Nga Agim Msta
Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish-burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991. Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm.
E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
-Portrete bashkëvuajtësish-
(1945-1991)
Minia
Minia ishte nga katundi Baldushk i Tiranës. Kishte mbaruar shkollën e mesme mjekësore dhe punonte si ndihmësmjeke në ambulancën e fshatit të saj. Shquhej për sjellje plot mirësi, me këdo që i binte rasti ta takonte. Bashkëfshatarët thoshin, se Minia, të shëron më shumë me fjalët, se me ilaçe.
Ishte e fejuar dhe kishte prerë ditën e martesës. Asaj nuk i shkonte kurrë ndërmend, se shteti merimangë, po i përgatiste kurthin, për ta asgjësuar në lulen e rinisë. Barërat e helmuara të livadheve të Baldushkut, shkaktuan atë vit ngordhjen e disa lopëve të kooperativës.
U dha alarmi, nga instancat më të ulta, deri në Komitetin Qendror të Partisë famëkeqe. U lëshua urdhri: “Të zbulohet dora armiqësore dhe të goditet pa mëshirë”!
Midis të piketuarave për kurban, u shënua edhe emri i Mines 20-vjeçare. U vendos që ajo të arrestohej ditën e martesës. Kështu goditej shpirti i dlirtë i saj dhe i gjithë pjesëmarrësve në dasëm. Taksia e zbukuruar me fjongo të kuqe, u zëvendësua me “Gaz”-in ogurzi të Sigurimit. Në vend të duvakut të nusërisë, i veshën një thes të zi plastmasi. I hoqën byzylykun e martesës dhe i vunë prangat e hekurta.
Në hetuesi, i kërkuan të pranonte, se u kishte dhënë “armiqve” helme për të helmuar lopët, paçka se në ambulancë, kishte pasur vetëm jodi dhe aspirina. E kërcënonin të pranonte atë që i kërkonin përndryshe…! Vërr topuz!
Minia i firmoste proces-verbalet pa i lexuar. Edhe sikur t’i lexonte, përsëri do t’i firmoste, se e dinte çdo ta priste po të mos pranonte. Për tetë muaj që qëndroi në qelitë e hetuesisë, u bë kockë e lëkurë. Aq shumë u tjetërsua, sa edhe njerëzit e afërm të saj, nuk e njohën ditën e parë të gjyqit. E dënuan me 20 vjet burgim. Nuk reagoi aspak, kur u bë pretenca dhe iu lexua dënimi. Ajo ishte e shokuar dhe i dukej sikur shikonte një ëndërr të llahtarshme, me sy hapur.
E dërguan në kampin – burg të Kosovës së Lushnjës. Pas disa muajsh ajo vdiq pa u vizituar nga asnjë mjek. Ne çastet e fundit, iu lut shoqeve që ta varrosnin të veshur nuse. Ato bënë të pamundurën dhe ia plotësuan amanetin. Në një ditë të bukur maji të vitit 1975, trupin e pa jetë të Mines, e nxorën nga porta e kampit-burg, për ta varrosur në varrin pa emër.
Maria Medicina
Maria Medicina, infermiere, e dënuar me vdekje. Ka vuajtur 13 vjet burgim, tregon: “Kam marrë pjesë në luftën çlirimtare si infermiere, në Brigadën e I-rë. Më arrestuan në fillim të 1952. “Faji” im qëndron se unë u dashurova dhe u martova me një italian antifashist, që e kishin mbajtur në Shqipëri si peng, mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Mbas shumë përpjekjesh, ai u lejua të riatdhesohet në Itali më 1951, kurse mua nuk më lejuan, të largohem me të.
Sigurimi shqiptar i kishte kërkuar atij si “shpërblim” për riatdhesimin, që të ingranohej në punë zbulimi dhe nga “puna” e tij do të varej dhe e ardhmja ime. Ish-burri im, jo vetëm nuk i kreu “detyrat” e caktuara, por në Itali, ai demaskoi punët e fëlliqura të Sigurimit Shqiptar. Gjithë mllefi kundër tij, u shfry mbi kokën time.
Më torturuan me të gjitha metodat që unë të pranoja se isha agjente e zbulimit italian. Me urdhër të Nevzat Haznedarit, në mes të dimrit, më hidhnin kova me ujë të ftohtë. Ndalonin torturat, kur unë humbisja ndjenjat. Më kthyen në skelet në moshën 27 vjeçare, më dënuan me vdekje. Më quajtën Matahari shqiptare. Presidiumi më fali jetën, dhe ma ktheu dënimin në 25 vjet burgim. Në burgun e vjetër të Tiranës, kishte një aneks për gratë. Kushtet ishin jashtëzakonisht të rënda. Të mbysnin minjtë dhe morrat.
