Slloveni Slavko Vinçiç do të gjykojë finalen e UEFA Champions League mes Borussias së Dortmundit dhe Real Madrid. Akti i fundit i turneut do të luhet në stadiumin Wembley në Londër sot në orën 21:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në Radio Televizionin Shqiptar.
44-vjeçari, një arbitër ndërkombëtar që nga viti 2010, do të gjykojë finalen e tij të dytë të kompeticionit UEFA për klube pas Europa League në vitin 2022, mes Eintracht Frankfurt dhe Rangers.
Këtë sezon ai ka arbitruar shtatë ndeshje në Champions League, duke përfshirë ndeshjen e dytë çerekfinale ndërmjet Dortmundit dhe Atlético Madrid, dhe ndeshjen e dytë të raundit të 1/8-ave mes Bayernit dhe Lazios. Slavko Vinçiç do të ndihmohet nga bashkatdhetarët e tij Tomaž Klančnik dhe Andraž Kovačič.