BallinaOP EDKanceri, sëmundja që po zhduk gështenjat tona

Kanceri, sëmundja që po zhduk gështenjat tona

spot_img
spot_img
Nga Abdulla Diku
Kanceri i gështenjës (Cryphonectria parasitica) është një patogjen i lëvores, i cili infekton vetëm pjesët mbitokësore të pemëve, d.m.th., vetëm trungjet dhe degët.
Kanceri i gështenjës, i shkaktuar nga Cryphonectria parasitica, është një sëmundje shkatërruese që infekton pemët e gështenjës amerikane dhe evropiane. Patogjeni është me origjinë nga Azia Lindore dhe u përhap në kontinente të tjera nëpërmjet bimëve të infektuara të gështenjës.
Si një patogjen nekrotrofik, C. parasitica kërkon plagë të freskëta ose çarjet në lëvoret e drurëve për të depërtuar në indin pritës e për t’u zhvilluar aty.
Të dy sporet – seksuale dhe aseksuale të C. parasitica mund të shkaktojnë infeksione. Pas mbirjes së sporeve, formohet një lezion fillestar i cili më pas zhvillohet si kancer i lëvores. Më vonë, C. parasitica mund të sporulohet në lëvoren e infektuar, si dhe në lëvoren e drurit të gështenjës së sapo tharë.
Mbartësit kryesorë janë speciet e gjinisë Castanea (Familja Fagaceae), veçanërisht gështenja amerikane (C. dentata), gështenja evropiane (C. sativa), gështenja kineze (C. mollissima) dhe gështenja japoneze (C. crenata).
Në Shqipëri ka hyrë në vitet ‘70 dhe tashmë është prezent në të gjitha pyjet me gështenja natyrale, duke shkaktuar tharjen e drurëve dhe ulur ndjeshëm rendimentin.
Simptomat e sëmundjes
Cryphonectria parasitica shkakton lezione nekrotike shumëvjeçare (i ashtuquajturi kancer) në lëvoren e kërcellit dhe degëve të pemëve pritëse të gështenjës, duke çuar përfundimisht në vyshkjen e pjesës së drurit apo degës nga infeksioni. Kancerat e gështenjës karakterizohen nga prania e fijeve miceliale dhe trupave frutorë të patogjenit. Poshtë zonës së infektuar, pema mund të reagojë duke prodhuar lastarë epikormikë. Kanceret jo-vdekjeprurëse, sipërfaqësore ose kallozake në pemët pritëse të ndjeshme zakonisht shoqërohen me hipovirulencë të shkaktuar nga mycovirus.
Kontrolli i sëmundjes
Pas futjes së C. parasitica në një zonë të re, përpjekjet për çrrënjosjen duke prerë dhe djegur bimët/pemët e infektuara kanë dështuar. Në Evropë, mycovirusi Cryphonectria hypovirus 1 (CHV-1) vepron si një agjent i suksesshëm i kontrollit biologjik të kancerit të gështenjës duke shkaktuar të ashtuquajturën “hipovirulencë”. CHV-1 infekton C. parasitica dhe redukton rritjen e tij parazitare dhe kapacitetin sporulues të kancerit vdekje-prurës. Kancerët individualë mund të trajtohen terapeutikisht me shtamet e C. parasitica të infektuara me hipovirus. Hipovirusi mund të përhapet më pas në kancerin e patrajtuar dhe të vendoset në popullatën e C. parasitica duke ulur shkallën e virulencës e për pasojë edhe efektet negative mbi drurët e infektuar. Hipovirulenca është e pranishme në shumë rajone të Evropës, shoqëruar me rritje të rezistencës së drurëve, si rezultat i natyrshëm ose pas trajtimeve të kontrollit biologjik të ndërmarrë. Edhe në Shqipëri vërehen shumë raste ku gështenja ka manifestuar me sukses raste të hipovirulencës.
Si bëhet trajtimi praktikisht?!
Nga drurët e infektuar merren mostra të kancerit të gështenjës dhe analizohen në laborator. Prej tyre, përzgjidhen kampionet me përmbajtje të mycovirusit CHV-1 dhe kultivohen me qëllim shumimi aty në laborator.
Më tej, mycovirusi merret dhe vendoset (inokulohet) tek plaga e infektuar me virusin virulent (atë që shkakton tharjen e drurit).
Ndonjëherë në gjuhën popullore ky proçes quhet edhe ‘shartim’ i virusit të mirë mbi virusin e keq.
Trajtimi i kancerit të gështenjës në këtë mënyrë është shumë i suksesshëm, veçanërisht nëse shoqërohet edhe me prerjet sanitare dhe silvikulturale. Ka disa teknika specifike që janë shumë efektive në këtë drejtim.
E vetmja gjë që kërkohet është laboratori ku të kultivohen format e mycovirusit CHV-1, ndërsa proçesi i inokulimit mund të bëhet edhe nga vetë fermerët pasi është i thjeshtë.
Ne kemi laboratorë, por puna për menaxhimin e sëmundjes që po shkakton degradimin e pyjeve tona me gështenja nuk po realizohet gjëkundi.
Shqipëria ka patur histori suksesi në këtë drejtim (veçanërisht Tropoja), po prej dekadash është lënë tërësisht pas dore.
Pas trajtimit në laborator, forma hipovirulente duket lehtësisht me sy pasi ka ngjyrë të bardhë, krahasuar me ngjyrën e verdhë-kafe të formës agresive të kancerit.
Me fare pak trajnime, fermerët mundet të identifikojnë dhe njohin vetë format virulente dhe hipovirulente, duke bërë një hap domethënës drejt menaxhimit të sëmundjes.
Ne kemi laboratorë e po ashtu dhe specialistë shumë të mirë, por puna për menaxhimin e kancerit të gështenjës ka ndalur në vend.
Shqipëria ka masivet më të mëdha me gështenja shekullore natyrore në rajon me afro 10,000 hektarë. Dëmi i shkaktuar vetëm nga kanceri vlerësohet në rreth 5-7 milion euro/vit, ndërkohë që vlera vjetore e investimit për menaxhimin e sëmundjes do mjaftonte të ishte sa vetëm 10% e dëmit vjetor të shkaktuar.
Në shumë rajone të vendit një numër i konsiderueshëm familjesh jetojnë prej gështenjës, druri i ashtuquajtur ‘industrial’ më i vlefshëm i ekosistemeve tona natyrore i është nënshtruar fatit fatal prej sëmundjes.
Megjithtëse ka ushqyer me dhjetra gjenerata familjesh në shekuj, duket se rrugës së gjatë në mbështetjen e mbijetesës së komuniteteve rurale po i vjen fundi, prej neglizhences tonë, kuptohet.
Një tjetër element shumë i rëndësishëm që duhet thënë është fakti që kanceri e dobëson shumë gështenjën, duke e ekspozuar atë ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve të tjerë. Prania e një dëmtuesi të ri në pyjet siç është grerëza aziatike e gështenjës, e përkeqëson akoma më shumë situatën dhe shumëfishon rrezikun prej kancerit.
Lajmi i mirë është që sëmundja është e trajtueshme dhe krejtësisht e menaxhueshme. Lajmi i keq është që s’kemi asnjë plan konkret për të përmirësuar shëndetin e pyjeve tona të mrekullueshme me gështenja. Pra s’kemi as ujin, as zjarrin dhe as njeri për ta vënë ujin në zjarr për këtë çështje.
Në SHBA kanceri i gështenjës është quajtur me të drejtë “Një tragjedi amerikane”, dhe po aq tragjedi është edhe për gështenjat shqiptare dhe historinë e tyre shekullore.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular