Basha: Nuk do të pajtohemi me paligjshmërinë, shqiptarët do të kenë alternativën që presin në zgjedhjet e ardhshme

0
130

Basha: Nuk do të pajtohemi me paligjshmërinë, shqiptarët do të kenë alternativën që presin në zgjedhjet e ardhshme

Pas mbledhjes me Kryesinë dhe Kolegjin e Kryetarëve, Lulzim Basha ka shpalosur qëndrimet e maturuara në më shumë se 3 orë mbledhje nga këto dy organe kolegjale. Në një prononcim për mediat, Lulzim Basha, deklaroi se PD do të bëjë rekurs sepse e konsideron jo të ligjshëm vendimin e apelit. Ndërkohë Basha vijoi duke siguruar se demokratët nuk do të tërhiqen dhe se shqiptarët do të kenë alternativën që presin në zgjedhjet e ardhshme.

PRONONCIMI I PLOTË I LULZIM BASHËS PËR MEDIAT

Lulzim Basha: Pas mbledhjes së përbashkët të Kryesisë dhe të Kolegjittë Kryetarëve është që do bëjmë rekurs në drejtësi, në Gjykatën e Lartë, për të mos lejuar që në këtë vend të triumfojë padrejtësia. Në çdo rast ne do të jemi në zgjedhje. Shqiptarëve do t’u japim alternativën. Përpjekja për të zhbërë alternativën që ne paraqsim si program, si ekip, si bashkim vlerash me të cilat është themeluar Partia Demokratike, do të dështojë. Përpjekja e Edi Ramës për të reduktuar debatin që do të vendos se si do të qeveriset vendi në 4 vitet e ardhshme në pyetjen se kush është më pak i korruptuar Edi Rama, apo Sali Berisha, kjo përpjekje do të dështojë. Shqiptarët do të kenë alternativën e tyre, sepse shqiptarët meritojnë më shumë dhe me alternativën tonë do të kenë më shumë. Ky është qëndrimi ynë.
Rekursi bëhet sepse është bindja e thellë edhe profesionale juridike edhe e të gjithë përfaqësuesve tanë që vendimi i 11 qershorit është një vendim jo thjesht i padrejtë, por një vendim tërësisht i padrejt dhe i pabazuar. Sigurisht do të presim zbardhjen e vendimit dhe do të bëjmë recurs në drejtësi për të mos lejuar që në këtë vend të triumfojë padrejtësia. Në çdo rast shqiptarët do të kenë alternativën e tyre dhe ne do të jemi në zgjedhje.

Pyetje: Zoti Basha si është emri i partisë tuaj të re?

Lulzim Basha: Jo nuk kemi marrë akoma një vendim të tillë, sepse ne besojmë dhe do të kërkojmë që Partia Demokratike e Shqipërisë të kthehet aty ku duhet të jetë dhe vend ii Partisë Demokratike të Shqipërisë është tek vlerat në të cilat ka lindur. Nuk mundet që Partia Demokratike e Shqipërisë të jetë kundër luftës ndaj korrupsionit, nuk mundet që Partia Demokratike e Shqipërisë të jetë kundër SPAK-ut, nuk mundet që Partia Demokratike e Shqipërisë të jetë kundër aleatëve tanë strategjik që mundësuan rrëzimin e komunizmit, pavarësimin e Kosovës dhe futjen e Shqipërisë në NATO. Ndaj, beteja jonë e parë, jam fare i qartë përmes rekursit do të jetë që PD t’iu kthehet idealeve të demokratëve dhe t’iu kthehet demokratëve për të bërë një betejë të vërtetë me Edi Ramën, jo një betejë fallco. Është e qartë që zoti Berisha nuk është zgjidhja për të larguar Edi Ramën, në fakt është aseti i vetëm i Edi Ramës në zgjedhjet e ardhshme.

Pyetje: Si do hyni në zgjedhje në 2025-ën?

Lulzim Basha: Siç ju thash, qëndrimi ynë sot është që përmes një rekursi të kërkojmë që Partia Demokratike të kthehet tek demokratët, të kthehet tek vlerat. Në çdo rast alternative jonë do jetë në zgjedhje.

Pyetje: Në parlament, një ditë më parë ke deklaruar që ishte një vendim që tregonte që drejtësia është e kapur nga Edi Rama dhe që bashkëpunonte me zotin Berisha.

