“Pas torturave çnjerëzore, ende pa mbaruar hetuesia, më sollën në qeli…”/ Kujtimet e inxhinierit të naftës: Donin të na detyronin me frikën e tytës së pushkës që të gjenim vendburime të reja

0
198

Nga Petraq Xhaçka

Memorie.al / Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste.

Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar.

Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.

Meditime në birucë

Për të më bindur që të pranoja akt-akuzën, hetuesit më thoshin se; vetëm dy-tre veta kishin dijeni për arrestimin tim dhe të grupit. Kështu që unë arrita në përfundimin, se kjo në radhë të parë ishte vepër e majës së piramidës së diktaturës, e cila kish hartuar skenarin, ndërsa Ministria e Brendshme, qe ngarkuar ta realizonte këtë skenar, duke zgjedhur kandidaturat e specialistëve të bazës, të cilët do të caktoheshin në rolin e aktorëve, në këtë shfaqje të madhe dramatike. Kjo ministri në bashkëpunim edhe me drejtuesit e hetuesisë dhe prokurorisë, e pat bërë zgjedhjen. Për më tej, ajo i kish shtruar detyrën vartësve të specializuar, në mjeshtërinë e dhunës, të mundoheshin me të gjitha mjetet, të vrisnin mendjen e ta trupëzonin krimin e pakryer nga ne, ngaqë lipsej të qe sa më bindës që të përligjte arrestimin tonë.

Gjatë burgut që bëra më vonë, kam patur rast të njihem me një ish-punonjës me rëndësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por që ishte katandisur dhe ai, si i dënuar politikë, që duhet të vuante dhjetë vjet burg. Arsyeja e vërtetë e burgimit ishte, se ky gjatë hetimit të një të pandehuri, e pat nxjerrë atë armik vetëm në fushën e shkeljes së orientimeve të partisë dhe për veprime të tjera të gabuara në ushtri. Por nuk e pat qëndisur procesin, që i pandehuri të dilte dhe si agjent i të huajve. Në gjyq, ky kuadër i Ministrisë së Brendshme, qe mbrojtur dhe vazhdonte edhe gjatë burgimit, të shkruante letra shfajësimi, duke thënë se pat vepruar sipas orientimeve që merrte nga Komiteti Qendror i Partisë. Shkruante se ai pat vepruar siç e kishin porositur ata dhe si hetues, ai e kish zbatuar me përpikmëri porosinë. Ai e pat detyruar fatkeqin, të pranonte gjithçka.

– “Por askush nuk më tha, që ta nxjerr agjent, – mbrohej me të drejtën e tij ai. – Prandaj dhe unë nuk e bëra. Ashtu më thanë, ashtu dhe e nxora. Në fund, më thanë që ta mbyllja proçesin hetimor dhe të dorëzoja akt-akuzën, se e kisha në rregull”.

Nga kjo dëshmi, nga përvoja e proçesit tonë hetimor dhe nga qindra e qindra shembuj të tjerë, që na u dha rasti t’i mësojmë në burg, thelluam njohuritë tona se si njerëzit dënoheshin për gjëra që jo vetëm nuk i kishin kryer, por as kishin mendime të tilla. Njeriu mund të gjendej befas në lidhje dhe bashkëpunime me njerëz, që kurrë më parë nuk i pat njohur e, as që do të bëhej njësh me ta, edhe për të kryer vepra bamirësie. E jo më armiqësore! Ne, pra, nuk ishim të vetmit viktima të hetuesisë. Unë më pare, as nuk e kisha patur idenë e kësaj pune të ndyrë në përmasa të tilla kaq të mëdha, sa shpesh dhe imagjinata, është e vështirë t’i krijojë, që bëhej nga organet e diktaturës dhe drejtësisë së shtetit komunist shqiptar.

Që pa më arrestuar, krahas gjurmimit të fshehtë, ndaj meje pat filluar dhe persekutimi paraprak, në mënyrë që ai respekt e autoritet që gëzoja ndër punonjësit naftëtarë, falë punës sime shumë vjeçare, të dobësohej gradualisht. Për dy veta të grupit tonë, ata mundën të peshkonin aty – këtu, ndonjë thënie kundër udhëheqjes dhe partisë, gjë qe e justifikonte arrestimin e tyre, me nenin e agjitacionit e propagandës. Ndërsa për mua, me gjithë provokacionet e organizuara, ata nuk patën mundur të gjenin asgjë të tillë.

