Kalonin shqiptarë në Angli e Kanada përmes Spanjës, zbardhet skema se si funksiononte grupi kriminal! Gjendet laboratori për falsifikimin e dokumenteve

0
195

Prokuroria e Posaçme dje ka hedhur dritë mbi operacionin ndaj një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore, përmes falsifikimit të dokumenteve dhe vizave.

Përmes një deklarate, SPAK bën të ditur se janë caktuar masat e sigurisë për 31 persona të marrë nën hetim, mes të cilëve edhe një punonjës i Policisë së Shtetit. Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle, por edhe ato të Kosovës. Sipas njoftimit nga SPAK, ky grup kriminal, dyshohet se ndihmonte në kalimin e paligjshëm për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Kanada, nëpërmjet përdorimit të dokumentove të falsifikuara, udhëzimit të personave se si të sillen gjatë procesit të intervistave apo në aeroport.

Kështu gjithçka është mësuar pas një hetimi 2-vjeçar të përbashkët të SPAK dhe autoriteteve ato spanjolle u shkatërrua një grup kriminal i trafikut të qenieve njerëzore, që përmes falsifikimit dokumenteve kontrabandonin emigrantë të paligjshëm kryesisht drejt Mbretërisë e Bashkuar dhe Republikës së Irlandës. Vetëm ditët e fundit mbi 500 forca policie, përmes operacionit të koduar “Nomada”, ekzekutuan 26 masa arresti me burg nga 31 të firmosur nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK. Nga 5 personat që deri më tani i kanë shpëtuar prangave, 4 janë jashtë vendit ndërsa 1 tjetër brenda territorit, për të cilin po punohet për ta lokalizuar. Mes të arrestuarve, njëri prej tyre është efektiv policie. Përveç arresteve me burg GJKKO vendosi edhe 6 persona në arrest shtëpie, ndërsa për të njëjtin hetim më herët janë prangosur edhe 5 të tjerë. Një total prej 42 masash sigurie në Shqipëri, ndërsa në Spanjë sipas deklaratës së drejtorit të përgjithshëm të policisë u kapën 35 persona

SKEMA E GRUPIT KRIMINAL

Pas deklaratës së Prokurorisë së Posaçme ishte edhe Drejtori i policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili doli në një konferencë për median për të dhënë detajet e operacionit si dhe për të zbardhur edhe skemën.

“Këta persona, pas hetimeve me partnerët, rezultuan se falsifikonin dokumentet e udhëtimit, kryesisht për në BE, pasaporta, karta identiteti, leje drejtimi automjeti, karta shëndeti dhe karta banke.

Këto dokumente false, përdoreshin në një shkallë të gjerë, për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve, për të lehtësuar udhëtimin e shqiptarëve të parregullt drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, por jo vetëm. Udhëtimet kryesisht bëheshin drejt aeroporteve spanjolle, konkretisht Majorka, Madrid, Barcelonë dhe Alikante.

Shqiptarët largoheshin nga Shqipëria me pasaportat e tyre origjinale brenda zonës “Schengen” në BE, ndërsa dokumentet false për të shkuar drejt Britanisë së Madhe dhe Irlandës, u dërgoheshin me postë në hotelet ku qëndronin në Spanjë. Nga veprimet operative, gjurmuese dhe hetimore rezulton se, subjektet kryesorë kryenin aktivitetin e jashtëligjshëm të falsifikimit të dokumenteve të udhëtimit, kryesisht dokumenteve të BE-së, ku përfshihen pasaporta, karta identiteti, leje drejtimi automjeti, karta shëndeti dhe karta banke. Këto dokumente të falsifikuara, përdoreshin në një shkallë të gjerë, për dhënien ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve, për të lehtësuar udhëtimin e migrantëve të parregullt shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, por jo vetëm.

Këto udhëtime kryesisht realizoheshin drejt aeroporteve spanjolle, veçanërisht atyre në Majorka, Madrid, Barcelona dhe Alikante. Nga hetimi me metoda speciale rezultoi se, shtetasit shqiptarë largoheshin nga Shqipëria me pasaportat e tyre origjinale shqiptare për në vendet e BE-së, brenda zonës “Schengen”. Dokumentet e falsifikuara u dërgoheshin më pas me postë në hotelet ku qëndronin në Spanjë ose në adresa rezidenciale”-tha Rrumbullaku.

Operacioni që u zhvillua ditën e djeshme, 7 qershor 2024 u koordinua edhe me homologët në Itali e Kosovë, ndërsa u bastisën banesa në Tiranë, Durrës, Shkodër, Berat, Kukës dhe Shijak, ku u sekuestruan me dhjetëra materiale, përfshirë edhe para cash dhe kompjuterë për transferta BITCOIN. Janë sekuestruar 7 automjete; 1 laborator për falsifikimin e dokumenteve; 25 mijë euro; 20 mijë paund; 10 pasaporta italiane, greke, sllovene e karta identiteti të huaja; 1 armë gjahu; 10 laptopë; 15 kompjuterë e printerë që shërbenin për shitje dhe transferta monedha virtuale – BITCOIN; sasi lëndësh narkotike; 47 aparate celulare; 1 aparat luminator; bizhuteri dhe varëse floriri me vlerë të konsiderueshme dhe 120 kontrata noteriale shitblerje pronash të paluajtshme dhe automjetesh.

OPERACIONI ‘NOMADA’

GJKKO me kërkesë të SPAK firmosi masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për 31 shtetas për kryerjen e veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”.

Veprimet operacionale u koordinuan me profesionalizëm edhe me homologët tanë në Itali e Kosovë, ndërsa për realizimin e operacionit në Shqipëri u angazhuan rreth 500 forca policore në disa qytete, si Tiranë, Durrës, Shkodër, Berat, Kukës dhe Shijak.