BallinaIntervista“Reforma në drejtësi është e pakthyeshme, luftë jetike kundër korrupsionit”, Wisner flet...

“Reforma në drejtësi është e pakthyeshme, luftë jetike kundër korrupsionit”, Wisner flet për përparësitë e SHBA: NATO mbron çdo centimetër territor të anëtarëve

ALEKSANDËR ÇIPA/ I Ngarkuari i SHBA-ve me Punë në Republikën e Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, zoti David Wisner, zgjedh të shprehet ekskluzivisht për gazeta Panorama për raportin e vendit tonë me aleancën më të madhe ushtarako politike në botë, NATO-n dhe raportet bilaterale mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.

Sipas z. Wisner, përparësitë e interesimit amerikan në Shqipëri përfshijnë mbështetjen për demokracinë, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe zbatimin e pakthyeshëm të reformës në drejtësi. Në mënyrë të theksuar, diplomati i rëndësishëm amerikan në Shqipëri vlerëson raportet e vendit tonë me NATO-n dhe rithekson garancinë amerikane për respektimin e Nenit 5 të NATO-s për çdo vend të Aleancës. Z.Wisner njofton njëherësh se cili do të jetë zëvendësi i tij, që vjen nga një përvojë diplomatike në Ukrainë, Armeni, Rusi etj…, ndërkohë që pritet kalimin në Senat i të emëruarit të ri, ambasadorit David Kostelancik.

Z. Wisner, jeni duke mbyllur mandatin tuaj në Shqipëri. Si ka qenë?

David Wisner: Ka qenë një vit i jashtëzakonshëm, i mbushur me punë të rëndësishme, udhëtime të paharrueshme në vendin tuaj të bukur nga veriu në jug, me kujtime ushqimesh thjesht të shkëlqyera dhe mbi të gjitha, ka shumë miqësi të reja. Patëm krenarinë të mirëprisnim Sekretarin Blinken në muajin shkurt për të ndërtuar më tej mbi partneritetet tona në fushat e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit. Jemi krenarë të mbështesim reformën në drejtësi të Shqipërisë, e cila sapo festoi tetë vite nga miratimi në Parlament. Vazhdojmë të shohim institucionet e drejtësisë teksa bëhen më të e afta, më të pavarura, madje edhe më llogaridhënëse. Jemi krenarë që jemi partnerë të Shqipërisë në këtë përpjekje, që është jetike për demokracinë e saj dhe eventualisht për vendin e saj në BE. Kemi parë të rriten lidhjet tona në fushën e mbrojtjes si nga pikëpamja dypalëshe, ashtu edhe në kuptimin e partneritetit tonë si aleatë në NATO. Si dhe vazhdojmë të bëjmë përparim për të përforcuar lidhjet e biznesit dhe për të sjellë më shumë investime në të dyja vendet – kompani të mëdha amerikane po shqyrtojnë investime të reja këtu dhe shpresojmë që do të realizohen së shpejti. Për ta përmbledhur, ka qenë një privilegj i vërtetë që të mund të ndihmoja për të çuar më tej partneritetin e shkëlqyer që ekziston mes nesh.

Një gjë për të cilën ju dhe ambasada juaj keni folur shpesh është NATO dhe kohët e fundit për samitin e NATO-s. Si e shpjegoni këtë?

David Wisner: Në thelb, siguria është një shqetësim kyç për çdo qenie njerëzore. Çdo shqiptar do që të jetë i sigurt, do që familja e vet të jetë e sigurt, do që e ardhmja e fëmijëve të vet të jetë e sigurt dhe e begatë. Dhe NATO ofron pikërisht atë, sigurinë që buron nga Neni 5, që një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve. Një vend i sigurt, i qëndrueshëm, i lidhur me të tjerët që ndajnë vlerat e tij, është një vend që mund të lulëzojë – me ndihmën e rrjedhës së lirë të tregtisë, turistëve, si dhe investimeve që sjell stabiliteti. Shqiptarët e kuptojnë këtë, pasi kanë lënë pas izolimin e së shkuarës dhe kanë përqafuar sigurinë kolektive dhe vlerat e përbashkëta që përfaqëson NATO. Sot, 15 vite pasi iu bashkua Aleancës, Shqipëria jep kontribute solide, qoftë përmes trupave të KFOR-it në Kosovë, batalionit të këmbësorisë, njësitë e klasit botëror për çmontimin e mjeteve eksplozive, forcave të veta speciale e shumë më tepër. Amerika është më e sigurt për shkak të NATO-s. Shqipëria është më e sigurt për shkak të NATO-s. Europa është më e sigurt për shkak të NATO-s. Prandaj 68 për qind e shqiptarëve bien dakord se Shqipëria duhet ta përmbushë premtimin për të kontribuar dy për qind të PBB për shpenzimet për mbrojtjen. Prandaj 90 për qind e shqiptarëve mendojnë se të ardhmes së vendit të tyre i shërben më mirë qenia anëtar i NATO-s. Duke pasur parasysh sfidën që paraqet Rusia, si dhe Republika Popullore e Kinës për shkak të mbështetjes së saj për luftën e Rusisë – tani më shumë se kurrë anëtarët e Aleancës duhet të jenë të përkushtuar politikisht, financiarisht dhe ushtarakisht, duke u siguruar që NATO të mund të përballet me sfidat e kohës sonë.

Samiti i NATO-s sapo përfundoi në Uashington, D.C. dhe kemi parë që nivelet më të larta të qeverisë së SHBA-ve e kanë quajtur një sukses. Mund të na shpjegoni pse?

David Wisner: Ne besojmë fort se ky ishte një nga samitet më të suksesshme që ka zhvilluar ndonjëherë NATO. Bota pa që NATO është më e madhe, më e fortë dhe më e bashkuar se kurrë dhe e gatshme për të mbrojtur të ardhmen tonë. Udhëheqësit ndërmorën hapa për të siguruar që NATO është gati për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s, përfshi nisma të reja domethënëse për të forcuar aftësitë edhe duke investuar në prodhim ushtarak industrial. Së dyti, aleatët bënë përparim historik për të ndarë barrën, ku një rekord prej 23 aleatësh kanë përmbushur ose kapërcyer angazhimin për të shpenzuar të paktën dy për qind të PBB-së për mbrojtjen, përfshi Shqipërinë, e cila ka marrë angazhimin për ta bërë këtë deri në fund të vitit. Së treti, duke kuptuar që Rusia mbetet kërcënimi më domethënës dhe më i drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së aleatëve të NATO-s dhe paqes e stabilitetit në rajonin euro-atlantik, Aleanca ofroi një paketë të fuqishme mbështetjeje për ta ndihmuar Ukrainën që të triumfojë ndaj pushtimit të Rusisë dhe të ecë përpara drejt një rruge të pakthyeshme drejt anëtarësimit në NATO. Së fundi, aleatët panë lidhjen mes sigurisë në rajonin euro-atlantik dhe sigurisë në rajonin indo-paqësor dhe dërguan një mesazh të qartë se mbështetja e Republikës Popullore të Kinës për makinerinë ruse të luftës do të ketë pasoja për marrëdhënien e saj me bashkësinë euro-atlantike.

A u konsultuat për legjislacionin e miratuar së fundi për prodhimin e armëve dhe municioneve? Është një nga temat e trajtuara në samitin e NATO-s.

David Wisner: Në samitin e NATO-s, aleatët deklaruan se bashkëpunimi transatlantik industrial në mbrojtje është pjesë  kritike e parandalimit dhe mbrojtjes së NATO-s, prandaj aleatët ranë dakord me një Premtim Zgjerimi të Kapacitetit Industrial të NATO-s. Përpjekjet industriale të mbrojtjes për të prodhuar kapacitete thelbësore përforcojnë aftësinë tonë kolektive për të përmbushur planet e mbrojtjes së NATO-s në kohë. Përpjekjet kombëtare të Shqipërisë drejt këtyre synimeve janë të mirëpritura.

Cilat janë çështjet më me përparësi, që do të gjejë pasardhësi juaj në tryezë?

David Wisner: Siç e thashë në fillim, përparësitë tona janë të qarta dhe ato vendosen nga nivelet më të larta në Uashington. Këto përfshijnë mbështetje për demokracinë shqiptare – me punën e përbashkët për të forcuar institucionet demokratike dhe sundimin e ligjit, përfshi nëpërmjet zbatimit të pakthyeshëm të reformës në drejtësi dhe luftën jetike kundër korrupsionit; për mbrojtjen, përfshi nëpërmjet edhe më shumë lidhjesh dypalëshe dhe si aleatë në NATO; si dhe për biznesin, duke punuar së bashku për të krijuar mundësi reale për bizneset amerikane dhe shqiptare që të krijojnë vendet e punës që nevojiten dhe ta bëjnë Shqipërinë më të begatë për të gjithë qytetarët e saj.

Kush është pasardhësi juaj?

David Wisner: Ndërkohë që i emëruari për ambasador David Kostelancik pret konfirmimin nga Senati i Shteteve të Bashkuara, pasardhësja ime do të jetë një diplomate e aftë, Nancy VanHorn. Ajo vjen me përvojë shumë të madhe në Tiranë, pasi ka punuar në Ukrainë, Armeni dhe Rusi, mes detyrave të tjera që ka mbajtur. Kam punuar me të dhe mund të flas nga përvoja ime për talentin, dedikimin dhe përkushtimin e saj për partneritetin SHBA-Shqipëri. Për ta mbyllur, më lejoni të falënderoj edhe një herë Shqipërinë dhe shqiptarët për një vit të paharrueshëm këtu. Familjen time dhe mua na ka prekur mikpritja dhe miqësia që të gjithë ju tregoni ndaj amerikanëve. Jemi krenarë për këtë miqësi. Faleminderit!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular