Zgjedhjet e pjesshme në Himarë/ Partitë, 9 ditë fushatë! Ja afati kur duhet të regjistrohen kandidatët

0
175

Më datën 4 gusht do të mbahen zgjedhjet e pjesshme për bashkinë e Himarës, ndërsa KQZ pritet të miratojë  projektvendimin që lidhet me afatet për fushatën dhe regjistrimin e kandidatit.

Sipas projektvendimit, fushata nis më 26 korrik dhe partitë politike do të kenë 9 ditë kohë për të shpalosur programet politike.

“Fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë është parashikuar të fillojë më datë 26 korrik 2024, duke u garantuar kohë të mjaftueshme subjekteve zgjedhore për të shpalosur programet e tyre. Referuar nenit 77 të Kodit Zgjedhor, fushata zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve. Duke qenë se afati 30 ditor nga dekretimi i zgjedhjeve është shumë i ngushtë, kohëzgjatja e fushatës zgjedhore prej 9 ditësh kushtëzohet nga afati i krijimit të KZAZ-ve, regjistrimit të subjekteve zgjedhore, komiteteve nismëtare, koalicioneve dhe kandidatëve”, thuhet ne projektvendim.

Ndërkohë kërkesa për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkinë Himarë duhet të paraqitet në KQZ nga partitë politike, jo më vonë se data 15 korrik 2024.

“KQZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga dorëzimi. Partitë politike paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga kthimi për plotësim. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga ridërgimi i dokumentacionit. 2. Në të njëjtën datë, 15 Korrik, paraqesin në KZAZ kërkesën për regjistrim për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkinë Himarë, edhe Komitetet Nismëtare. 3. Koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin në KQZ, kërkesën për regjistrimin si koalicion për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Himarë jo më vonë se data 19 korrik 2024. 4. Dokumentet e kandidimit paraqiten në KZAZ, jo më vonë se data 22 korrik 2024. KZAZ-ja bën verifikimin e tyre, jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga paraqitja, dhe në rast se vëren parregullsi, i kthen për plotësim. Dokumentet e plotësuara duhet të riparaqiten jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë. KZAZ-ja merr vendim jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga riparaqitja e tyre”,sqarohet në projektvendim

Kujtojmë që Partia Socialiste zyrtarizoi sot prefektin Vangjel Tavo si kandidaturën me të cilën do të garojë për zgjedhjet në Himarë, ndërsa Partia Demokratike ende nuk e ka publik një emër.