Kreu i Komisionit Zgjedhor në Partinë Demokratike, Jemin Gjana thotë se gjithçka është gati për ditën e nesërme, ku do të zhvillohet gara për kreun e PD.
Në një deklaratë për mediat, Gjana u bëri ftesë të gjithë demokratëve që të marrin pjesë në procesin legjitim për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD.
Sipas tij, ata demokratë që i janë bashkuar rithemelimit nuk mund të votojnë pasi kanë votuar njëherë në struktura të tjera.
Teksa paralajmëroi se muajt e vjeshtës do jenë më të nxehtë, Gjana u bëri thirrje demokratëve që sic tha ai ‘kanë humbur rrugën në oborr’ të reflektojnë.
“Ftesa ime ne emër të komisionit elektoral për të gjithë demokratët është që ti bashkëngjiten procesit të votimit. Ftesa është e hapur jo vetëm për ata që janë pjesë e listave të miratuara, që përbejnë një shifër të njohur prej 35460 anëtarësh, por ftesa është e hapur për demokratët që disponojnë dokument të anëtarësimit në PD, anëtarë të PD, të cilët me teserën e PD nuk kanë punuar për partitë e tjera politike. Demokratë e konsiderojnë emërtimin e tyre edhe ata që kanë marrë teserat e rithemelimit, por ata kanë votuar në një palë struktura, nuk mund të bëhen pjesë e votimit me teserën e rithemelimit për të votuar. Pjesa tjetër e demokratëve është e ftuar ti bashkëngjitet procesit të nesërm. Besoj se është një ditë e rëndësishme, një proces i rëndësishëm. Karvani i demokratëve vazhdon të udhëtojë dhe do udhëtojë, pjesën tjetër të fjalisë nuk dua ta them. Është ai karvan që është nisur në 90, janë ata që nuk i janë bashkuar asnjë logoje tjetër, asnjë emri tjetër dhe asnjë force tjetër politike. I ftoj të gjithë kolegët, sepse ka jo pak që në këto dy vite përplasje shumë kolegë kanë humbur rrugën në oborr, por PD këtu është dhe në cdo moment njeriu mund të reflektojë dhe të rikthehet në rrugën e PD. Zhvillimet janë të forta, të bujshme, muajt e sotëm janë të nxehtë, por muajt e vjeshtës do jenë akoma më të nxehtë”, tha Gjana.