Nis aplikimi i tarifave të reja për furrat e bukës, Balluku-Karakaçi: Sistemi i ri garanton konkurrencë të drejtë

0
178

Me vendimin Nr. 72, datë 15.04.2024, të ERE-s, ka nisur zbatimi i tarifës së re për aktivitetin e furrave të bukës, prodhimit të miellit dhe pastiçerive, të lidhura në tension të ulët. Procesi po ndiqet nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), në bashkëpunim me Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), shoqëri bija të OSHEE Group Sh.A., me qëllim kategorizimin e drejtë të subjekteve, për shërbimin që ofrojnë dhe tarifën që duhet të paguajnë.

Sipas vendimit, tarifat e reja të konsumit të energjisë elektrike, që do të aplikohen nga data 1 maj, janë:

•        Aktivitete Furrë buke 7.6 lekë/kWh

•        Aktivitete Furrë buke – pastiçeri 9.5 lekë/kWh

•        Aktivitete Furrë buke – pasticeri – bar kafe 12 lekë/kWh

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherësh zv.kryeministre, znj. Belinda Balluku, e konsideron të drejtë dhe të nevojshëm sistemin e ri të tarifimit, pas një amullie disavjeçare, e cila krijoi kushte për abuzime dhe treg jo konkurrues, për një sektor, i cili vitet e fundit ka arritur zhvillime të mëdha.

I shoqëruar nga administratori i OSHEE Group, z. Enea Karakaçi, ministrja Balluku vizioi një nga subjektet e biznesit furrë buke-pastiçeri, në Tiranë, i cili ka të integruar dhe shërbimin bar-kafe. Sipas vendimit të ri, ky aktivitet tarifohet me 12 lekë, dhe jo më me dy fasha: 7.6 lekë për ambjentin furrë bukë dhe pjesa tjetër (pastiçeri-bar kafe) me 14 lekë.

Gjatë takimit me përfaqësuesit e biznesit dhe të shoqatës, ministrja Balluku theksoi se vendimi për kategorizimin e furnizimit me energji do të shmangë abuzimet në terren, të ardhura nga faturimi me 2 kontrata.

“Me vendimin e ri që kemi marrë në dakordësi me shoqatën e prodhimit të bukës dhe brumërave, për këtë subjekt biznesi, faturimi i energjisë për 2 kontratat së bashku do të jetë 12 lekë. Ju do të faturoheni me 9% më shumë, por shoqata juaj ka bërë një punë shumë të mire, pasi ata që përfitojnë nga ky vendim janë furrat e bukës, të cilat do të vijojnë paguajnë 7.6 lekë për kilovatorë. Për ne është shumë e rëndësishme që buka, produkt i shportës, të mos pësojë rritje të çmimit”, tha ministrja Balluku.

Për të shmangur abuzimet nga ana e kompanisë është ndërmarrë një reformë e thellë në FSHU, për moslejimin e fenomeneve që kanë cenuar marrëdhënien e besimit me klientin, theksoi numri dy i qeverisë. Sipas saj, abuzimi ka qenë nga të dyja anët: subjekt-OSHEE, por tashmë ky vendim i jepet fund asaj situate.

Administratori i OSHEE Group, Enea Karakaçi, theksoi se nuk ka patur ankesa lidhur me vendimin e marrë për kategorizimin e faturimit të energjisë elektrike.

“Më të fituarit sigurisht janë furrat e bukës, të cilat aktivitetin e tyre e kanë të fokusuar vetëm te prodhimi i bukës, dhe që do të faturohen me 7.6 lekë. Me vendimin e fundit ne garantojmë konkurrencë të drejtë në treg”, deklaroi administratori  OSHEE Group, i cili shpjegoi më tej fazat e zbatimit të procesit.

“Aktualisht jemi në fazën e kontrollit dhe verifikimit të aktivitetit në terren; deri më tani, procesi po ecën siç e kishim parashikuar. Në datat 5-10 qershor dalin faturat e muajit maj, që do të pasqyrojnë tarifat e reja. Ne do të kemi një fazë të dytë, trajtimin dhe sqarimin për cilindo subjekt që mund të ketë pretendime, ose paqartësi të vogla. OSHEE Group ka marrë të gjitha masat, që të mos ketë kosto shtesë.”, tha administratori i OSHEE Group.