“Erdhën natën në shtëpinë time, zunë gruan dhe vajzën dhe i…”- Letra e Prof. Xhuvanit për ministrin Xhafer Deva në 1944: Ja çfarë kërkuan disa djelmosha të armatosur

0
187

Nga Veli Haklaj

-“Qytetarja Emine Kolimja (Gishti), banore e lagjes ‘Hazinedare’, Elbasan, i ankohej Prefekturës, se çdo natë u shkonin ndër shpija, fuqia civile, me ç’nderue dhe për me vjedhë”-

Objekt i këtij punimi, që do të publikohet për lexuesin, është pasqyrimi i disa aspekteve të realitetit të përjetuar në Qarkun e Elbasanit, gjatë periudhës së pushtimit gjerman. Në fokus të punimit, do të jenë raportet e qytetarëve me organet e pushtetit civil dhe ushtarak në këtë qark, si dhe problematikat e shfaqura në relacionet ndërmjet fuqive të ‘Ballit Kombëtar’, që vepronin në Qarkun e Elbasanit dhe strukturave të pushtetit qendror dhe lokal. Do të pasqyrohet informacion me interes dhe për ballafaqime ushtarake mes fuqive të armatosura që vepronin në këtë qark. Në këtë punim, në varësi të çështjeve që trajtohen, ka të dhëna me interes dhe për qarqet e tjera kufitare me Qarkun e Elbasanit.

Për përgatitjen e punimit jemi bazuar kryesisht në dokumente që administrohen në fondin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar, me të dhëna të shumta autentike për struktura, organizata dhe persona, për implikimet e tyre negative apo pozitive. Hartat ilustruese janë marrë nga libri Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. 

Fuqitë e Ballit Kombëtar, marrin përsipër atributet e autoritetit qeveritar

Më 25 janar 1944, Qark-Komanda e Elbasanit i raportoi Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë mbi ndërhyrjet e komandantit të fuqive të ‘Ballit Kombëtar’ në Librazhd, Isak Alla, në kontrollet e makinave që kalonin për në Korçë, duke zbuar patrullën e xhandarmërisë. Qark-Komanda e Elbasanit, theksonte se; “Isak Alla njihej mirë si person plaçkitës dhe, si i tillë, fuqija e tij e ai vetë në atë qytet, kishin bamun shumë plaçkitje manifature e sende të ndryshme, përpos 2 mijë frangave Shoqnisë ‘Saide’ dhe aq të tjera një farë Mir Gjikës, tregtar”.

Nga këto veprime, tregtarët të dëshpëruar ishin shtrënguar të mbyllnin dyqanet. Ndërkohë, edhe Rrethi i Shijakut, raportonte se fuqia e ‘Ballit Kombatar’ e atjeshme, ishte duke bërë; “kontrolle shtëpijash tue tërhjekë dhe konfiskue çdo material, pa dijeninë dhe bashkëpunimin me xhandarmërinë e vendit”. Nisur nga këto ngjarje që raportoheshin, Qark-Komanda e Elbasanit, kërkonte nga autoritetet qendrore, që t’u njoftohej se cili do të ishte qëndrimi i xhndarmërisë në raste të tilla. Për ngjarjet e mësipërme, më 3 shkurt 1944, Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, kolonel Hysni Dema, njoftoi Zyrën Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Situatë më e rënduar në këtë drejtim, paraqitej në Rrethin e Peqinit.

Më 12 shkurt 1944, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë, informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme, se një fuqi e Organizatës së “Ballit Kombëtar”, e destinuar në Peqin, e kishte veshur veten me të gjitha atributet dhe kompetencat që do të ushtronte autoriteti qeveritar, aq sa xhandarmëria e atjeshme dhe organet e tjera shtetërore, nuk ishin aspak në gjendje të ushtronin detyrat e tyre dhe për këtë, gjendeshin të ofenduara e të diskredituara para popullit. Faktikisht, Komanda e “Ballit Kombëtar”, në Peqin, kishte marrë përsipër të gjitha shërbimet e rendit publik, administrativ dhe gjyqësor, funksione këto që ia kishin bërë të ditur popullit, me shpallje publike nëpër mure. Me shpallje të tilla të publikuara, Komanda e “Ballit Kombëtar” në Peqin, i kishte lënë të lirë popullit shitblerjen e artikujve të monopolizuar, gjë që vlerësohej se i shkaktonte dëm të madh arkës së shtetit. Megjithëse xhandarmëria vazhdonte të qarkullonte në shërbime për sigurimin publik, por nuk ishte aspak e lirë të kapnin një fajtor, sepse do të gjendeshin të penguar menjëherë nga një fuqi tjetër, “Ballit Kombëtar”, që “arreston faj e pa faj persona të dyshimtë, rrahë, torturon, plaçkit, përvetëson të holla e sende të tjera dhe mandej i lirojnë, kështu që çdo fajtor nuk ka si paguan para drejtësisë veprën e tij, por në një mënyrë ose në një tjetër mbetet i lirë”.

Në përfundim të këtij komunikimi zyrtar, Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, kolonel Hysni Dema, i lutej Ministrisë së Punëve të Brendshme; “që të provokohet një ndërhyrje dhe një rregullim i kësaj gjendjeje që asht në dëm të madh të prestigjit qeveritar, mundësisht me largimin s’andejmi të njerëzve drejtues të organizatës në fjalë, të cilët si shihet i shërbejnë vetëm interesave dhe ambicieve të tyne, se sa qëllimit të lartë për të cilin duhet të veprojnë”. Por situata në Rrethin e Peqinit, vijonte të ishte problematike. Më 25 mars 1944, nënprefekti i Peqinit, Riza Ferri, informoi Prefekturën e Elbasanit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, se Komiteti Krahinor i “Ballit Kombëtar” kishte transportuar sasi të konsiderueshme ushqimesh në drejtime të ndryshme, gjë kjo që kishte vazhduar me kohe, gjithnjë duke gjurmuar tregjet më të favorshme, pa marrë fare parasysh se ku çohet. Nënprefektura e Peqinit, në mungesë të forcave të xhandarmërisë, s’kishte mundur t’i ndalonte dhe as që mund t’i ndalonte, sepse s’kishte fare postbllok. Sipas nënprefektit Ferri, Komiteti i Vlorës ishte kujtuar shumë vonë (të kërkonte sasinë e nozullimeve për popullatën e Vlorës), mbasi vazhdimisht e pa pushuar kishte vazhduar transporti i drithit nga agjentët e autorizuar nga Komanda e “Ballit Kombëtar”. Edhe në informacionin e datës 2 mars 1944, Komanda e Qarkut të Xhandarmërisë së Elbasanit, informoi Prefekturën e Elbasanit, mbi pengimin që vullnetarët e Komandës Nacionaliste i bënin Armës së Xhandarmërisë.

Megjithëse titullari i asaj Prefekture, në çdo rast kishte këshilluar komandantët e vullnetarëve, për t’i dhënë ndihmën e tyre Armës së Xhandarmërisë, por kishte ndodhë dhe vazhdonte të ndodhte e kundërta, aq sa autoritetet drejtuese të Xhandarmërisë së Elbasanit, kishin qenë të shtrënguara të urdhëronin xhandarmërinë, për procedim e rreshtim të civilëve që kishin guxuar apo do të guxonin të ndërhynin në detyrat e xhandarmërisë. Në informacionin për Prefekturën e Elbasanit, theksohej se; “Kjo Fuqi Civile, nuk bën asgjë këtu në qytet në të mirën e shërbimit dhe si mbas informatave që kemi nga Komanda Gjermane, edhe përsa i takon veprimit të jashtëm ushtarak, nuk janë treguar në lartësinë e duhur”! Nisur nga situata e krijuar, Komanda e Qarkut të Xhandarmërisë së Elbasanit, i lutej prefektit që të urdhëronte ku duhet për shpejtimin e dërgimit në Elbasan, të Fuqive të Armës së Xhandarmërisë, “që kështu t’u jepet fund dallavereve bashibozuke”. Për këto zhvillime, u vunë në dijeni edhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë.

Ankime të qytetarëve për veprime abuzive

Më 28 mars 1944, zejtarë të ndryshëm të Elbasanit, i drejtuan një lutje Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku ankoheshin për mos likuidim llogarish nga ana e “Ballit Kombëtar”. Ndërkohë grabitjet e segmenteve të “Ballit Kombëtar” vazhdonin në forma të ndryshme. Fetah Kazadej dhe Arif Çerema, banues në Elbasan, vinin në dijeni Ministrinë e Punëve të Brendshme, se prej tre muajsh më parë kishin filluar të furnizonin  Komandën e “Ballit Kombëtar” të Elbasanit, me mish që kapnin një shumë prej gjashtëdhjetë mijë frangash. Në këtë kohë, nevojat kishin qenë të mëdha dhe të dy qytetarët theksonin se kishin qenë të detyruar nga nevoja e rrethanave, të plotësonin kërkimin e bërë prej Komandës së “Ballit”. Në kohën e porosisë, si edhe më vonë, i ishin adresuar Komandës së “Ballit Kombëtar”, por e drejta e tyre nuk ishte likuiduar.

Nisur nga sa më sipër, ata e konsideronin të natyrshme dhe të drejtë që këto të drejta të padiskutueshme, t’u njiheshin dhe të hollat që përfaqësonin sende të marrura për interes të shtetit, t‘u paguheshin prej fondeve që do të shihej e arsyeshme nga Komanda e “Ballit Kombëtar”. Sidoqoftë, për likuidimin e të drejtës së tyre qytetarët Kazadej dhe Çerema, e linin në fuqinë e Ministrisë së Brendshme, për të përcaktuar autoritetin që do t’i paguante. Më 4 prill 1944, qytetarja Emine Kolimja (Gishti), banore e lagjes “Hazinedare”, Elbasan, i drejton një letër Prefekturës së Elbasanit, ku i parashtron se; qysh me ardhjen e fuqisë civile të armatosur, nuk shkonte natë, pa u shkuar në shtëpi fuqia civile, jo vetëm në shtëpinë e ankueses, por në çdo shtëpi të lagjes “Hazinedare”, orar mbas orari, biles shumë herë u kishte takuar rasti të çoheshin nga gjumi, në mes të natës. Sipas ankueses, “qëllimi i tyre ndër shtëpia, është vetëm për me ç’nderue dhe për me vjedhë”. Meqenëse sjelljet e personave civilë që hynin me zor ndër shtëpia po u shkaktonte prishjen e qetësisë dhe frikësimin e gjithë lagjes, Emine Kolimja i lutej autoriteteve të Prefekturës që të kishin “mirësinë me dhanë urdhrat e duhuna Komandës ku ata m’varen, që të ndalohen të përmendurit në hymjen e shtëpijave që po bëjnë”.

Një ditë më pas, prefekti i Elbasanit, Lutfi Shehu, i përcolli letrën e qytetares Emine Kolimja Zyrës Politike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke theksuar se “të tilla sjellje shnderuese, vjedhje, vrasje e hymje me zor natën ndër shtëpia janë bë përditë dhe përsëriten nga fuqia e Xhafer Balit”.

Në informacionin e Prefekturës së Elbasanit, theksohet se civilët e armatosur që merreshin me të tilla sjellje ishin të komanduar prej Xhafer Balit që figuronte edhe si kapiten i Armës së Xhandarmërisë. Sipas informacioneve të sigurta, Xh. Bali nuk bënte pjesë në “Ballin Kombëtar”, veçse paraqitej si i tillë, duke pasë kontakt të ngushtë me komandat e ndryshme gjermane të Elbasanit dhe nuk linte “gjë pa krijuar kundër qytetarëve e personave të ndershëm, me qëllim dallavere personale”.

Më tej, prefekti Shehu shkruan se “këtij bukuroshi, kjo prefekturë me anën e fuqisë së Armës së Xhandarmërisë, do t’i tregonte vendin që meritonte, porse përkrahja e ekzagjerueme që i bâhet nga komandanti gjerman Langer, na ndalon nga çdo veprim legal, që duhet të marrim si kundër Xhafer Balit, ashtu edhe kundër fuqisë civile të armatosur, dipenduese prej tij”. Duke u nisur nga interesi i përgjithshëm për rregullin publik, prefekti Shehu, i kërkonte Ministrisë së Brendshme, që Xhafer Bali të mos qëndronte më në Elbasan dhe të dispononte urgjent masat e nevojshme për largimin e tij prej këtij qyteti, pasi vazhdimi i qëndrimit të tij në Elbasan, konsiderohej “në kundërshtim të plotë me interesin e vendit, e sidomos për prestigjin qeveritar”.

Por veprimet abuzive të pasuesve të Xhafer Balit, vijuan dhe më pas. Më 14 prill 1944, Muzafere Ypi, e shoqja e Bexhet Ypit, nga Elbasani, i drejtoi një letër Prefekturës së Elbasanit, ku ankohet kundër adjutantit të Xhafer Balit, pse i kërkonte kësaj kontributin, që i ishte caktuar të shoqit të saj. Në letrën e zj. Ypi, theksohet se; një nga komandantët e “Ballit Kombëtar”, z. Jorgji Mema, e kishte thirrë që të paraqitej në banesën e tij private, në një hotel të këtij qyteti, për të paguar kontributin që i ishte caktuar të shoqit, si shumë banorëve të tjerë të qytetit të Elbasanit. Zj. Ypi nuk kishte kundërshtuar për kontributin e caktuar burrit të saj, por ankohej pranë Prefekturës së Elbasanit, se për pagimin e kontributit thirrej ajo, një grua, kurse duhej të thirrej burri i saj, që ishte prezent, nga ana e Komitetit të “Ballit Kombëtar”. Zj. Ypi i lutej Prefekturës, që të demarshoj ku duhet që ta lenin të qetë në shtëpinë e saj, “mbasi në këtë rast, kontributet u janë caktue burrave dhe jo grave”. Brenda ditës, letra e Muzafere Ypit, iu përcoll nga Prefektura e Elbasanit Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku shtohej se; “të tilla vepra, kanë lidhje me dallaveret personale të të quejtunit Jorgji Mema, që është mosketjer i Xhafer Balit”.

Ankime ndaj veprimeve të Rinisë së Ballit Kombëtar

Më 6 prill 1944, prefekti i Elbasanit, Lutfi Shehu, informoi Ministrinë e Brendshme, mbi formimin e një Komande Rinie në Elbasan, nën varësinë e të quajturit Shyqyri Biçaku (djali i Dervish Bej Biçakut). Sipas këtij informacioni rezervat, “kjo komandë kishte mbledhur në gjirin e saj persona të rinj, të degjeneruar, që me gjithë moshën e tyre të vogël, kishin ndryshuar shumë herë opinion”. Si prototipa të tyre, paraqiteshin Cen Graceni dhe Shefqet Ibrahimi, komunistë të rrezikshëm, që në kohët e fundit, kishin pasë vrarë Koço Nikon, me urdhër të Partisë Komuniste dhe që më parë kishin qenë shpërndarës traktesh. Gjithashtu, ishin inkuadruar në këtë komandë edhe Ali Abazi, ish-agjent kuesture në Berat, ku kishte pasë abandonue detyrën dhe për disa muaj rresht, kishte bërë pjesë në çeta partizane komuniste, si edhe Qamil Arapi, më parë komunist e më vonë spiun i Gestapos, e që për grabitje të hollash në popull, në emër të Komandës Gjermane, kërkohej nga strukturat e xhandarmërisë së Elbasanit, për procedim.

Për personat e përmendur që kishin qenë më parë komunistë, Prefektura e Elbasanit, i kishte dhënë komandantit të kësaj Rinie dhe instruksione që t’i shfrytëzonte për të treguar elementin komunist të qytetit dhe, nëse komandanti nuk do të ishte në gjendje që të përfitonte prej tyre, kishte kërkuar që ata persona, t’i dorëzoheshin xhandarmërisë që me masat e saj administrative do të mund të zbulonte prej tyre, deri dhe persona me interes shumë të madh për rregullin publik. Në informacionin e Prefekturës së Elbasanit, nënvizohej se duke qenë se personat që bënin pjesë në komandën e lartpërmendur, ishin kush më pak e kush më shumë, të kategorisë së përmendur më sipër, nuk kishte mundësi në asnjë mënyrë, që të pritej prej tyre shërbim serioz dhe i ndershëm, e “sidomos kur ata vepronin në emër të Rinisë Nacionaliste, kështu që për çdo natë bëhen përkufizime nëpër banesa, merren njerëz të pafajshëm, mbahen në burg dhe mandej lirohen”. Shpesh herë kishte ndodhë që kishin “marrë edhe vajza njëzetë vjeçare natën dhe, siç kanë qenë me teshat e fjetjes, i kanë mbajtur deri në mëngjes e mandej i kanë liruar”.

Për të gjitha këto vepra që bënin, Komanda e Rinisë as që pranonte edhe një këshillë të vetme nga autoriteti lokal dhe jo më që të vinte në dijeni autoritetin. Për të gjitha këto, Prefektura e Elbasanit, kishte njoftuar edhe Komandën Gjermane.