Së dyti, kishin kaluar afro dhjetë vjet nga dënimi i grupit të parë të naftëtarëve. Tani, afrimi i kongresit të Partisë së Punës, që do të mblidhej në nëntor të vitit 1986, kërkonte koka turku për mosrealizimin e planeve të fryra e artificiale që patën qenë shpallur me bujë, për qëllime propagandistike në kongresin e mëparshëm, të vitit 1981. Për justifikimin e këtyre dështimeve, natyrisht, partia nuk mund të dilte me autokritikë. Hartimi i planeve tullumbace, pa baza teknike, as që mundë të zihej në gojë. E kishin më të lehtë e më pa telashe, sajimin e një alibie, me një grup të ri sabotatorësh. Kjo, nga njëra anë, ndihmonte për të zhvendosur vëmendjen e popullit nga shkaqet e vërteta të mosrealizimeve dhe keqësimit të situatës ekonomike në vendin tonë, kurse nga ana tjetër, i mbante specialistët naftëtarë, nën një presion të madh frike. Gjithmonë mendonin se, me frikë, gjeologët do të gjenin më shumë naftë e gaz. Për udhëheqjen komuniste të shtetit, njeriu ishte një hiç.

Njeriun ata mund ta shtypnin me këmbë, siç shtypet një mizë dhe mburreshin si pallonjtë, se e vranë mizën. Ata krenoheshin për krimet që bënin bash ndaj atyre njerëzve, të cilët ia falën tërë jetën e tyre punës së përkushtuar në të mirë të popullit. Sa më shumë krerët e partisë komuniste ngrinin zërin, duke përsëritur papagallçe thënien staliniane, se; “njeriu ishte kapitali më i çmuar”, aq më shumë ata përdhunonin jetën e njeriut të pafajshëm. Mbi gjakun dhe fatkeqësinë e të tjerëve, politikanët dhe njerëzit e organeve të diktaturës, ngrinin autoritetin dhe lumturinë e tyre.

Së treti, duke u nisur nga gjykime të shtrembra, të parët e vendit, mendonin se unë kohët e fundit, dukesha i pakënaqur për shumë gjëra që ndodhnin në vend dhe kisha ulur efektivitetin e punës sime, si rezultat i kësaj pakënaqësie. Ky gjykim ishte tërësisht i padrejtë. Ai nuk kishte asnjë bazë. Por ata e kishin më lehtë të arrinin në këtë gjykim, se sa të vrisnin mendjen e të kuptonin realitetin, që dëftente se mundësitë për zbulimin e vendburimeve të rinj, po zvogëloheshin së tepërmi. Kërkimet intensive të njëzetë viteve të fundit, kishin bërë të mundur të sqaroheshin në tërësi të gjitha zonat perspektive dhe këto zona, ishin të kufizuara.

Ata as nuk bazoheshin në mendimin e shëndoshë shkencor të specialistëve, por i kundërvinin atyre bindjet e marra të Enver Hoxhës, mbi gjoja perspektivat e mëdha të vendit tonë për naftë e gaz. Të ngujuar brenda mureve të këtyre mendimeve antishkencore, gjykuan se me futjen në burg të një grupi specialistësh me përvojë në kërkimet e naftës, ata do të na detyronin me frikën e tytës së pushkës, që ne të gjenim vendburime të rinj. Ata nuk e kuptonin se ne, specialistët, e deshëm me të vërtetë si gjënë më të shtrenjtë vendin dhe popullin, ndërsa ata deshin veten e tyre, lumturinë e familjeve të tyre. Për ne ishin dy gjëra të ndara: vendi nga njëra anë dhe sistemi politik nga ana tjetër.

