Gjithashtu pakënaqësia për rritjen e çmimeve ishte më e larta në mesin e familjeve shqiptare tregojnë rezultatet e barometrit të Ballkanit që zhvillohet vit për vit në 6 vende të Rajonit nga Këshilli i bashkëpunimit Rajonal (RCC).
Rezultatet e anketës treguan se 41 për qind e familjeve në Shqipëri kishin vështirësi dhe pamundësi të blinin ilaçet që nuk ishin të përfshira në listën e rimbursimit në vitin 2022. Në vendet e tjera të Rajonit ky shqetësim ishte më pak i pranishëm përveç Kosovës ku 35% e familjeve u ndeshën në vështirësi në blerjen e medikamenteve që nuk ishin në listat e rimbursimit.
Në të kundërt në Maqedoninë e Veriut vetëm 23 për qind e familjeve kishin vështirësi të përballonin pagesat e ilaçeve jashtë listave të rimbursimit, në Serbi vetëm 16 % , në Malin e Zi 15% dhe në Bosnjë 14%.
Zhvillimet e brendshme tregojnë se të ardhurat buxhetore po rriten me ritme të larta sidomos dy vitet e fundit si pasojë rritjes së çmimeve dhe rigjallërimit të sektorit të turizmit. Mirëpo nga rishpërndarja e fondeve shtesë sektori i arsimit dhe shëndetësisë po përftojnë shumë më pak.
Të dhëna më të detajuara tregojnë se fondi për rimbursimin e medikamenteve po mbetet ne vendnumëro me vetëm 10-11 miliardë lekë në vit, teksa barra e sëmundjeve në popullatë rritet vit pas viti.
Raporte rajonale për tregun farmaceutik tregojnë se, Shqipëria ka listën me të varfër në Rajon dhe me gjerë në Europë për rimbursimin e medikamenteve.
Një studim i fundit i IQVIA (kompani shumëkombëshe që u shërben industrive të kombinuara të teknologjisë së informacionit shëndetësor dhe kërkimit klinik) gjeti se Shqipëria ka praninë më të ulët të medikamenteve të reja në listën e rimbursimit, me një diferencë shumë të madhe me fqinjët si Maqedonia e Veriut, Serbia, të cilat kanë miratuar përkatësisht 11 dhe 17 medikamente të reja secila.
Studimi i IQVIA tregon se nga 160 medikamentet e reja që u miratuan për përdorim nga 2017-2020, 74 prej tyre, ose rreth 46%, janë në dispozicion të pacientëve në BE, ndërsa në Shqipëri, vetëm 3% e tyre në dispozicion
Në vitin 2022 fondi për rimbursimin e barnave & pajisjeve mjekësore arritën në vlerën 11,506 milionë lekë, ose në masën 97.3% e planifikimit.
Rimbursimin e barnave & pajisjeve mjekësore mbetën pa paguar rreth 727 milionë lekë. Buxheti i Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore (FSDKSH) është rritur vit pas viti, por rritja më së shumti ka shkuar për financimin e kontratave me Partneritet Publik-Privat, si kontrolli mjekësor bazë (check-up, sterilizimi i mjeteve kirurgjikale, dializa dhe së fundmi laboratori)./Monitor/