Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është projekti i radhës i partneritetit publik-privat që po mbështet me financim nga sektori bankar vendas.
Banka Kombëtare Tregtare (BKT) po financon me një kredi prej 56 milionë eurosh shoqërinë Vlora International Airport, me qëllim investimin për ngritjen e atij që pritet të jetë aeroporti i dytë funksional në vend.
Kontratat e partneritetit publik privat mes qeverisë shqiptare dhe konsorciumit fitues për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës u lidh në prill të vitit 2021 dhe vlera e investimit e parashikuar në kontratë është rreth 103 milionë euro (pa TVSH). Por, kontrata parashikon garanci financiare në favor të investitorit nga qeveria shqiptare.
Në rast se të ardhurat minimale të parashikuara në planin e biznesit të operimit të aeroportit nuk realizohen, kompania koncesionare do të përfitojë një shumë që mund të arrijë deri në 138 milionë euro përgjatë 10 viteve pas fillimit të operimit të aeroportit.
Koncesioni u fitua nga një konsorcium i përbërë nga kompania Mabco Constructions SA, YDA Insaat Sanayi ve Ticaret dhe 2A Group. Por, në dhjetor 2022, Mabco Constructions SA bleu edhe 40% të aksioneve nga ortaku turk YDA Insaat Sanayi ve Ticaret. Pas blerjes së aksioneve që mbaheshin nga kompania turke, Mabco Constructions zotëron 98% të aksioneve në shoqëri. Mabco Constructions është një shoqëri e regjistruar në Zvicër, në pronësi të biznesmenit Kosovar Behgjet Pacolli, ndërsa pjesa e mbetur prej 2% të aksioneve mbahet nga 2A Group, kompani ndërtimi nga Kosova, në pronësi të biznesmenit Valon Ademi.
Kontrata parashikon që aeroporti të përfundojë këtë vit dhe të nisë operimin vitin e ardhshëm.
Aeroporti i Vlorës pritet të jetë më i madhi në Ballkan dhe pista e tij do të mundësojë operimin e avionëve të mëdhenj për fluturime ndërkontinentale. Megjithatë, ndërtimi i këtij aeroporti ka ngjallur shqetësime të mëdha të lidhura me impaktin mjedisor, sepse po ndërtohet në Novoselë të Vlorës, brenda sipërfaqes së zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë.
Në përgjithësi, deri tani projektet e mëdha të parneritetit-publik privat në infrastrukturën rrugore janë financuar nëpërmjet kredive të dhëna nga sektori bankar.
Tre banka tregtare shqiptare aktualisht po mbështesin me një kredi të përbashkët (sindikale) projektin e partneritetit publik-privat për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar. Kreditë sindikale përdoren nga bankat si një instrument për të ndarë rrezikun dhe për të financuar projekte të mëdha që, përndryshe, një bankë e vetme lokale nuk do të mund t’i financonte.
Banka Amerikane e Investimeve, Tirana Bank dhe Union Bank kanë financuar që nga tetori 2023 më shumë se 30 milionë euro me një kredi të përbashkët shoqërinë Dragobia Energy, në pronësi të Gener 2, subjekti kontraktor për ndërtimin e rrugës. Dragobia Energy do t’i përdorë fondet e kredisë si borxh për aksionerin e vet, me qëllim financimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar.
Në vitin 2021, Intesa Sanpaolo Bank Albania, OTP Albania dhe Tirana Bank financuan një kredi të përbashkët prej 26 milionë eurosh shoqërinë koncesionare që do të ndërtojë rrugën “Orikum-Llogara”.
Projekti më i rëndësishëm me financim publik i PPP-ve në ndërtimin e rrugëve është ai Rrugës së Arbrit, për një vlerë totale prej afërsisht 40 miliardë lekësh. Ky projekt është mbështetur me një kredi të konsiderueshme nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT).
Në gusht të vitit 2018, BKT miratoi një hua deri në vlerën e 9.5 miliardë lekëve te kompania “Gjoka 87”, kompania që po zbaton projektin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit përmes një kontrate PPP-je me qeverinë shqiptare. Kjo është kredia më e madhe e miratuar ndonjëherë nga një bankë tregtare në Shqipëri, megjithëse në fakt ajo nuk është disbursuar deri në vlerën maksimale të parashikuar.
Në vitin 2017, BKT gjithashtu ka miratuar gjithashtu një kredi prej 28.5 milionë euro te “Albania Highëay Concession”, kompania që po zbaton kontratën koncesionare të përfundimit dhe mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit.
Në rastin e PPP-ve, qeveria shqiptare nuk ofron garanci sovrane, ndaj bankat duhet ta marrë vetë përsipër rrezikun e kredisë. Në të gjitha rastet e mësipërme, garancitë kryesore e dhënë nga huamarrësit janë vendosja e barrës siguruese mbi aksionet e kompanive, llogaritë bankare të arkëtimit të të ardhurave nga këto shoqëri, pasuri të paluajtshme të huamarrësit, dorëzania e aksionerëve, etj. /Monitor