Populli e vendi atyre u duheshin, si duhen skllavēt dhe prona, për t’i ndërtuar vetes një jetë luksoze. Ky ishte dallimi i vërtetë midis nesh dhe udhëheqjes së lartë partiake. Ata na dënuan me termin e tyre bajat; “në emër të popullit”, por në fakt, ata dënonin njerëz të pafajshëm “në emër të interesave të tyre personale”. Ata vepronin si mostra të vërtetë. Ky gjykim i imi, për një ndër shkaqet e arrestimit tonë, i arritur në kushtet e një biruce plot lagështi, shtrirë mbi një “shtrat” të përbërë vetëm nga një batanije e qelbur, me një regjim ditor, ku tortura e përbindshme, zinte pjesën më të madhe të kohës, ishte plotësisht i saktë.

Këtë e vërtetoi jeta më vonë, pas marrjes së dënimit. Megjithëse unë nuk dija se cilët persona ishin arrestuar, por me ata emra që dija para arrestimit tim dhe ato pak që mësova gjatë hetuesisë, krijova bindjen se ne ishim një ekip kompleks specialistësh gjeologë, ekip i mjaftueshëm, për të kryer studime përgjithësuese nën një regjim dhune. Shpesh, gjatë hetuesisë, ata më thoshin, të pranoja akuzat, që të shpëtoja jetën, e pastaj vetë ata do të më krijonin kushtet, për të studiuar në burg. Dhe vetëm disa muaj më vonë, ende pa mbaruar hetuesia, më sollën një studim të Institutit, për të dhënë mendime mbi projektimin e një pusi të ri.

Dhe mendoni, në ato kushte terrori, në atë palo birucë, ku edhe derrat nuk do të pranonin të mbaheshin, unë rrija me orë të tëra në gjysëm errësirë, i shtrirë mbi harta, mbi fletët e shkruara nga grupi projektues. I studioja dhe stërstudioja me vëmendje, sikur çdo gjë të ishte normale dhe në fund bile, paraqita edhe vërejtjet e konsideratat e mia. Gjykova se ata po më provonin, nëse isha i gatshëm të punoja më vonë. Dhe unë desha të mbijetoja, për të parë njerëzit e familjes sime, për të shpallur para tyre e gjithë popullit, pafajësinë, të vërtetën time, e të kolegëve të mi.

Së katërti, nga karakteri i ashpër i hetuesisë, kuptova se sa më shumë të përpiqesha të mbroja të vërtetën, ata aq më shumë e pa kurrfarë lëkundje, do të më jepnin dënimin kapital, sepse drejtësia nuk ekzistonte, kurse organizma apo njerëz të tjerë që të na mbronin, nuk kishte. Ligjet ishin antinjerëzore. Hetuesit, me lehtësinë më të madhe, me torturat që kishin përdorur deri në atë kohë dhe me ato më të rëndat që mund të bënin në të ardhmen, mund të çonin në zhdukjen time fizike. Në këto kushte, edhe unë gjykova se duhet ta pranoja akuzën, ashtu siç kishin vendosur në birucat e tyre, pa e pleqësuar me njeri – tjetrin, edhe kolegët e mi. Cili do të ishte kuptimi moral, mendoja, që të duroja mbi trupin tim, gjithë ato tortura, të jepja lejekalimin për shkallën sipërane të persekutimit ndaj familjes time, kur ata, si gjithnjë, nuk tërhiqeshin nga rruga që kishin nisur?

Si të pranoja, si të mos pranoja, unë do të dënohesha si armik. Bile, në rastin e mospranimit, dënimi do të ishte më i rëndë: ai kapital. Ky ishte realiteti i drejtësisë shqiptare të asaj kohe. Ishte hetuesia me porositë e veçanta të partisë, ajo që përcaktonte masën e dënimit. Ishte hetuesia, ajo që “priste copën e kostumit”, ndërsa në shkallët e tjera, më vonë, do të kishim thjesht formalizëm. Po kështu, ku qëndronte morali, mendoja, që unë të rrezikoja jetën time? Përse?! Të punuarit tërë jetën me nder, nuk më kishte shërbyer si mbrojtje. Më kishin arrestuar, e po më torturonin pa u hyrë gjemb në këmbë, e prapë askush nuk më mbronte. Përse atëherë të jepja edhe jetën?

