Prof. dr. Fatmir Terziu
POZITIVITETI, NGA PËRDITËSIA TEK LIBRI, MODELI STIMULUES PËR BREZAT – Komunikimi i drejtpërdrejtë, si i tillë në këtë libër, me “të vërtetën përfundimtare” dhe zbatimi i saj joinstitucional, por i drejtpërdrejtë, pa sanksionimin e kontratës sociale, në fakt çon në mimikën e vetë shoqërisë në një lidhje të re, të thjeshtë shoqërore, por të mprehur mirë e qartë, me përkushtim human nga Halil Rama, në këtë libër të ri me përmbledhje shkrimesh të shkruara me zemër, ku ndjehet edhe progresivizmi modern
Një nga mënyrat e ndërtimit të një libri me shkrime të përditësisë dhe përkushtimit ndaj personave, aktiviteteve, vlerave dhe mjaft të tjera nga këto është dhe libri më i ri “Zëra bashkëkohorë”, i shkrimtarit, publicistit dhe gazetarit Halil Rama – “Mjeshtër i Madh”, botim ï Shtëpisë Botuese prestigjioze “NACIONAL. Në këtë liber del në pah pena e mprehtë e vëzhgimit dhe seleksionimit diskursiv të H. Ramës, ku ravijëzohet e sotmja tek shoqëria dhe e nesërmja tek post – shoqëria.
Në fakt është shoqëria që ne pikëtakojmë dhe vëzhgojmë dhe post – shoqëria si një diktat i demokracisë. Në këtë kontekst nënkuptojmë se ne jetojmë me ndjenjën e një bote të mbushur me një shumëllojshmëri të paimagjinueshme mundësish për përsëritje, në një botë të konceptuar si joreale, virtuale dhe për rrjedhojë ndoshta ideale. Të rrethuar nga kriza e përhapur e kuptimit, duke empatizuar përvojën dhe jetën e dikujt tjetër përmes mediave sociale, ne planifikojmë që nëse asgjë nuk është reale, atëherë gjithçka është e mundur. Dehjen e vetëkënaqësisë dixhitale, duke na kthyer nga konsumatorë të thjeshtë me mendje hedoniste në pazare për pronarët e koorporatave të dualitetit, ne e sigurojmë me shumë dëshirë lirisht, me idenë e vetme për ndjekjen më të shpejtë dhe të papenguar të kënaqësisë kalimtare në hapësirën dixhitale.
Të gjitha, sipas shënimeve të Halil Ramës rrëfehen se vijnë dhe sillen si diskurse më vete nga pëlqimi ynë, informacioni juaj, dhe kështu ai i parathotë lexuesit si autor, që të gjitha këto vijnë nga angazhimi juaj, nga heshtja juaj, nga veprimi juaj, pra edhe nga ju vetë. Jo më kot Karl Sagan shprehet: “Nëse do të jetonim në një planet ku asgjë nuk ka ndryshuar, nuk do të kishte nevojë të bënim asgjë. Nuk do të kishte asgjë për të menduar. Nuk do të kishte impuls për asgjë. Nëse do të jetonim në një botë krejtësisht të paparashikueshme ku gjërat ndryshojnë rastësisht, ose në mënyra tepër të ndërlikuara, ne nuk do të ishim në gjendje t’i kuptonim ato”.
Dhe kështu nënkuptojmë se tërësia e figurave që krijohet nga realiteti dhe mesazhet që përcillen, si në rastin e mesazheve optimiste nga dy ish-presidentët e Shqipërisë dhe Kosovës, Moisiu dhe Sejdiu, kushtuar Kosovës, ne jetojmë mes modernitetit dhe mërzisë dixhitale. Moderniteti në fakt, na siguron pjesë të mëdha të mërzisë dixhitale, me të cilën jemi të detyruar të përballemi çdo ditë, duke qenë vazhdimisht vigjilentë në ndërtimin e profilit të vet pozitiv dhe pozitivizues, me shpresën se ai do të pranohet edhe nga të tjerët si një i jonë identitet i vërtetë i ri, dixhital.
Edhe pse shpesh jo aq të shkolluar digjitalisht në kohët moderne. Duke i besuar tepër teknologjisë, ne e fuqizojmë atë, duke u bërë sipas dëshirës një pjesë integrale e qytetërimit të vetëdijes së kolonizuar. Ne përpiqemi të realizojmë përvojën tonë sociale të dixhitalizuar si kapital vetëperceptimi i vetë-mjaftueshmërisë, përmes prodhimit dhe shkëmbimit të vazhdueshëm të përvojave sociale, që në të vërtetë përfaqëson dogmatizmin modern injorant, mendjengushtë të ngritur në një kult.
