Armatimet dhe vizita e Radoiçiçit kanë lënë shumë gjurmë në zonë. Banorët e fshatit nuk flasin shumë, një pjesë e tyre janë mbledhur për të kuvenduar në dy objekte që shfrytëzohen si kafene. Disa pinë birra të prodhimit serb e të tjerët kafe. Edhe pse në fshat pati shpërthime minahedhësish e krisma, banorët arsyetohen se ishin në gjumë. “Nuk dimë çka ka ndodhur, kemi qenë në gjumë kur ka ndodhur pjesa më e madhe e ngjarjeve”, thotë njëri nga banorët e fshatit. E njëra nga banoret ka kërkesa më interesante. Në sinqeritetin e saj ajo tregon se është traumatizuar dhe ka nevojë të marrë trajtim psikologjik.
Faktet për ato çka ndodhën në Banjskë
Bilanci i përleshjes, ku u përdorën edhe minahedhës, është i rëndë. Polici Afrim Bunjaku u vra në pritën e organizuar në hyrje të fshatit. Tre pjesëtarë të grupit terrorist u vranë më pas nga Policia. 26 mjete, përfshirë autoblinda dhe makina të blinduara, u futën në fshat. Edhe pse ende është pikëpyetje dyshimet janë se makinat hynë në fshat mëngjesin e 24 shtatorit nga Serbia, duke përdorur rrugët alternative. Fshati që nga lart ka formën e një hinke ka një rrugë kryesore. Në orën 2:00 të mëngjesit në hyrje të fshatit u vendosën disa kamionë që bllokuan rrugën.
Policët që u afruan për të parë se çka po ndodhte u përballën me sulm me granata e mjete shpërthyese. Vendi ku u vra Afrim Bunjaku ishte mbikëqyrur nga lartë kodrës, ku Policia besoi se ishin vendosur terroristët që qëlluan edhe me minahedhës. Përleshja mes Policisë dhe grupit vazhdoi gjatë tërë ditës. Millan Radoiçiq ishte vendosur në një objekt shoqërues të manastirit, i cili i krijonte mbrojtje atij nga të gjitha anët nga mund të vinte sulmi i Policisë.
Policët arritën ta shohin atë vetëm me dron ndërsa identifikimi i tij u bë vetëm pas dy ditësh, kur Policia i analizoi pamjet. Pa e ditur me kë po luftonin, Policia vazhdoi aksionin për disa orë, specialët dhe snajperistët e tyre u ngjitën në malet e thepisura të fshatit për të zënë pozicionet. “Sulmi nga të gjitha anët e ka çorientuar grupin, i cili ka nisur të ikte” – tregon njëri nga ata që ishte aty. Specialët nuk e fshehin se kishin luftuar edhe në distancë në pesë metra ndërsa arritën të kapnin dy të plagosur që u lanë pas nga grupi. Në fshat shihen gëzhoja dhe mbetje municionesh të armëve që u përdorën në shkëmbimin e zjarrit.
Beteja e dronit heroik
Banjska pati një zhvillim interesant dhe një kthesë diku në orën 12:00 të ditës. Kryeministri i vendit publikoi pamjet nga një dron, ku shiheshin njerëzit e armatosur të vendosur në manastir. Publikimi i pamjeve e ndryshoi rrjedhën e komenteve në publik dhe seriozitetin e situatës.
Të dhënat nga terreni tregojnë se edhe për dronët pati një luftë. Fillimisht një dron i Policisë u dëmtua nga terroristët ndërsa Policia pastaj e rrëzoi njërin nga dronët e grupit. “Droni është përdorur për të marrë koordinatat e pozicioneve të Policisë të cilat pas fluturimit të dronit qëlloheshin nga terrorristët me minahedhës” – thotë njëri nga njerëzit që ka qenë dëshmitar aty. “Jemi mundu sa ma shumë me e mbajt të fshehtë dronin”, rrëfen Veton Elshani, epror i Policisë, i cili ishte në zonë.
Dronët përpos koordinatave u përdorën edhe për të dokumentuar. Pamjet e dronit shpërfaqën arratinë e grupit ndërsa dy ditë pas ngjarjes pamja kryesore ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve politike. Millan Radoiçiç u identifikua se ishte i armatosur në fshat vetëm nga pamjet e dronit. I shoqëruar nga disa pjesëtarë të grupit, ai në pamje shihet deri sa qëndron në hapësirat e jashtme të njërit nga objektet përcjellëse të manastirit të Banjskës. Vetëm kur shohin dronin ata menjëherë nisin t’i mbulojnë fytyrat e të largohen nga hapësira për t’u futur brenda.
Rrugët e terroristëve
Fshati ndodhet në një skaj të vendit dhe në bazë të hartave ai ka lidhje malore me Serbinë. Rrugët malore u shfrytëzuan për t’u sjellë në fshat armatimi ushtarak, ku bëjnë pjesë minahedhës, armë automatike, granata dore, snajperë, mitralozë, municion, uniforma, maska, kapela, e 26 automjete, dy nga to autoblinda e disa vetura luksoze të blinduara. Të dhënat e publikuara nga Policia tregojnë se në mesin e të vrarëve dhe të arrestuarve nuk kishte persona që janë nga fshati por mister mbetet fakti se si arritën tërë këta njerëz të futen në fshat dhe askush nuk i telefonoi Policisë. Prapa fshatit ndodhet rruga përmes të cilës ikën të dyshuarit. Në nisje ajo është e asfaltuar ndërsa tutje vazhdon si rrugë malore por që mund të përshkohet me automjete 4×4.
Gjatë arratisë grupi u nis në këtë rrugë me mjetin e blinduar, i cili mbeti në rrugë për shkak se gomat iu shpuan nga snajperët e Policisë. Rruga malore garantoi tërheqjen e disa të plagosurve dhe pjesës më të madhe të grupit e nga aty vazhduan rrugën këmbë drejt Serbisë. Disa nga ta është raportuar se janë duke u trajtuar në spitalet e Novi Pazarit. Nga sulmet që ndodhën në Banjskë, tetë persona janë arrestuar, dy nga ta pjesë e grupit terrorist, dy punëtorë dhe katër persona që dyshohet se e ndihmuan grupin me logjistikë. Këta të fundit janë liruar në procedurë të rregullt.
Njëri nga të vrarët e grupit terrorist, Stefan Nedelkoviç, për shkak të shkëmbimit të zjarrit nga një kundërpërgjigje e Policisë se Kosovës, fillimisht ishte plagosur e më pas ishte tërhequr zvarrë nga pjesa tjetër e grupit, për t’u lënë në malet e Banjskës. Vdekja e Nedelkoviçit ishte konfirmuar të dielën ndërsa gjatë ditës së djeshme Policia njoftoi se ka gjetur trupin e tij. Stefan Nedelkoviç, siç mëson KALLXO.com, ishte nga Zveçani ndërsa dy pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist që u vranë ishin nga Leposaviçi.
Një tjetër i vrarë është edhe Igor Milenkoviç. Ky i fundit jetonte në Leposaviq. Po ashtu, edhe personi i tretë, Bojan Mijailoviq, ishte nga Leposaviqi. Ata u nderuan me tri ditë zie dhe me ndezje qirinjsh në organizime të Listës Serbe. Në Banjskë nuk pati qirinj për ta. Të paktën jo deri në ditën kur gazetarët hynë në fshat./Kallxo.com/