Për çfarë qëllimi?! Të tërë këtë lojë të ndyrë e këtë situatë të neveritshme e krijuan ata, fuqiplotët, që më arrestuan dhe do të më dënonin. Nuk ishte turp, të kishe frikë nga ata! Në ato çaste të jashtëzakonshme, të vështira për jetën time dhe të familjes, kaloja në retrospektivë tërë të kaluarën. Se si qysh në fëmijëri, rrezikova, jo vetëm për lirinë e pavarësinë e vendit, por edhe për drejtësi e demokraci. Dhe me këtë përkushtim, mësova e punova në rininë e hershme, me këtë devotshmëri, studiova në universitet, e punova më vonë. Rikujtoja momentin kur isha vetëm dymbëdhjetë vjeç, e kur më arrestuan shërbëtorët e pushtuesve. Çuditesha se ata kishin fakte, që unë merresha me veprime kundër tyre, e përsëri gjykuan që, për moshë të vogël, të më lironin.

Po këta përbindësha të hetuesisë, që ishin bërë tani zotër të kësaj Shqipërie pa të huaj, si nuk kishin ndjenjat më të pakta njerëzore, por persekutonin specialistë që vendi i kishte nderuar?! Kur unë, në vitin 1944, ndodhesha në birucat e policisë, as që pata frikë nga vdekja dhe as qava kurrë, sepse isha krenar që edhe unë, isha diçka për vendin e popullin tim, nuk isha aspak një hiç, apo me keq, një plehrë. Po tani ku ta mbështesja krenarinë?! Në atë ngrehinë që terrorizonte popullin, që terrorizonte specialistë, shkencëtarë, punëtorë e bij të ndershëm të vendit?! Jo!!

Për mua nuk kishte më ideale. Vendi im i ishte kthyer një sistemi skllavopronar, që vetëm urrejtje mund të ndillte. Tani isha i detyruar të mendoja, vetëm për vete, për njerëzit e familjes sime, në mënyrë që ata të mos humbisnin njeriun e tyre të dashur. Pra, në këtë mënyrë, gjykova se më e arsyeshme ishte të pranoja, se kisha bërë ato që nuk i kisha bërë aspak, të pranoja të bëhesha aktor i asaj shfaqje tragjike, të ndërtuar sipas një skenari nga udhëheqja e lartë e vendit tim të mjerë. Një skenar që kurdisej e që shfaqej dhe shfaqej, njësoj, sa herë u duhej atyre…!

Re të zeza të stuhisë që afrohej…!

Në vitet 1971-’75, prodhimi i naftës në Shqipëri u rrit disa herë në krahasim me atë të para viteve ’60-të, dhe i kaloi të 2.3 milionë ton naftë, në vit. Zbulimi i vend-burimit të gazit natyral në Divjakë, bëri të mundur të rritej shumë prodhimi i gazit natyral, e të vihej në shfrytëzim për industrinë kimike.

Ky sukses i naftëtarëve, që në radhë të parë lidhej me zbulimet e vend-burimeve të rinj dhe me zgjerimin e konturimeve të vend-burimeve të vjetër, për periudhën 1961-1968, bëri të mundur që vendi ynë, i izoluar politikisht, ekonomikisht e ushtarakisht nga bota, t’i përgjigjej nevojave në këtë vetizolim, në këtë vet-asfiksi, që po shkaktonte politika e Enver Hoxhës.

Natyrisht, udhëheqja partiake nuk e ndjente aq mbi lëkurën e saj izolimin, sepse atyre nuk u mungonte asgjë. Dhe ata jetonin të izoluar, por midis gjithë të mirave. Ishte populli ai që i ndjente mbi kurriz vuajtjet nga mungesa e lirisë, nga mungesa e ushqimeve për të jetuar normalisht. Ishte populli ai, që rrinte ditë e natë në radhë për të marrë pak qumësht, vetëm për fëmijët, pak sheqer e pak yndyrna. Pikërisht për të zbutur sadopak pakënaqësitë në popull, me rastin e festave të nëntorit 1974, udhëheqja e partisë, duke e ndjerë rolin e rëndësishëm pozitiv të sektorit të naftës, vendosi të dekoronte drejtuesit dhe specialistët e naftës, duke përfshirë dhe dhënien për disa individë, të titullit “Hero i Punës Socialiste”

