashikon se do të kërkohen 30 vjet qëndrim që emigrantët nga Shqipëria dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik në mënyrë që këta të fundit të marrin pension të plotë.

Një tjetër parametër, i cili duhet pasur parasysh nga shteti shqiptar.

Aktualisht është edhe një tjetër kategori e shtetasve shqiptarë, të cilët duket se janë lënë jashtë marrëveshjes, ose nuk përmenden.

Janë ata ish- emigrantë, të cilët kanë punuar dikur në Greqi dhe për një arsye ose një tjetër kanë vendosur të kthehen në vendin e tyre, në Shqipëri.

Kjo kategori përfshihet në bisedimet për pensionet, qoftë edhe të pjesshme nga Greqia? Apo do t’u mohohen këto vite pune, mijëra euro kontribute në sistemin e sigurimeve të shtetit grek.

Në dijeninë time duhet që këta ish- emigrantë të kenë 15 vite pune në Shqipëri për pensionin minimal dhe 15 vite të plota pune, ose 4.500 ensima (ditë pune të siguruara).

Për ata që kanë më pak se 15 vite pune të siguruara, çfarë ndodh? Humbasin të gjitha ato kontribute?

Është e vërtetë që edhe kjo kategori do të mund të përfitonte vitet e punës në Greqi për pension në rast se do të kishin shkuar për të jetuar e punuar në mënyrë të ligjshme në vende të BE apo edhe nëse Shqipëria do të ishte anëtare e BE, por Shqipëria është ende shumë larg, ndërkohë që ata që presin pensionin për të jetuar me dinjitet janë shumë dhe nuk i pret koha, nuk e kanë jetën përpara.

A nuk është mëkat që kjo kategori të mos përfshihet në bisedime? D.m.th. të përfitojnë një pension, ose një vlerë mujore sa u takon për kontributet e derdhura kur të arrijnë moshën e pensionit?

Dhe, në fund të fundit, të dy shtetet kanë detyrimin moral, njerëzor e ekonomik ndaj kësaj kategorie.

 

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular