Tirana pritet të mikpresë muajin e ardhshëm takimin e radhës të nivelit të lartë të Procesit të Berlinit, i pari që mbahet jashtë një vendi të Bashkimit Europian.
E lindur në vitin 2014, si një propozim i kancelares së atëhershme gjermane Angela Merkel për të përshpejtuar integrimin europian të vendeve të Ballkanit, nisma ka meritën që arriti të ulë rreth së njëjtës tryezë udhëheqësit e vendeve të rajonit. Në harkun e 9 viteve, Procesi i Berlinit, njohu ulje-ngritje, ndërsa rrethi i vendeve anëtare që ju bashkuan, erdhi duke u zgjeruar.
Një vështrim i detajuar e ecurisë së kësaj nisme, nën dritën dhe të panoramës së re gjeopolitike dhe të sigurisë, pas agresionit rus në Ukrainë, si dhe sfidat me të cilat duhet të përballet si Bashkimi Europian e po ashtu dhe vetë vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e zgjerimit, ishin pjesë e një dokumenti analitik të hartuar nga ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe dy ekspertë të tjerë Albana Merja dhe Glevin Dervishi. Dokumenti u paraqit të mërkurën gjatë një takimi të organizuar në Tiranë, nga fondacioni Friedrich Ebert.
“Procesi i Berlinit ndryshoi disi rutinën e formatit të zgjerimit duke vendosur theksin te bashkëpunimi rajonal ekonomik, ku krahas strukturës klasike vertikale të procesit të zgjerimit, shtoi elementë horizontalë, me çështje të tilla si tregu i përbashkët rajonal, transporti, energjia dhe zona ekonomike rajonale, duke nxitur kështu kushtet për zhvillim të qëndrueshëm dhe marrëdhëniet ndërmjet agjentëve të ndryshëm shoqërorë”, nënvizon studimi, ndërsa vë në dukje se “një tjetër dimension i rëndësishëm i bashkëpunimit rajonal është Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”.
Procesi i Berlinit nuk është një alternativë ndaj integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por ka synuar të shërbejë si një nxitës i këtij të fundit. Kancelari gjerman Olaf Scholz, që në fillimet e detyrës së tij, premtoi rigjallërimin e kësaj nisme. Ndërsa agresioni rus në Ukrainë, çoi në një qasje më aktive edhe të vetë BE-së ndaj rajonit. Takimi i nivelit të lartë BE- Ballkani Perëndimor, i mbajtur në Tiranë, dhjetorin e kaluar, bëri thirrje për përshpejtimin e procesit të integrimit. “Lufta në Ukrainë dhe ndërgjegjësimi se Europa nuk është e plotësuar, duhet të shihet dhe si një mundësi për të jetësuar vizionin e anëtarësimit në BE, për vendet e Ballkanit perëndimor”, theksohet në studim.
Edhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit europian në Titanë, Luigi Soreca, tha gjatë takimit të mërkurën se “kriza shndërrohen gjithnjë në mundësi. Asnjëherë nuk kam dëgjuar të flitet kaq shumë për zgjerimin, se sa vitin e kaluar dhe gjatë këtij viti. Arsyeja është pashmangshmërisht e lidhur me faktin se një përmasë e re e sigurisë është hedhur në tavolinë. Ne diskutojmë begatinë, konvergjencën në nivel ekonomik, por zgjerimi në rajon është dhe kërkesë sigurie, për të garantuar që rajoni të jetë i qëndrueshëm”.
Për autorët e studimit “rruga e vendeve të rajonit drejt BE-së vijon të jetë e thepisur dhe pa një afat të qartë kohor” dhe se janë disa, sfidat e ndërlidhura që duhen trajtuar në funksion të stabilitetit demokratik, mirëqënies dhe anëtarësimit në BE. Sfida e parë ka të bëjë me nivelin e demokracisë dhe sundimit të së drejtës. Edhe pse vendet e Ballkanit perëndimor vlerësohen të kenë bërë reforma dhe kanë avancuar në rrugën e integrimit europian “ky përparim nuk është në raport të drejtë me fuqizimin e shtetit të së drejtës. Bazuar në vlerësimet e organizatave ndërkombëtare që monitorojnë zhvillimet demokratike vihet re një “rrëshqitje demokratike”, në vitet e fundit me përjashtim të Kosovës”, thkesohet në dokument.
Një tjetër shqetësim lidhet me hendekun zhvillimor të rajonit në raport me mesataren e BE-së, por dhe me vendet më të varfëra të bllokut. “Prodhimi i brendshëm bruto i të gjitha vendeve të Ballkanit është afërsisht i barabartë me atë të Sllovakisë, ose më pak se 1 përqind i atij të BE-së. Pavarësisht përfitimeve që kanë sjellë nisma të ndryshme rajonale ose potenciale që mbart Tregu i Përbashkët Rajonal, zhvillimi ekonomik i rajonit mbetet i kufizuar”, vënë në dukje autorët e studimit.
Një sfidë e cila ka prekur dukshëm Ballkanin perëndimor është dhe ajo që në analizën e paraqitur, përkufizohet si “kërcënimi demografik” ose ikja masive e qytetarëve drejt BE-së. “Vendet e rajonit duhet të përqafojnë politikat e mirëqënies që lidhen me investimet dhe mundësitë në arsim, shëndetësi dhe strehim, duke krijuar një terren më të përshtatshëm për një jetë më dinjitoze. Trajtimi i Ballkanit perëndimor si pjesë e BE-së është një mënyrë efektive për të zbutur hendekun zhvillimor dhe për të frenuar sado pak shpopullimin”, thekson studimi.
Ndërsa qasja europiane ndaj rajonit duket të ketë ndryshuar pozitivisht, analiza e situatës vë në dukje megjithatë se nevojitet një vizion i qartë se si do të duhet të ecet përpara në procesin e zgjerimit. Rajoni “duhet të marrë përparësi, ku BE-ja duhet të dëshmojë përkushtim të njëmendtë. Alternativat ndaj anëtarësimit të plotë nuk duhet të kthehen në një gjendje të përhershme për Ballkanin perëndimor”.
Takimi i Tiranës muajin e ardhshëm ka rritur pritshmëritë. Kryeministri Edi Rama, deklaroi dy ditë më parë, gjatë ministerialit euro-ballkanik të Ministrave të Ekonomisë nga BE-ja dhe rajoni, i organizuar në kuadër të Procesit të Berlinit, se “samiti do të duhet të diskutojë për diçka krejt të re, që 5 vjet më parë, ishte e papërfytyrueshme, planin e ardhshëm të Bashkimit Europian për të mbështetur Ballkanin Perëndimor duke u hapur në disa mënyra që do të na sjellin më pranë BE-së. Për këtë kemi pritur për një kohë kaq të gjatë dhe kjo është arsyeja pse kemi pritshmëri kaq të larta për planin e premtuar të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor që me kaq padurim po e presim”. /VOA