Lulzim Basha: Së pari, ne nuk i përkasim kulturës politike dhe shkollës që lehin pas çdo vendimi, apo për sulme gjuhësore ndaj autorëve të këtij vendimi. Por ne jemi një parti që kemi thënë prej fillimit se duam drejtësi. Dhe derisa rekursi në drejtësi qartësisht është i mundur, do të ishte fatale për ne për ndjekësit tanë në qoftë se ky recurs në drejtësi nuk shfrytëzohet plotësisht edhe sikur asgjë tjetër, për të mos lejuar që në këtë vend padrejtësia të bëhet normë. Por, përtej kësaj. Sepse ky është një debat i vogël që do të na mbajë të ngërthyer në këtë suazë, është pikërisht aty ku na do Edi Rama, debat vule e logo. Ne nuk jemi këtu as për vula, as për logo as për karrige. Ne jemi sepse besojmë që shqiptarët meritojnë shumë më shumë. Ne jemi sepse besojmë që Shqipëria meriton më shumë dhe ne kemi një alternativë për të dhënë më shumë sesa ky debat mjeran ku është mbërthyer vendi, për shkak të kulisave dhe makinacioneve dhe bashkëpunimit të njërit që do të mbajë pushtetin duke nxjerr Sali Berishën për të mbledhur vota dhe tjetritb që mjaftohet me njohjen formale si kryetar i Partisë Demokratike, kur e di dhe vet që nuk është zgjidhje dhe nuk do të mund kurrë të çojë në atë synim që kërkon shumica e shqiptare, që është largimi i kësaj qeverie, largimi i këtij kryeministri dhe një alternativë për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Pyetje: Drejtësia për ju është drejtësi vetëm nëse i kalon logon dhe vulën e PD grupimit tuaj?

Lulzim Basha: Ne besojmë se ligji është i qartë dhe besojmë se ligji është shkelur. Nuk jemi ne ata që kemi vendosur, është Gjykata e Apelit që ka vendosur, nuk e kemi komentuar vendimin, por vendimi do të ankimohet.

Pyetje: Zoti Basha, ne ndoshta këmbëngulim për një aspekt që ndoshta është teknik. Është e vështirë që të kemi një vendim të formës së prerë deri në mars kur regjistrohen partitë, ju thoni që do garoni. Ne po ju pyesim a do të ketë një emër të ri partia? Për këtë arsye këmbëngulim.

Lulzim Basha: Është fare e qartë ajo që po them, të gjitha opsionet dhe mundësitë që jep kodi zgjedhor janë në tavolinë, shpresa jonë, urimi ynë është që alternative jonë që nuk merret me cic micet ku do ta fus dhe do ta mbajë Edi Rama debatin publik, po nuk merret me hallet dhe problemet e shqiptarëve, të garojë me logon e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Nëse kjo na pamundësohet, sigurisht që çdo opsion tjetër i kodit zgjedhor. Sepse siç ua thash ne në çdo rast do të jemi në zgjedhje, alternative që duan ta fshijnë dhe nuk duan që të jetë oara shqiptarëve, po duan prap tangon e vjetër, alternativa do të jetë aty dhe shqiptarët do të kenë mundësinë të zgjedhin.

Pyetje: A jeni duke bërë të njëjtin qëndrim sikur ka mbajtur edhe Berisha në momentin kur vula e PD ngeli tek ju? Ndërkohë që qëndrimettuaja janë në mbështetje të drejtësisë dhe qëndrimet e Berishës janë të qarta, e ka sulmuar drejtësinë. A nuk jeni duke bërë të njëjtën gjë?

Lulzim Basha: Aspak, siç e thatë dhe vet, qëndrimet nuk mund të ishin më të kundërta.

Pyetje: Zoti Basha, thatë që nuk po vuani as për logo as për vulë dhe as për karrige. Po pse po merrni këtë hap për të përçarë e opozitarëve për krijimin e një fronti të ri ku dashur padashur votat e demokratëve do të përçani dhe Edi Rama do të jetë përfituesi nëse ju do të garoni edhe pa vulë dhe pa logo?

Lulzim Basha: E para e punës përçarja e demokratëve nuk është dhe as nuk ka qenë kurrë produkt i vendimeve tona, pork a qenë produkt i një njeriu që vendosi interesin e tij mbi interesin e demokratëve, ndonëse u zotua publikisht që nuk do të ishte kështu. Nuk ka demokrat, madje as vet Sali Berisha ta besojë se ai do të mund Edi Ramën në zgjedhjet e ardhshme. Sigurisht nëse ai reflekton, kjo do të ndryshojë gjithçka. Por në mungesë të reflektimit të tij gjatë gjithë kësaj kohe dhe në skenarin krejtësisht të pabesueshëm që do të reflektojë pas 11 qershorit, qëndrimi ynë është i qartë, jo për karrige, jo për vulë, jo për logo, por për t’i mos i mohuar shqiptarëve alternativën. Ata duan që Shqipëria të mbetet kështu, pa alternativë, o njëri o tjetri. Debati të jetë kush është më pak i korruptuar. Dihet fare mirë Edi Rama e ka bërë të gjithën këtë që përballë të ketë Sali Berishën i cili në asnjë skenar nuk arrin dot të mund dhe të largojë Edi Ramën. Sigurisht alternative jonë është platforma më e mirë për të bashkuar jo vetëm demokratët, por të gjithë shqiptarët që duan ndryshim. Duam t’i bashkojmë nën logon e Partisë Demokratike dhe kjo është arsyeja pse nuk ngurrojmë të kërkojmë drejtësi aty ku mendojmë se është për drejtësi.

Pyetje: Dy deputet janë larguar tashmë nga ju?

Lulzim Basha: Jo, interpretimet e juaja i bëni ju. Ne sot jemi këtu ku jemi me të njëjtat vlera dhe parime me të cilat e kemi nisur këtë rrugëtim dhe besojmë. Të gjithë ata që besojnë se vendit i duhet një alternativë dhe që ndajnë e bashkëndajnë vlerat tona themelore mes të cilave është lufta kundër korrupsionit, fundi i pandëshkueshmërisë, mbështetja pa kushte për SPAK-un dhe të tjera që ne kemi shpalosur në programin tonë tashmë, që nga mbështetja për familjet shqiptare, tek taksa e sheshtë dhe mbështetja për ekonominë shqiptare, e deri tek qëndrimet tona për sigurinë kombëtare dhe për rendin publik, të gjithë ata do t’i kenë dyert e hapura. Kjo alternativë nuk do t’i mohohet shqiptarëve, ne do të jemi në zgjedhje dhe shqiptarët do të kenë mundësi të zgjedhin alternativën tonë.

Pyetje: Zoti Basha, e keni lexuar mesazhin e SHBA ditën e sotme përmes reagimit të ambasadës dhe a keni pasur këto dy ditë komunikime me ndërkombëtarët?

Lulzim Basha: Komunikimet e mia me ndërkombëtarët janë të pareshtura dhe intensive padiskutim edhe këto ditë. Dhe pyetrjen nëse e kam lexuar mesazhin, po e kam lexuar, siç e ka lexuar çdo shqiptar, siç e ka lexuar çdo demokrat. Pyetja është çfarë do të bëjmë me mesazhin ata që kanë në dorë ta çlirojnë energjinë opozitare të bashkohet kundër kësaj qeverie, apo ta frenojnë apo ta coptojnë për interesat e tyre personale.

Pyetje: Ju thatë që asnjë skenar nuk e bën Sali Berishën fitues përball Edi Ramës. Dini ndonjë skenar që juve ju bën fitues përball Edi Ramës edhe në këtë situatë të sotme?

Lulzim Basha: Skenari për të larguar Edi Ramën është skenari i një alternative që përfaqëson dhe përqafohet nga shumica e shqiptarëve që duan ndryshim. Kjo shumicë e shqiptarëve që duan ndryshim, duan të shohin në ekipin e alternativës dhe në programinn e alternativës zgjidhjet për problemet dhe hallet që u ka shkaktuar kjo qeverisje. Së pari duhet të kthejmë debatin këtu, sepse ka 3 vite që debate është marrë peng nga diskutimet e vulës, të logos, të këtij e të atij me qëllim. Është një debat i shërbyer nga qeveria. Ne do të vazhdojmë të veprojmë ashtu siç kemi vepruar deri tani, Në terren me njerëzit dit për ditë, javë për javë duke shpalosur alternativën tonë. Nuk ka pikë rëndësie se si kjo alternativë do t’i paraqitet me çfarë ngjyrash dhe çfarë logosh do t’i paraqitet qytetarëve, unë i garantoj qytetarët shqiptarë që kjo alternativë do të jetë para tyre dhe ata do të mund të zgjedhin. Sigurisht personalisht preferoj që t’i paraqitet me logon dhe ngjyrat e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Pyetje: Zoti Basha, teksa kaloni kohën duke çuar rekursin në Gjykatën e Lartë, e keni marrë parsysh kur keni vendosur ditën e sotme për recurs në gjykatën e lartë që mund të ketë edhe rrjedhje të anëtarëve apo të mbështetësve tuaj në drejtim të grupimit tjetër? E keni kalkuluar edhe këtë pikë kur morët vendimin bashkë me ata që janë pas jush sot?

Lulzim Basha: E para e punës nuk do të harxhojmë asnjë kohë me rekursin sepse rekursin nuk do ta bëj unë, do ta bëjnë juristët. E dyta e gjithë energjia jonë do të përqendrohet te ata qindra mijëra qytetarë që duan ndryshim. Llogaritë e vogla, erdhi ky, iku ai për karrigen e vet, për fatin e vet, le t’i bëjnë ata që janë mjeshtra të llogarive të vogla. Ne jemi këtu jo për karrige, jo për logo, jo për vulë, por sepse shqiptarët dëshpërimisht meritojnë më shumë, meritojnë ndryshim dhe me alternativën tonë ne jemi të vendosur t’ua ofrojmë këtë ndryshim. Ju faleminderit!