Të armatosur brenda në lokal me 2 pistoleta të gatshme për qitje, arrestohen dy anëtarët e grupit të rrezikshëm kriminal

0
143

Njoftimi i policisë: 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Obelisk”, i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcat Speciale “RENEA” dhe Komisariatin e Policisë Vlorë.

Operacioni, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe për goditjen e grupeve kriminale.

Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve, në bazë të inteligjencës policore, parandalon një ngjarje të mundshme kriminale kundër personit, e cila do të kryhej me disa armë zjarri.

Të armatosur në një lokal, me 2 pistoleta të gatshme për qitje, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas, pjesëtarë të një grupi kriminal të rrezikshëm.

Në pranga dhe 4 shtetas të tjerë, për moskallëzim të krimit, 3 prej të cilëve pjesë e grupit kriminal me 2 shtetasit e armatosur.

Të arrestuarit, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e krimeve të rënda kundër personit.

Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 3 automjete, 2600 euro dhe 8 celularë.

Në vijim të operacioneve të zhvilluara nga Policia e Vlorës, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, vënien në pranga të shtetasve të rrezikshëm për komunitetin, pjesëtarë të grupeve kriminale, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë siguruar informacion për 2 shtetas që qendronin të armatosur, në një lokal në Vlorë, të cilët mund të kryenin ngjarje të rëndë kriminale, kundër personit. Në bazë të këtyre informacioneve, në bashkëpunim me Forcat Speciale “RENEA”, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Obelisk”, si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit:

-S. B., 37 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

-M. A., 33 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

-B. Sh., 29 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

-M. H., 27 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

-B. Xh., 29 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

-K. M., 28 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Këta shtetas, pjesëtarë të një grupi kriminal të rrezikshëm dhe me precedentë të mëparshëm kriminal, në fushën e krimeve të rënda kundër personit, u kapën në flagrancë, në ambientet e një lokali, në lagjen “Lef Sallata”. Gjatë kontrolleve fizike dhe në këtë lokal, shërbimet e Policisë iu gjetën shtetasve S. B. dhe M. A., dy armë zjarri pistoleta (“Glock” dhe “TT”), me fishekë në fole, të gatshme për qitje. Armët u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 automjete që posedonin shtetasit e arrestuar, 2600 euro dhe 8 celularë.

Ndërkaq, 4 shtetasit e tjerë të arrestuar, dyshohet se kanë patur dijeni për 2 shtetasit e armatosur dhe nuk kanë kallëzuar krimin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.