Në informacion theksohet se; djemtë e Dervish Bej Biçakut, kishin dalë në skenë me urdhërin e atit të tyre dhe vepronin pikërisht sipas udhëzimeve të Xhafer Balit, i cili qëndronte në Elbasan, në përkrahje të Komandës Gjermane dhe për të siguruar interesat e tij materiale, në kurriz të popullit: “1) se vepron në emër të “Ballit Kombëtar”, por “Balli Kombëtar” nuk e njeh; 2) se vepron në emër të nacionalizmit e prandaj gjoja edhe në favor të qeverisë, por qeveria as që e njeh fare, tue veprue ashtu si e do interesi i tij”. Si në komunikimin e një dite më parë (5 prill), prefekti Shehu i lutej Ministrisë së Brendshme, të bënte çmos për largimin e Xhafer Balit prej Elbasanit, meqë qëndresa dhe vepra e tij konsideroheshin në kundërshtim të plotë me politikën qeveritare dhe ndodhja e autoriteteve të Prefekturës aty, në vend që të paraqiste qeverinë me dinjitet, bëhej qesharake për ditë e më tepër, para opinionit publik të Elbasanit.

Veprime të konsideruara të paligjshme u kryen nga të vetëquajturit “Rinia Balliste” dhe ndaj bashkëshortes dhe vajzave të arsimtarit të nderuar Aleksandër Xhuvani. Për ngjarjet e ndodhura, ai, duke shmangur autoritetet e pushtetit lokal, iu drejtua më 6 maj 1944, me një letër drejtpërdrejtë ministrit të Punëve të Brendshme, Xhafer Deva. Nisur nga rëndësia e informacionit që përcjell, por dhe në respekt të Prof. Dr. Xhuvanit, letrën e Tij, po e japim të plotë në vijim, duke ruajtur gjuhën e dokumentit.

Zoti Ministër,

Po marr lejen t’i kallëzoj Zotnisë s’uej, nji ngjarje që ka ndodhë n’Elbasan në familjen t’eme:

Më 26 të muejit që kaloi, kishin vojtë në shtëpinë t’eme n’Elbasan, disa djelm t’armatosun dhe kishin kërkua të zanë dy gocat e mija, Iolandën dhe Semiranin, të kallzueme si komuniste. Këta ishin dërgue prej Reshatit, të birit të Dervish Beut, që ka përvehtësue titullin e Kumandantit të vetëquajtunës “Rinisë balliste” t’Elbasanit. Vajzat nuk i kishin gjetë aty, por iu kishin kanosë me të shame e të brituna, grues s’ime, për të dorëzue vajzat që i donte kumandanti i tyne, se për ndryshe, mund ta pushkatojshin dhe atë. Tre muej ma parë, Xhafë Bali me të tjerë katundarë t’armatosun, erdhën natën në shtëpinë t’eme n’Elbasan dhe zunë gruen me vajzën dhe i burgosën dhe mbas dhetë ditësh i lëshuen. Tash prapë vijnë vijnë njerëzit e të vetëquajturës “Rini balliste”, njerëz privatë, pa ndonjë cilësi zyrtare, gjind rropulli e gërdhajë dhe i marrin fytyrën grues, tue e kërcnue e tue e shamë.

Zoti Ministër, gjithë nënshtetasit janë të detyruem t’u shtrohen ligjeve, t’u binden urdhnavet të Qeverisë, të gjykohën drejtësisht prej saj, në qofshin fajtorë, e t’i ndihin në veprën e saj të mëkëmbjes e të rindërtimit të Shtetit. Por asht nji dhun’ e madhe kundra prestigjit e fuqisë qeveritare, që disa djelmosha, lapërdharë e bixhozçi, të zëvendësojnë pushtetin qeveritar, të burgosin e të marrin nëpër këmbë prindë e familje, pse fëmijët e tyne kallzohen prej spiujsh të poshtër, si komunista. Ndër ata që gërthitshin e shajshin gruen t’eme, u njoftën njifarë Haxhi Ymeri e Sulë Kadeshi dhe veç të tjerave, i kishin thanë: “jeni Serbë e Grekë”.

Zoti Ministër, si nënshtetas pa njollë e si arsimtar i vjetër, që ma tepër se askush tjetër kam dhanë ndihmesën t’eme të vogël, me shumë vepra shkollore, për naltësimin e arsimit kombëtar, si në kohë të robnisë turke, si në kohë të lirisë së kombit, unë protestoj për këtë dhunë që m’asht ba prej njerëzish të shkarzyem moralisht, që duen të shfryjnë pasionet e tyne e të marrin nëpër këmbë njerëz të ndershëm e puntorë, që nuk kanë qenë parazitë, por e kanë fitue bukën me djersën e ballit.