Ishin rreth 80 gra të dënuara për motive politike. Nuk më harrohen disa ish-bashkë vuajtëse, që torturat e xhelatëve të Sigurimit, i kishin kthyer në fantazma të gjalla. E tillë ishte Bianka Balliçi, ish-gazetare me origjinë austriake dhe e martuar me elbasanasin Nedin Balliçin. Nga torturat, trupi i saj ishte mbuluar me vraga plagësh.
Nga shqelmat e hetuesve, i ishte dëmtuar kolona vertebrale dhe s’mund të çohej në këmbë. Ecte këmba-dore dhe kishte pësuar traumë psikike. Edhe urinën ia kishin dhënë të pinte në vend të ujit. Nuk i bënin asnjë kurim dhe ishte ngjethëse ta shikoje në atë gjendje. Mbas 10 vjet vuajtjesh, e liruan. Vdiq në spitalin psikiatrik. Një tjetër e burgosur që të tërhiqte vëmendjen për moshën e saj të thyer (mbi 80 vjeç) ishte Marta Doda, vajza e princit të Mirditës, Preng Bib Dodës.
Marta në rininë e saj, ka qenë bashkëpunëtore e ngushtë për çështjen kombëtare me Luigj Gurakuqin, Hil Mosin e të tjerë patriotë të shquar. U lira nga burgu në moshën 82-vjeçare dhe mbeti në mes të katër rrugëve. Askush s’i hapi derën, askush s’u kujdesua për të.
U gjet e vdekur, para portës së Kishës në “Rrugën e Kavajës”, në një mëngjes të ftohtë dimri. Më 1956, na hoqën nga burgu i Tiranës dhe na çuan në kampin e Valiasit. Dy stalla lopësh, i kishin kthyer në kapanone fjetjeje për ne. Ujin e merrnin nga një pus, ku kishin hedhur një mace të ngordhur. Punonim nga 10 orë në ditë, në punë të rënda bujqësore. Për të shuar etjen në stinën e verës, pinin ujë të ndotur nëpër kanalet e fermës. Komandanti i kampit Xhelua, ishte një shpirt mizor. Ai nxirrte në punë edhe të dënuarat e sëmura.
Infermierja Dezi, e dënuar për krime ordinere, mbante në ambulancën e kampit dy termometra. Njëri nuk ngrihej më tepër se 37 gradë, kurse tjetri, nuk zbriste nën 40 gradë. Po të vije të parin, të thoshte se s’ke asgjë, prandaj duhej të dilje në punë; po të vije të dytin të akuzonte se i kishe rënë zhivës me gisht dhe të çonte në birucë. Shumë grave, ju binte të fikët gjatë punës. Ato i hidhnin në një karrocë që transportonte bajgat e lopëve dhe i çonin në kamp.
Komandant Xhelua, i nxiste të burgosurat ordinere për të na ofenduar dhe për të na rrahur. Më 1961, na hoqën nga Valiasi dhe na çuan në ‘Burgun e Artizanatit’, në periferi të Tiranës. Këtu ishim më tepër se 200 të dënuara.
Punonin në rrobaqepësi dhe mbushje dyshekësh, për repartet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga të ftohtit dhe pluhurat, shumë gra u sëmurën. U sëmura nga peritoniti specifik. Mjeku na vizitonte, por nuk na mjekonte. Asnjë ilaç nuk jepej, asnjë shtrim në spital nuk bëhej. Kur ju ankova për këtë drejtorit të kampeve dhe të burgjeve pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme Qamil Manes, ai m’u përgjigj:
“Ju ulkonjat do të vdisni ngadalë, ngadalë”. Me insistimin e mjekut Qazim Cergës, mbas tre vjetëve, më shtruan në spitalin e të burgosurve dhe më mjekuan. Për hir të së vërtetës duhet thënë, se midis gardianëve shpirtkazma, kishte dhe ndonjë si Minja, që s’na binte në qafë, por përkundrazi mundohej të na ndihmonte.
Edhe tashti në kohën e demokracisë, përshëndetem me të. Kur dola nga burgu më 1965, nuk më lejuan të punoja në profesionin tim si infermiere, por më dërguan në fermë. Vuaj nga një seri sëmundjesh dhe banoj në një dhomë i thënçin, që ngjan si dy pika uji, me qelinë e burgut. Kur do të vihet dorë mbi ne të shumë vuajturit”?!
Marta Doda
Lindur në Austri 1884, mbesë e princit Preng Bib Doda. Studimet e mesme i kreu në Austri. Në vitin 1912 qëndis flamurin kombëtar. Zotëruese e pesë gjuhëve të huaja. Më 1912 krijon në Shkodër “Shoqatën e Gruas Shqiptare”
Martohet me mjekun e nderuar Ahmet Sadedinin (Turk), të cilin diktatura e burgosi 10 vjet, si dhe të vetmen vajzë Fridën, e cila po ashtu vuajti në burgjet e diktaturës. Arrestohet në vitin 1947 dhe dënohet 12 vjet burg.
