Babai i Brianit, djalit 3-vjeçar që vdiq pas ndërhyrjes dentare në një klinikë private në Tiranë, ka hedhur akuza ndaj mjekut Ronald Xhaxho duke thënë se djali do të bënte vetëm pastrim gurëzash, por klinika i ka bërë 14 dhëmbë.
Në emisionin “Zemra e Hapur” në News24, babai i 3-vjeçarit, u shpreh se mjeku ka gënjyer kur tha se djali ka dalë duke qarë nga klinika dhe duke kërkuar të vëllain.
Sipas babait, vogëlushi s’ka folur asnjë fjalë pas operacionit dhe doli i përgjumur.
Gjithashtu theksoi se “gjendja e gruas është e rënduar, është lehonë, se djali i vogël është 2 muajsh. Kërkoj të drejtën që ai doktor mos të ekzistojë më. Nuk mund ta quaj më mjek, as atë as stafin që ka atje. Shqetësimi ishte mbidoza e narkozës”.
Baba i 3-vjeçarit: “Djali për herë të parë në klinikë ka shkelur vetëm ditën e operacionit. Djali ka bërë operacion para dy vitesh, kam diskutuar edhe me doktorin, kam marrë edhe letër me vulë nga kardiopediatri, që ndiqte Brianin. Mjeku më tha që nuk ka asnjë problem fare që kishte bërë operacion në zemër. E çova për pastrim dhëmballe djalin atë ditë.
Unë në kohën që ky vazhdonte me ndërhyrjet e kam pyetur disa herë për pastrimin e gurëzave.
I kam thënë “mund të bëjmë një dhëmb sot, një nesër”. Më ka thënë “jo, sot”. Kam shkuar me bashkëshorten, gjyshin e tij dhe dajën e djalit. Nuk është kuruar asnjëherë për infeksion në gojë.
Çdo 6 muaj bënim analizat, në datën 28 ai ka bërë vetë analizat. Mjeku tha që janë në rregull, vazhdojmë procedurat.
Kam folur me Roland Xhaxhon dhe Ina Xhaxhon. Ai më tha që do zgjaste operacioni maksimumi 3 orë.
Më ka thënë anestezi e gjenerale, jo totale siç thotë ai. Briani u fut rreth orës 10:00 të mëngjesit dhe ka dalë në 19:00. I trokita tek dera disa herë thanë vazhdon procedura. Briani është shumë në rregull tha mjeku, pas përfundimit të ndërhyrjes.
Nuk është e vërtetë që djali ka dalë duke qarë, ishte i përgjumur. E kishim lënë për 1-2 dhëmbë, në fund kur do bënim pagesën na thanë 14 dhëmbë.
Mjekun e telefonova kur djalit filloi që t’i ngrihej temperatura. Nuk ia uli temperaturën, e dërgova në reaminacion.”
I ati i Brianit theksoi se ka telefonuar mjekun Ronald Xhaxho, por ky i fundit nuk i ka hapur telefonin.
Sipas tij, mjeku e QSUT i thanë se djali është në gjendje të rënduar nga narkoza, kur e dërguan në pediatri.
Baba i 3-vjeçarit: E pavërtetë që ka kërkuar të vëllain. Në atë përgjumje, jo ai që është i vogël, por as ne s’mbajmë mend. Nuk kishte filluar ende të fliste. Djali s’ka folur asnjë fjalë pas operacionit. E kam telefonuar unë, kunati.
Më pas i kam dërguar njerëz atje. Ai e di 100% se çfarë ka bërë ndaj nuk e hapte telefonin. Mjeku erdhi ditën e nesërme, atë ditë s’ka ardhur. Mjekët na thanë se djali është në gjendje të rënduar nga narkoza.