Ju lutem, z. Ministër, që të jepet urdhën për t’u hetue çâshtja e të mirren masa ndëshkimore kundra atyne rrugaçave, që kanë randue familjen t’eme, e kundra të vetëquejtunit kumandant të tyne, që quhet Reshat Bej Biçaku.

Tiranë, 6/V/1944

                                  Me nderime të posaçme

                                   (Aleksandër Xhuvani) 

                                           (firma)

Tre ditë më pas, më 9 maj 1944, Ministri i Punëve të Brendshme, i drejtoi një shkresë rezervat në formë urdhri Prefekturës së Elbasani, duke i bashkëngjitur dhe kopjen e parashtresës së z. Aleksandër Xhuvanit. Në shkresën e ministrit të Brendshëm theksohet: “Tuej marrë parasysh veprimet e një veterani t’Arsimit Kombëtar, i cili, pa ndie lodhje e debulesë për mbarëvajtjen e arsimit, ka punue me të gjitha fuqitë e tij për rimëkëmbjen e Shqypnisë sonë, e cila, në pikëpamje të arsimit, ishte krejtësisht poshtë në krahasim me shtetet e tjera, e sot në pleqësi e sipër, në vend që të ketë nder e mbrojtje, jo vetëm se nuk përkrahet prej rinisë por, çka asht ma tepër, po prej kësaj dishirohet që të shtypet e përse, kjo nuk mund të dihet. Na vjen shumë keq kur dëgjojmë veprime të tilla, që kryhen prej organeve të ‘Ballit’, pse kështu traditat shekullore të fisit tonë, merren nëpër kambë e hudhen mbas shpine, gja që e kemi pasë ma të shenjtë.

Asht e tepërt të shkojmë ma gjatë, mund ta kuptojnë vetë ajo prefekturë rëndësinë e çështjes. Prandaj, për sa na është parashtruem, kërkojmë që të bâni hetime dhe të na shpjegoni imtësisht rrjedhimin e atyne ngjarjeve e njëkohësisht ju porosisim që t’i ndaloni në mënyrë kategorike ato lloj veprimesh të Ballit t’atyshëm, mbasi në këtë mes diskretitohet dhe Qeveria Shqyptare”. Në përgjigje të këtij urdhri të ministrit, më 15 maj 1944, prefekti i Elbasanit, Lutfi Shehu, informoi Zyrën Politike, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, se me marrjen në dorëzim të urdhrit të sipërm, titullari i kësaj prefecture, thirri menjëherë në zyrë Reshit Biçakun, të vetëquajtunin komandant të Rinisë së ‘Ballit’ në Elbasan dhe i kërkoj shpjegime për sa ankohet në lutjen e vet z. Aleksandër Xhuvani, por i përmenduni z. Reshat Biçaku, mohoi kategorikisht që ai të kishte dërguar djem të armatosur në shtëpinë e lutësit, për të zënë gocat e tij dhe kishte deklaruar se këto veprime të paligjshme, mund të jenë bërë prej ndonjë personi tjetër, nga të vetëquajturit komandanta të ‘Ballit’. Megjithëkëtë, prefekti e këshilloi të përmendurin, që të mos përsëriteshin më të tilla veprime, prej cilitdo që vepronte në këtë mënyrë.

Në përgjigjen e tij, prefekti Shehu, sqaron se Prefektura e Elbasanit, deri atë ditë nuk ishte vu në korrent prej të interesuarve, për veprimet ilegale të rëndueme mbi familjen e z. Aleksandër Xhuvani, me qëllim që të dispononte kundër autorëve, “në mos masat e duhuna (për shkak të rrethanave të kohës), të paktën të bënte këshillimet e duhuna dhe të raportonte atë ministri, siç ka raportuar me shkresa të ndryshme ngjarje të tilla analoge”. Me këtë rast, prefekti Shehu, shtonte se Prefektura e Elbasanit, nuk kishte munguar kurrë që t’i raportonte Ministrisë së Brendshme (citohen pesë shkresa), për veprime të tilla të jashtëligjshme, të shkaktuara në këtë qytet prej të famshmit Xhafer Bali, i cili për veprat e tij, mbiquhej prej autoriteteve të Elbasanit “Isa Toska nr. 2”, si dhe për mosketjerët e tij, Jorgji Mema e shokë, por kundër të cilëve, siç dihej, nuk kishin pasë mundur me marrë masat ligjore, për shkak të rrethanave të kohës dhe as që mund të vepronin në bazë të dispozitave ligjore, për deri sa vazhdonte kjo gjendje. Memorie.al