Kundërshtare e vendosur e diktaturës. Lirohet në vitin 1954 në agoni të jetës së saj.
Lindur në Gjirokastër më 1922. E bija e juristit dhe politikanit të njohur, Hasan Dosti, një nga krerët kryesorë të Ballit Kombëtar dhe ministër i Drejtësisë në vitin 1943. Me arsim të mesëm. Arrestohet në vitin 1962 dhe dënohet me 5 vjet burgim për agjitacion e propagandë. Lirohet në vitin 1966.
Tefta Tasi
Lindur ne Athinë në 1927. Arrestohet në vitin 1979, duke qenë e internuar familjarisht në kampet e internimit. Dënohet 5 vjet burg për agjitacion e propagandë. Lirohet në vitin 1982. I ati i saj, Koço Tasi, vëllai Napoloni, kanë vuajtur vite të tëra në burgjet e diktaturës.
Drita Kosturi
Lindur në Lezhë më 1920. Mbaruar gjimnazin “Nëna Mbretëreshë” Tiranë. Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet me 20 vjet burgim. Kundërshton vendosjen e diktaturës komuniste. Lirohet në vitin 1959 dhe mandej internohet.
Hava Golemi
Lindur në Golem të Kurveleshit më 1912. E shoqja e Ismail Golemit, (pushkatuar në vitin 1945). Arrestohet në vitin 1946. Akuzohej për komplot për vrasjen e Shefqet Peçit. Dënohet me 20 vjet burgim politik. E torturuan çnjerëzisht por ajo qëndroi burrëreshë. Lirohet nga burgu në vitin 1957, por deri sa vdiq vuajti si pasojë e luftës së klasave.
Zybejte Alizoti
Lindur në Tiranë 1929. Arrestohet në vitin 1960 dhe dënohet 10 vjet për agjitacion dhe propagandë. Lirohet në vitin 1968.
Azize Ferhati
Lindur më 1930 në Vlorë. Arrestohet në vitin 1968 dhe dënohet 20 vjet burgim si armike e pushtetit. Lirohet në vitin 1982.
Bardha Bici
Lindur në Mirditë 1920. Arrestohet në vitin 1945 dhe dënohet me 10 vjet burgim si armike e popullit. Lirohet në vitin 1951 dhe internohet familjarisht deri në vitin 1990. (vajza e Bajraktarit Gjon Marka Goni).
Adile Buletini
Lindur në Shkodër 1907. Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet 6 vjet burgim, për agjitacion propagandë. Lirohet në vitin 1950.
Agime Pipa
Lindur në Shkodër 1922. Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet 10 vjet burgim për agjitacion e propagandë. Lirohet në vitin 1951.
Ana Daja
Lindur në Shkodër 1928. Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet 10 vjet burgim për agjitacion e propagandë. Lirohet nga burgu në vitin 1952.
Donika Doko
Lindur në Kolonjë 1930. Arrestohet në moshën 14 vjeçare. Vajza e Sanijes dhe motra e Bujar Dokos. Burgosur dhe dënuar në vitin 1945. Për arsye moshe, lirohet 2 vjet me kusht.
Dylbere Zeneli
Lindur në Vlorë 1922. Arrestohet në vitin 1955 dhe dënohet 15 vjet burgim si armike e pushtetit. Lirohet nga burgu në vitin 1962.
Tolanda Karbunara
Lindur në Napoli 1936. Arrestohet në vitin 1952 dhe dënohet 15 vjet burgim për tentativë arratisjeje. Lirohet nga burgu në vitin 1965.
Sanie Doko
Lindur në Kolonjë 1905. Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet 5 vjet burgim. Akuzohej si strehuese e të arratisurve. Lirohet mbas 2 vjetësh nga burgu.
Shega Këlcyra
Lindur në Këlcyrë (Përmet) 1929. Burgoset në vitin 1947 dhe dënohet 8 vjet burgim për agjitacion dhe propagandë. Lirohet në vitin 1952.
Rita Koçi
Lindur në Tiranë 1932. Kryen shkollën e mesme shkëlqyeshëm, por për arsye të babait të saj, kolonel Sami Kokës, i mohohet e drejta për shkollën e lartë. Arrestohet në vitin 1951 dhe dënohet me 10 burg për agjitacion e propagandë. Lirohet nga burgu në vitin 1959.
Makbule Frashëri
Lindur në Korçë 1927. Arrestohet në vitin 1951 dhe dënohet 15 vjet burgim si armike e pushtetit. Lirohet në vitin 1965. Memorie.al