3 nga gëzhojat e mbetura prej atentatit ndaj 42-vjeçarit Gentjan Bejtja u sollën mbrëmjen e sotme në studion e “Opinion”.
Gazetari Spartak Koka thotë se në vendin e ngjarjes ka ende gëzhoja, ashtu siç pretendojnë edhe familjarët e viktimës.
E gjitha kjo si dëshmi e një ekzekutimi brutal ndaj ish-policit të burgjeve në Larushkë të Fushë Krujës të Premten e shkuar.
-Këto janë gëzhojat e atentatit?
Spartak Koka: Njërin prej tyre e kishte babai i Gentjan Bejtjas, dy të tjerat i gjetëm gjatë intervistës me të dhe të afërmit e tjerë, teksa po kontrollonim në serë. 3 kemi gjetur ne, po ata pretendojnë se ka edhe plumba të tjerë. Pra gëzhoja të tjera që janë lënë në vendin e ngjarjes. Kjo tregon dinamikën, ashpërsinë dhe brutalitetin ndaj Genjtjan Bejtjas. Kësaj here ata s’kanë dashur të gabojnë.
Kujtojmë se Bejtja u ka shpëtuar 3 atentateve para këtij të fundit, i cili rezultoi fatal për të. Të 4 atentatet janë kryer në afërsi të banesës së tij. Ende nuk dihet se kush janë autorët, ndërsa dyshohet se i ndjeri kishte përplasje me persona të rrezikshëm të zonës si dhe kishte dijeni mbi shumë ngjarje kriminale./tvklan