Me këtë rast H.Rama shkëput formatin e realitetit nga ajo që i përcillet dixhitalitetit, dhe seleksionon “rolin e dy presidentëve Moisiu e Sejdiu si ndërtues urash të komunikimit për paqen midis popujve”, gjë që e bën edhe Pëllumb Xhufi, apo dhe media në funksion të kësaj që cituam më lart, pa rënë në kurthin e deformimit të demokracive mediatike.
Dhe çfarë na siguron kurthin e demokracive mediatike me të meta, në të cilat ëndërrojmë se kemi siguruar rëndësinë dhe një vend në përjetësinë dixhitale? Sidomos përshtatja pa dhimbje me “normalen e re”, me shoqërinë e lidhshmërisë sociale. Dhe a do të çojë tendenca e kufizimeve të reja, të shumëllojshme dhe të ndryshme ndaj njerëzve në botën reale në “migrimin” e tyre drejt virtuales, diçka si “turma organizuese” moderne?
Me siguri simbolet, mesazhet, autoritetet, rregulloret, ligjet, reputacioni dhe pushteti do të detyrohen t’i nënshtrohen përshtatjes së shpejtë të perceptimeve të reja në mënyrë që të kuptohen. E kur bëhet fjalë për autoritetet dhe reputacionin, jo më kot Rama thekson se “Federata e Paqes Universale Shqipëri, e përzgjodhi Prof. Dr. Sali Kurtin”, “Mjeshtër i Madh” dhe “Qyetar Nderi” i Matit, ndër gjashtë mijë e pesëqind ambasadorët për paqe të Shqipërisë dhe Kosovës, për ta vlerësuar me titullin “Personaliteti i vitit”, titull ky që aplikohet për herë të parë nga ky institucion prestigjioz ndërkombëtar, ku ndodheshin edhe ish-presidentët Moisiu e Sejdiu”.
Realiteti i pafalsifikueshëm në të cilin jemi zhytur, duke sunduar në dekadën e dytë të shekullit të 21-të, na siguron një plejadë përcaktuese të fenomeneve unike shoqërore. Sepse nëse në fillim ishte korrektësia politike, atëherë filluan të viheshin në pikëpyetje strukturat hierarkike të qeverisjes, të shtetësisë, të komunitetit dhe të marrëdhënieve familjare, ideologjia gjinore, të drejtat e të padrejtëve, barazia dhe uniformiteti u ritreguan në mënyrë të modernizuar dhe konjukturale. Bota e re e guximshme, perms normales së re të imponuar, filloi të kënaqë me forcë dhe me pretendime pasionet e reja me sfida e goditje të përhershme kundër pushtetarëve, por gjithnjë duke kërkuar të reja, duke copëtuar dhe shkëputur lidhjet shoqërore. Voyeurët i quajtëm ndjekës, ekzibicionim – influencues, duke krijuar një jetë të përditshme mosveprimi, për të cilën autori shkon te figurat, personalitetet, si dhe të thënat e të pathënat e tyre në lidhje me jetën dhe famijen, në lidhje me gëzimin dhe hidhërimin bashkëshoqërues të jetës, si në rastin e Luna Methasanit, që zbuloi shumë të panjohura për gazetarin e mirënjohur Defrim Methasani, apo dhe për faktorin “bilbil” të këngës popullore dibrane Liri Rasha, që me koncertin recital “Kënga ime”, u qas para publikut jo vetëm si mbretëresha e këngës popullore dhe qytetare dibrane, por e prezantoi biografinë e saj krijuese, edhe si këngëtare e shumëtalentuar, edhe si kantautore, me repertorin e saj mjaft të pasur.
Në thellësi të shkrimeve të përditësisë së H.Ramës, dhe atyre që futen në këtë libër, ndjejmë se përpjekjet kulturore dhe ideologjike kanë filluar të përparojnë brenda vetë strukturës së demokracisë.