Njerëzit e dekoruar e familjet e tyre, u gëzuan për këtë stimul të lartë moral. Them vetëm moral, sepse titulli nuk shoqërohej me asnjë shpërblim në të holla. Natyrisht, tok me të dekoruarit, u gëzuan edhe naftëtarët e tjerë, sepse dekorimin e atyre punonjësve, e shikonin edhe si një vlerësim të sakrificave të gjithë naftëtarëve. Por fatkeqësisht, gëzimi i këtyre njerëzve, i naftëtarëve dhe familjeve të tyre, u shua shumë shpejt. Vendin e buzëqeshjeve dhe të dollive e zunë rënkimet, të qarat, ndërsa vendin e dekoratave e zunë prangat.

Ka qenë muaji shkurt i vitit 1975, kur më njoftuan se të nesërmen në mëngjes, duhet të paraqitesha në kryeministri, në një mbledhje që qeveria, do të bënte për naftën. Nuk isha i qartë përse më ftonin. Unë nuk isha në drejtim të ndonjë institucioni dhe as nuk merresha me kërkimet, për të cilat nga njëherë qeveria, thërriste si të ftuar edhe nga ne të Institutit Gjeologjik, në ndihmë për të sqaruar probleme të ndryshme. Mendova se do të ishte një mbledhje, që nuk do të ndjeja ndonjë tension të veçantë, meqë nuk kisha as për të raportuar, e as për të dhënë llogari. Si rrallë herë, në atë vigjilje të paraqitjes në kryeministri, ndjehesha shumë i qetë. Zakonisht, kur mbledhjet për naftën thirreshin në qendër, apo kur organizoheshin konferenca e aktive vjetore, ato përbënin ngjarje tepër të rënduara, me tensione të larta nervore, shoqëruar për një periudhë të gjatë, me pagjumësi. Ato, shpesh, merrnin formën e gjyqeve të hapur.

Udhëtoja rrugës për Tiranë, duke shijuar bukuritë natyrore të vendit tonë. Ishte për të qeshur, se tek vetura ecte me shpejtësi, u kujtova që soditja majtas e djathtas, kishte qenë për mua një kënaqësi e rrallë, bile e harruar. Udhëtimet për kryeqytet, kish vite që i bëja me trurin e mbingarkuar nga hallet e punës. Shpesh mendja bluante vetëm llogarinë që do të më duhej të jepja, kur kilometër pas kilometri i afrohesha Tiranës. Ne kishim, në të shumtat e rasteve, për të mos thënë në të gjitha rastet, një ndjenjë ankthi më mbante të pushtuar për shkak të kërcënimeve e paralajmërimeve që bënte Enver Hoxha apo njerëzit e tij, të pakënaqur nga ecuria e punëve tona në naftë. Ndjenja të tilla nuk të lejonin kurrë të merreshe me vogëlima të tilla, si soditja e pamjeve buzë rrugës, aq e nevojshme dhe e natyrshme për vdekësorë të tjerë të atyre viteve.

Kurrë nuk më vinte mendja se atë ditë, do të isha i pranishëm në një gjyq të tmerrshëm, që do t’u bëhej jo kriminelëve të vërtetë, por drejtuesve dhe specialistëve, që ishin rropatur tërë jetën në puse e sonda, dhe gëzonin prej dhjetëra vitesh, respektin e plotë të mijëra e mijëra naftëtarëve. Po kështu, kurrë nuk e mendoja se; “prapa asaj liste”, ishte rreshtuar dhe emri im. E asaj “muzike”, unë do t’ia dëgjoja avazin më vonë. Me të hyrë në sallën e mbledhjes së qeverisë, ku gjendeshin me shumicë të ftuarit edhe nga ministria, Drejtoria e Përgjithshme dhe Instituti i Naftës, ndjeva se ajri qe ngarkuar me një tension e një heshtje varri, që të ngrinte mornicat.