Analiza kritike e diskursit neoliberal tashmë kërkon edhe një formatim të tillë të lirisë së përzgjedhjes dhe seleksionimit në përgjigje të pyetjes se “Kush është arbitri i sotëm i marrëdhënieve me publikun?”. Kjo natyrshëm vjen në një kënd tjetër diskursiv ku lexuesi është i lirë të gjej veten edhe duke lexuar në këtë libër për nderimin që i bëhet avokat Baftjar Rusit, për Mbretëreshën e skenës dhe ekranit Margarita Xhepa, që mban titujt “Artiste e Popullit”, “Nderi i Kombit”, dhe Urdhri i Lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ndërsa festoi me madhështi 90 vjetorin e lindjes, për Prof. dr. Bujar Kapexhiu, “Nderi i Kombit”, që më 22 Mars festoi 80 – vjetorin e ditëlindjes, për zonjën Nadire Karadaku, si bashkëpunëtorja më e denjë, redaktorja dhe botuesja e dhjetëra librave të bashkëshortit të saj, shkrimtarit të mirënjohur Shefki Karadaku, apo dhe në formatet artistike të kritikës si tek romani “Sagë Mbretërore” i Shefki Karadakut, të romanit “Dhjetë gramë nder” të Namik Dokles, apo tek kriza e leximit në romanin “Dimri i librave” të Bashkim Hoxhës, tek letërsia ndryshe e poetes dhe kritikes Emmy Krosi, për vëllimin me poezi të Perikli Shulit, për Prof. Dr. Hajri Shehun, legjendat e Gorës në librin e N. Dokles, për tre librat e Dilaver Kurtit, për atë që autori e quan rezistenca në burgjet fashiste të Italisë, kontributi në njësitet guerile e formacionet partizane dhe burgosja nga diktatura e dy vëllezërve të familjes Keçi, “Stomatologjia në Shqipëri nga lashtësia deri në ditët tona”, (vështrimi analitik historik i shërbimit stomatologjik, vepër me vlera shkencore) e Prof. As. Dr. Nazmi Koçit, për studimin e Dr. Manushaqe Shehu, e mjaft të tjera që sjellin komunikimin e drejtëpërdrejtë me të vërtetën përfundimtare.
Komunikimi i drejtpërdrejtë, si i tillë në këtë libër, me “të vërtetën përfundimtare” dhe zbatimi i saj joinstitucional, por i drejtpërdrejtë, pa sanksionimin e kontratës sociale, në fakt çon në mimikën e vetë shoqërisë në një lidhje të re, të thjeshtë shoqërore, por të mprehur mirë e qartë, me përkushtim human nga Halil Rama në këtë libër të ri me përmbledhje shkrimesh të shkruara me zemër, ku ndjehet edhe progresivizmi modern.
Nga ana tjetër, në këtë libër dhe në këto shkrime kuptohet sesi progresivizmi modern, individualizmi ekspresiv, censura totale, “normalja e re” dhe drejtësitë sociale po promovojnë një dogmë krejtësisht të re dhe po përcaktojnë një zhvillim të afërt të normave etike konservatore kulturore.
Në botën e shkrimeve të tilla, liria e shprehjes është bërë e pranueshme nga pikëpamja shoqërore për të gjithë, diçka, madje edhe për çdo gjë, ndaj ky është edhe një individualizëm modern, por edhe një kërkim individual për vetëvendosjen e qartë të identitetit, në veçanti, të atij që në fillim qaset në formatin dixhital, e pastaj përblidhet në libër, sikurse ndodh me këtë rast. Dhe kjo, nga ana tjetër, po bëhet gjithnjë e më shumë një shënues për shfaqjen e një lloj kërkese të re, të kërkesës së thjeshtë, të qasjes përtej hapësirës së zakonshme.
Ndaj mendoj se autori duke u përballur me mundësinë për të përfaqësuar personalisht progresin si kurrë më parë, të siguruar me lavdinë e pionierëve të përkushtimit në fusha të ndryshme, po tregon se po bëhet gjithnjë e më i pavarur nga krijimet e ndryshme, të krijuara për të mbështetur ekzistencën tonë, por edhe në fakt duke u bërë vetë ekzistenca jonë. Kështu, me zell dhe këmbëngulje të veçantë, autori i delegohet realitetit, duke e kthyer utopinë dhe panjohjen në botë të hapur dixhitale dhe në një libër të ëndrrave për një distopi të socializuar në dobi të shoqërisë, brezave dhe stimulimit aktiv mes përvojave. Në fillim kjo pra duke ndjekur kompjuterin para syve dhe më pas në formatimin e librit, sepse, siç tha një nga gjenitë e paktë të njohur të kohëve moderne, Stephen Hauking: “Pa superkompjuterët, ne do të ishim vetëm filozofë”.