Hyrjen e kryeministrit Mehmet Shehu në sallën e mbledhjes, ne të pranishmit, e pritëm duke u ngritur të tërë në këmbë. – “Para se të fillojmë mbledhjen e qeverisë, për industrinë e naftës, -filloi rëndë ai, – dua t’ju vë në dije, se kemi ftuar dhe drejtues e specialistë të sektorit”. Asnjë nuk pipëtinte. Dëgjohej se si fëshfërinin shkresat, që trazonte me duar Mehmet Shehu. Ai vazhdoi: – “Unë do t’ju lexoj fjalën e mbajtur nga udhëheqësi ynë, shoku Enver Hoxha, në mbledhjen e Byrosë Politike, mbi problemet që kemi në naftë”.

E nisi të lexojë. U shtanga i tëri. Një shprehje tensioni e frikë na pat pushtuar të gjithëve, e veçanërisht specialistët e drejtuesit, të cilët përmendeshin me emra, për veprimtari të dëmshme dhe sabotuese. Ishte hera e parë në jetën time, që asistoja në një mbledhje, ku shikoja që për njerëz të pranishëm, të flitej si për armiq të urryer: Kisha lexuar emra dhe akuza nëpër gazeta e buletine, por kurrë nuk besoja, të ndodhesha në një mjedis si ky, ku po dënoheshin njerëz, me të cilët puna më pat lidhur për vite të tëra.

Nuk kishte gjë më të shëmtuar, se sa të shikoje të damkoseshin si armiq, njerëz që tëre jetën, ia kishin kushtuar luftës së popullit, për çlirim nga pushtuesit e huaj dhe më vonë punës, në të mirë të vendit të tyre. Ata kurrë nuk ishin vënë në opozicion me politikën shtetërore, pavarësisht mendimeve, mbi rrugët e gabuara të saj, mendime këto të kyçura thellë, që mund të kishte ndonjëri apo edhe të gjithë në mendjet e tyre.

Këtu, para syve të mi, për herë të parë, po konsumohej një nga tragjeditë më tipike të sistemit stalinian. Në fjalimin e diktatorit, midis të tjerëve, dënohej për veprime armiqësore sabotuese, drejtori i përgjithshëm i naftës në ato vite, Lipe Nashi. Ai shigjetohej ashpër, për rezultatet e dobëta kryesisht në kërkimet e naftës e gazit, për pesë vitet e fundit, por midis të tjerash, edhe për motivin e futjes së praktikave të vetë administrimit jugosllav. U dënuan pse me një pjesë të fondeve të marra, mbi nivelin e fitimeve të planifikuara nga eksporti i naftës, ai pat porositur e blerë, disa aparatura mjekësore për spitalin e Fierit.

Aparaturat qenë blerë, në nevojë të shërbimit spitalor të punonjësve naftëtarë, të cilët bënin sakrifica të panumërta. Spitali i qytetit, kishte ato kohëra aparatura radiologjike e monitoruese, llahtarisht të vjetëruara. Lipe Nashi, e pat bërë këtë veprim, jo pa rënë dakord me kryetarin e Komisionit të Planit të Shtetit dhe me ministrin e Minierave, bile në përputhje me vendime, që pat nxjerrë qeveria. Por këto nuk përbënin dot mbrojtje për të. Nuk përbënte mbrojtje për të, as porosia e famshme e Partisë, për kujdesin ndaj punëtorëve. Incidenti me aparaturat spitalore, pati më pas bishtra të gjatë. Shpenzimet për to, iu përmendën dhe iu ngarkuan në gjyq, edhe anëtarëve të Byrosë Politike, Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi, para se këta t’i pushkatonin!

Më e dhimbshmja ishte të kujtoje se këtij drejtori, Lipe Nashit, vetëm dy muaj e ca më parë, i pat qenë akorduar titulli i lartë i “Heroit të Punës Socialiste”! Tani ishte po ky njeri, që po për të njëjtën periudhë pune, po cilësohej “armik i popullit”, sabotator e me plot epitete të tjera të urryera. Në fjalën e tij, Enver Hoxha kish theksuar fort, se ai pat arritur në përfundimin që; në industrinë e naftës, bëhej punë armiqësore, jo vetëm nga dyshimet e veta. Ai paskej marrë shkas nga letra e një punëtori të Ndërmarrjes së Nxjerrjes së Naftës në Sarandë! Memorie.al